Lutje përpara të Kryqëzuarit
O Zot Jisu Krisht, Ti që qave për mikun tënd Llazar
dhe derdhe lot hidhërimi dhe dhembshurie për të, prano lotët e mi të hidhur.
Me pësimet e tua, shëro pasionet e mia;
me plagët e tua, shëro plagët e mia;
me gjakun tënd, pastro gjakun tim;
dhe mbushe trupin tim me aromën e trupit tënd jetëbërës.
Vreri me të cilin u vadite nga armiqtë e tu,
le të më ëmbëlsojë shpirtin nga hidhërimi, që më vaditi djalli.
Trupi yt që u var mbi drurin e Kryqit,
le të më tërheqë mendjen drejt teje, sepse demonët ma tërheqin poshtë.
Koka jote që u rrotullua në Kryq, le të më lartësojë kokën që goditet nga armiqtë mendorë.
Duart e tua të tërëshenjta, që u gozhduan nga jobesimtarët në Kryq,
le të më ngrenë nga humnera e shkatërrimit dhe le të më drejtojnë te ti, ashtu siç premtoi goja jote e tërëshenjtë.
Fytyra jote që pranoi shuplaka dhe pështyma nga të mallkuarit,
le të më pastrojë fytyrën që ma ndotin mëkatet.
Shpirti yt që e dorëzove tek Ati yt kur ishe mbi Kryq, le të më udhëzojë pranë teje me hirin tënd.
Nuk kam zemër që të të kërkojë me dhimbje.
Nuk kam pendim, as kataniks (dërrmim shpirtëror),
të cilët udhëzojnë në trashëgimin e Mbretërisë së Qiejve.
Nuk kam, o Zot, lot ngushëllues.
Mendja ime është errësuar në gjërat jetësore dhe materiale dhe nuk ka fuqinë të vështrojë me dhimbje drejt teje.
Zemra ime është ftohur nga shumica e tundimeve dhe nuk mund të ngrohet me lotët e dashurisë sate.
Por Ti, o Zot Jisu Krisht, thesar i të mirave,
dhuromë pendim të plotë dhe zemër të dhembshur,
që të të kërkoj me gjithë shpirt.
Pa ty, jam i përjashtuar nga çdo e mirë.
Dhuromë pra, o i Mirë, hirin tënd.
Ati, që të lindi nga gjiri i tij para jetëve, le të ripërtërijë tek unë bukurinë e ikonës sate.
Të braktisa, mos më braktis.
U largova nga Ti; dil në kërkimin tim, vendosmë në vathën tënde,
renditmë bashkë me delet e kopesë së zgjedhur
dhe ushqemë bashkë me to nga bari i mistereve të tua hyjnore.
O Shpëtimtari ynë Jisu Krisht, m’i jep mua këto me hirin dhe njeridashjen tënde,
tani e përherë dhe në jetë të jetëve. Amin.
Oshënar Isak Siriani
No comments:
Post a Comment