Studim Biblik
“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.”
Ndoshta jo të gjithë njerëzit i duan miqtë e Krishtit, kurse miqtë e tij i duan të gjithë me të vërtetë. Jo të gjithë i duan miqtë e kësaj bote, por as ata vetë nuk i duan të gjithë. Miqtë e Krishtit janë këmbëngulës në dashurinë e tyre deri në fund. Miqtë e kësaj bote janë këmbëngulës për aq kohë sa idetë e tyre nuk bien në kundërshtim me idetë e botës. Shën Maksim Rrëfyesi
Si do ta përkufizonit paqen? Si do ta përkufizonin njerëzit paqen?
Nga bota mësojmë se paqja është thjesht mungesa e dhunës. Ajo mund të jetë një ideal shoqëror. Shumë lëvizje politike premtojnë paqen, qeveri të ndryshme dhe diktatorë, madje dhe komunistët e Rusisë dhe të Europës Lindore.
Çfarë lloj paqeje kanë sjellë këto shoqëri politike? Si përfundim a ja dolën mbanë apo dështuan?
- Dostojevski tha për lëvizjen socialiste të kohës së tij: “Është një Kullë tjetër Babeli, por në vend që të ndërtonin një ndërtesë për të arritur qiellin, ata janë duke u përpjekur të sjellin qiellin në tokë, por pa Perëndinë”.
Krahasoni paqen e Krishtit me paqen e botës.
Paqja e Perëndisë nuk është thjesht një marrëveshje jo e dhunshme mes dy presonave. Është së pari dhe mbi të gjitha një paqe midis Perëndisë dhe njeriut. (Kujtoni, konfuzioni i parë erdhi me ndarjen e Adamit dhe Evës nga Perëndia).
Së dyti, është një paqe brenda shpirtit të çdo personi. Shumë herë, dhuna vjen nga rrëmuja dhe dhuna brenda shpirtit tonë. Duhet të jemi në paqe brenda vetes me qëllim që të punojmë për paqen me njëri-tjetrit.
Së treti, është një paqe e thellë mes njeriut dhe madje armiqve të tij më të mëdhenj. Ne si të krishterë nuk duhet të kemi asnjë armik. Ne duhet të shohim çdo njeri, pavarësisht kush janë ata dhe çfarë na kanë bërë, me paqe. Ata janë vëllezërit tanë. Madje edhe kur na urrejnë, ne i duam dhe mund të rrezatojmë paqen tonë tek ata.
Lexoni Mateu 10:34-39 dhe diskutoni
Këtu ka një paradoks. Pse paqja e Jisu Krishtit krahasohet me një shpatë? Pse duket sikur paqja e Perëndisë sikur kërkon t’i ndajë njerëzit?
- Ne nuk mund të kemi paqe të vërtetë të jashtme nëse nuk kemi paqe me Perëndinë. Këtu theksi vihet në atë që nuk ka asgjë, madje as familja, që mund të qëndrojë midis nesh dhe Perëndisë.
- Fatkeqësisht, të jesh paqebërës, nganjëherë do t’ju bëjë të jeni kundërshtarë me ata që janë zemërgur dhe si rrjedhim kjo do të sjellë ndarje. Por ndarje të tilla janë të nevojshme për të zhvilluar një paqe të vërtetë dhe jetëgjatë.
Lexoni Luka 8:26-39
Kujtoni ngjarjen kur Krishti shëroi një njeri që e kishin pushtuar shpirtrat e këqinj dhe i futi ata në tufën e derrave që vrapuan drejt greminës. Si iu përgjigjën njerëzit e qytetit kësaj mrekullie të Jisuit?
Pse i kërkuan njerëzit Krishtit që të largohej?
Në ç’mënyrë paqja e Krishtit ndryshon nga paqja e botës në këtë rast?
Jepni disa shembuj të situatave kur ne mund ta refuzojmë paqen e Krishtit duke dashur të mbrojmë një ndjenjë të gënjeshtërt paqeje dhe sigurie në mendjet tona.
- Ndarja me dashurinë na bën që të mëkatojmë
- Të flasim për Perëndinë në familje ose me shokët më të ngushtë të cilët nuk besojnë ose janë besimtarë në emër. Nganjëherë ata reagojnë egërsisht.
A mund të jepni disa shembuj nga jeta të cilët përshkruajnë sesi ne zgjedhim që të pranojmë një paqe të gënjeshtërt, por “të lehtë” në vend që të përballojnë një rrugë e cila do të na drejtojë drejt një paqeje të mirëfilltë?
- Duke ndihmuar njerëz që janë ngatëruar keq me alkohool ose drogë. Duhet të vëmë në zbatim një loj dashurie të “ashpër” me qëllim që t’i ndihmojmë ta kapërcejmë problemin e tyre. Nganjëherë mendojmë se është më mirë të mos i vëmë re problemet e një të alkohoolizuari ose një të droguari, duke ditur se nëse e hapim këtë problem do të inatosim personin në fjalë dhe do t’i prishë “paqen.”
- Ndoshta keni një shoqe të mirë që është orthodhokse. Kur shkoni në Universitet së bashku, ajo fillon të sillet në një mënyrë që është mëkatare në sy të Kishës p.sh. kryen marrëdhënie me të dashurin. A do ta injoronit një sjellje të tillë me qëllim që të ruani “paqen” në marrëdhënien tuaj; a do të shmangnit të diskutonit për këtë problem me qëllim që të mos e ofendonit shoqen tuaj, apo do të ishit gati ta përballonit këtë diskutim?
Në vend që t’i injorojmë problemet që na rrethojnë duke vendosur një paqe të rreme, Krishti na thërret që të përpiqemi për paqen, të lëmë mënjanë mënyrën sesi jemi sjellë deri tani dhe të bëjmë paqe.
