Mësim nga fëmija

Mësim nga fëmija
Një plak i dobët jetonte me djalin e tij, nusen e djalit dhe nipin 4-vjeçar. Ai ishte shumë i moshuar, duart i dridheshin, shikimi i syve i ishte turbulluar dhe këmbët i merreshin. Çdo vakt familja hante së bashku rreth një tryeze. Por, duart e plakut që dridheshin dhe shikimi jo i qartë e bënte atë të hante me vështirësi. Fasulet i binin nga luga dhe ushqimi derdhej në dysheme. Kur ai merrte gotën në duart që i dridheshin, qumështi derdhej në mbulesën e tavolinës. Djali dhe nusja inatoseshin për rrëmujën që plaku shkaktonte.
Duke parë situatën e gjyshit të moshuar, ata vendosën një tavolinë të vogël në qoshe të dhomës, ku ai do të hante gjithmonë vetëm, ndërsa pjesa tjetër e familjes do të shijonte vaktet së bashku. Deri atëherë gjyshi kishte thyer 2 pjata, ndërsa tani ushqimi i servirej në një tas prej druri.
Kur familja i hidhte sytë nga gjyshi, shpesh shikonin lotë në sytë e tij. Fjalët e çiftit ishin gjithmonë qortime për gjyshin, kur e shihnin që luga i rrëzohej dhe ushqimi i derdhej. Nipi i vogël e vështronte këtë situatë me qetësi.

Një mbrëmje para darkës, babai vëren djalin e vogël i cili po luante në dysheme me disa copa druri. Me ëmbëlsi pyet djalin: “Çfarë po bën me ato copa druri”? Djali i vogël, me po aq ëmbëlsi i përgjigjet: “Oh, babi, unë po përgatis një tas të vogël për ty dhe mamin, që ta përdorni kur të jeni të moshuar si gjyshi. Këto fjalë i goditën prindërit kaq shumë sa ata mbetën pa folur. Pastaj që të dy filluan të derdhnin lotë.
Kur erdhi darka babai e mori gjyshin prej dore dhe e drejtoi te tavolina e përbashkët e familjes. Që nga ajo ditë gjyshi hante çdo vakt me familjen. Dhe as burri as gruaja nuk ia vinin më veshin, as nuk e qortonin kur luga i binte, kur derdhej qumështi, apo kur mbulesa bëhej pis.
Fëmijët janë shumë të ndjeshëm. Prindërit duhet të kuptojnë që çdo ditë sjellja e tyre është një gur në ndërtimin e së ardhmes së fëmijës dhe të ardhmes së tyre.

No comments:

Post a Comment