Studim Biblik: LUMERIMET (4)

Studim Biblik

“Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë”.

Lexoni Mateu 9:9-13

Diskutoni këto pyetje:

  • Pse u mërzitën Farisenjtë (udhëheqësit fetarë) kur Jisui hëngri me Mateun dhe shokët e tij?
  • Kush ishte Mateu? Çfarë donte të thoshte të ishte tagrambledhës?
  • Çfarë kuptimi ka vargu i fundit? “Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë, ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime. ’Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.”

Diskutoni ndryshimin midis “mëshirës” dhe “përmbushjes së sakrificave, ligjit, rregullave, si detyrim dhe jo nga dashuria.”
-   Si përfundim, mësimi i madh që erdhi të na mësojë Krishti, ishte që duhet të mbushemi me dashuri, dhe jo me rregulla.


  • Çfarë do të thotë “të jesh i mëshirshëm?”
  • Pse duhet të jemi të mëshirshëm?
  • Pse është e vështirë të jemi të mëshirshëm?


Lexoni Mateu 6:9-14

  • Çfarë thotë lutja e mirënjohur për mëshirën dhe faljen?
  • Pse duhet t’i falim të tjerët?
  • Sa herë duhet të falim të afërmin tonë? Cila është e pranueshme?
  • Pse është e vështirë të falim të tjerët?


Lexo Matut 18:21-35
Sa herë duhet të falim të afërmin tonë? 
- Pjetri po mundohej të ishte i arsyeshëm në maksimum. Mësuesit judenj të asaj kohe thanë se dikush duhet të falë vëllain e tij tri herë, por jo më tepër.
- Përgjigja e Jisuit është një surprizë. Ajo i kalon tërë limitet dhe llogaritjet. Mëshira dhe falja jonë duhet të jetë e pafundme.

10.000 tallandat krahasuar me 100 denarë
- një tallandë ishte e barazvlefshme me më tepër se 15 vjet rroga pune; një denar ishte zakonisht rroga ditore. Si rrjedhim, një tallandë ishte shumë më tepër sesa 100 denarë. Ideja e 10.000 tallandave është e paimagjinueshme, e pamendueshme, jashtë çdo lloj mase.

Përse Jisui përdor figura të tilla jashtë limitit mendor?
- Ai donte të tregonte sa e madhe është dashuria e Perëndisë; sa e pafundme është mëshira e tij drejt nesh. (Psalmi 103 - Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij; Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona)
- Ai deshi të na tregonte se nuk ka rëndësi çfarë bëjmë ne, asnjëherë nuk mund ta meritojmë mëshirën e tij, ajo është gjithmonë dhuratë!!! (Meqenëse nuk e meritojmë, e vetmja gjë që mund të bëjmë është që të shfaqim vlerësimin që do të thotë të tregojmë mëshirë të ngjashme ndaj të tjerëve.)

Cilat janë pasojat e mosfaljes së të tjerëve? (32-35)
- Ata që nuk falin dot NUK MUND të presin që të falen. (Mt 6:12-14). Perëndia do të na falë sikurse dhe ne falim të tjerët. (Kurdoherë që nuk mund të falim të tjerët, thoni lutjen e Zotit duke thënë “mos fal fajet tona sikurse dhe ne nuk ua falim fajtorëve tanë.”)
- Mungesa e mëshirës do të na ndëshkojë në ditën e gjykimit
- urrejtja dhe krenaria të cilat na shkaktojnë të mos falim të tjerët do të përhapen (si kanceri) dhe do të na drejtojnë shumë më larg Perëndisë

Me qëllim që të kuptojmë plotësisht këtë paragraf, duhet të kuptojmë mëkatin tonë, dhe sa e madhe është mëshira e Perëndisë. 

A jemi mëkatarë?

Çfarë është një mëkat?
          Dhiata e Re përdor pesë fjalë për të përshkruar mëkatin:
-         Të humbësh shënjestrën. Të mos arrish të gjuash në shenjë është mëkat. Si rrjedhim, mëkati është rënie ndaj asaj që kemi qenë ose që mund të kishim qenë. A e kemi arritur potencialin e plotë? A kemi bërë tërë të mirat të cilat ishin të mundshme në jetët tona? Nëse jo, ne kemi mëkatuar dhe kemi nevojë për mëshirën e Perëndisë.
- Kalimi nga krahu jetër. Mëkati është hapi që ndërpret vijën e cila është vendosur midis të mirës dhe të keqes. A qëndrojmë gjithmonë në anën e djathtë të vijës që ndan ndershmërinë nga pandershmëria, midis të vërtetës dhe të rremes, midis mirësisë/kortezisë dhe egoizmit/ashpërsisë? Nëse jo, atëherë ne kemi mëkatuar.

- Rrëshqitja. Mëkati nuk është diçka që është gjithmonë e  paramenduar. Ne mund të bëjmë gjëra pa menduar, një fjalë e ashpër “rrëshqet” jashtë, një impuls ose pasion na shkatërron, humbim kontrollin për një moment. Këto të tëra janë përsëri mëkate.

- Paligjshmëria. Të bërët e diçkaje që është e gabuar, duke ditur që është e gabuar. Dikush që njeh ligjin por përsëri e thyen atë.
- Borxhi. Nënkupton mosdhënie të pagesës që është me afat, një rënie në detyrë. Bibla thotë që të gjithë jemi thirrur “për t’u bërë të përsosur sikurse dhe Ati ynë është i përsosur.” Askush nuk mund të shpallë se ka përmbushur përsosmërisht detyrën ndaj të afërmit dhe Perëndisë. Si rrjedhim, ne biem në mëkat.

Si rrjedhim, me këtë kuptim të mëkatit, është e dukshme se të gjithë kemi mëkatuar. Ne kemi nevojë për faljen dhe mëshirën e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse një nga lutjet më të rëndësishme të Kishës është Lutja e Jisuit, “Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, Ki Mëshirë për Mua Mëkatarin.”

Ne e dimë se duhet të falim të tjerët, por është e vështirë. Si mësojmë të falim të tjerët?
a)    Së pari duke kuptuar se Perëndia ka bërë për ne. Çfarë ka bërë Perëndia për ne?
b)   Mendimi për kuptime të ndryshme të mëkatit; kuptimi sa larg kemi rënë, dhe sa e madhe është mëshira e Perëndisë. Nëse nuk mund të shikojmë mëshirën e Perëndisë drejt nesh, atëherë nuk do të shikojmë ndonjë arsye për të falur të tjerët.
Mbani mend, nuk falim të tjerët sepse ata e meritojnë mëshirën tonë; Ne falim pasi Perëndia na ka falur, Ai është i mëshirshëm ndaj nesh!!!
c)    Mundohuni të kuptoni të tjerët. Mendoni çfarë ka përjetuar personi tjetër në jetë, mundohuni të kuptoni para se të lejoni veten të ndëshkojë, atë person
d)   Mësoni të harroni. Për sa kohë që kemi një plagë të nxehtë, ka shpresë shumë të vogël që ta harrojmë. Mos e ngulit gabimin në mendjen tënde.
e)    Mësoni të doni. Mundohuni të banoni në Krishtin dhe të keni mendjen e tij. Pranoni pa kushte dashurinë e Krishtit në jetën tuaj, përjetojeni këtë dashuri; pastaj, këtë dashuri ndajeni me të tjerët.

Atë Luka Veronis


No comments:

Post a Comment