- Nuk jemi thirrur vetëm të kemi paqe, por të vendosim paqe, ose të bëhemi instrumenta të paqes.
- Së pari duhet të imitojmë Zotin tonë dhe të mos sillemi në mënyrë të dhunshme. Nuk mund të jemi paqe-bërës n.q.s. përdorim dhunën (kjo ishte një nga mënyrat që përdori komunizmi për të justifikuar krimet e tij (qëllimi justifikon mjetin) duhet të heqim dorë nga çdo lloj dhune dhe me besim të vendosim të jemi paqebërës.
- Së dyti, duhet të mbushemi me paqen e Perëndisë (Fil. 4:4-7) dhe shpërndajeni këtë paqe me të tjerët.
- Që të jemi paqebërës ne vendosim të bëhemi njerëz që pajtojnë, njerëz që mbajnë të mirën brenda vetes dhe dëshmitarë të pranisë së Perëndisë.
- Së fundi, duhet të vendosim të ç’rrënjosim ato forma të së keqes që na drejtojnë tek dhuna dhe tek mungesa e paqes. ( thashethemet, zilia, padrejtësia, vetmia, dhe dëshpërimi). Duhet të heqim dorë nga mënyra jonë e të sjellurit për të bërë paqe me të tjerët.
Thoni emrat e disa personave që gjatë histories kanë qënë paqebërës të mëdhenj.
- Gandi (nga Indi)
- Martin Luter King (nga ShBA)
- Pse ishin dy nga paqebërësit më të mëdhenj të shekullit të fundit?
Diskutoni sesi përpjekjet e tyre shkaktuan një çrregullim social përpara se MË NË FUND të arrihej një paqe.
-Mami ose babi p.sh. në familje që përballen me një problem, në vend që ta injorojnë atë duke pretenduar se gjërat shkojnë mirë dhe gjithçka është normale.
Një paqebërës i madh për Perëndinë është Francesku i Asizit, i cili përmblodhi qëndrimin që duhet të kemi ne si paqebërës, në lutjen e tij të famshme:
Lutje:
Zot, më bëj një mjet të paqes sate.
Ku ka dhimbje më ndihmo të mbjell dashuri.
Ku ka fyerje, falje.
Ku ka dyshim, besim.
Ku ka dëshpërim shpresë.
Ku ka errësirë, dritë.
O Mjeshtër Hyjnor,
bëj që të mos pres të më ngushëllojnë më shumë se unë mund të ngushëlloj.
Të mos pres të më kuptojnë, më shumë sesa unë mund t’i kuptoj.
Të mos pres të më duan më shumë sesa unë mund t’i dua.
Sepse kur japim, marrim.
Kur falim, na falin
Dhe kur vdesim, lindim në jetë të përjetshme.
Si shumë shenjtorë të Kishës sonë, Francesku dukej që në mënyrën e tij po përmbushte dëshirat e babait të tij: ai ishte tërheqës, ambicioz, i njohur në mes të bashkëmoshatarëve të tij, ndihmë për babain e tij në dyqanin që kishin në qëendër të Asizit. Megjithatë jeta e tij filloi të ndryshojë gjatë një lufte të gjatë dhe burgimit. Ai përjetoi të këqijat e luftës dhe varfërinë në të cilën jetonin shumë njerëz.
Pas luftës, Francesku kishte vetëm një qëllim: të jetonte sipas Ungjillit. Kjo për të do të thoshte, një jetë pa pare, të vishte të njëjtat rroba siç vishnin dhe lypësit dhe të mos zotëronte asgjë që të mos bënte asnjë ziliqar dhe të mos i linte rrugë dhunës. Shumë njerëz madje dhe anëtarët e familjes së tij kujtuan se ai ishte çmenduar, por ai hoqi dorë nga gjithçka e botës për paqen e përjetshme të Perëndisë. Gjatë gjithë jetës së tij të varfër ai pati në shpirt një gëzim të madh dhe optimizëm.
Gjatë Kryqëzatës së Pestë, Françesku vendosi që t’i predikonte ungjillin e Paqes një komandanti, kundërshtar i të Krishterëve, Sulltanit Malik-al-Qamilit me qëllim që të protestonte kundër fushatave të dhunës së gjakderdhjes kundër myslimanëve. Duke rrezikuar jetën Francesku shkoi çdo ditë për një muaj, tek Sulltani i paarmatosur. Megjithëse ata nuk e konverutan njëri-tjetrin, sulltani kishte kënaqësi kur e takonte mikun e tij që jo vetëm që nuk e vrau, por i dha një pasaportë e cila e lejonte të vizitonte vendet e shenjta të krishtera që mbaheshin të pushtuara nga myslimanët dhe i bëri atij si dhuratë një bri të bukur të gdhendur prej fildishi, e cila tani është mes gjërave të tjera të shenjtorit në kishën e Asizit. Tregojnë se ata të dy u ndanë si vëllezër.
“Dhe paqebërësit do të quhen Bij të Perëndisë”.
Jisui thotë se ndërsa ne përpiqemi të vendosim paqe, tregojmë identitetin si fëmijë të Perëndisë, imitojmë Atin tonë qiellor, prandaj dhe quhemi fëmijët e tij.
“Perëndia e do secilin prej nesh sikur të ekzistonim vetëm ne në botë” thotë Shën Agustini. Por ne s’mund të jemi bijat ose bijtë e tij nëse nuk ndihmojmë aktivisht në procesin e paqes.
“Sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit”.
2 Kor. 5: 18-19
Cilat janë disa gjëra konkrete të cilat na bëjnë paqebërës, në shtëpi, në shkollë dhe në lagje?
Atë Luka Veronis
No comments:
Post a Comment