TË GJITHA ISHIN PREJ MEJE!
TË GJITHA ISHIN PREJ MEJE!
A ke menduar ndonjëherë se të gjitha sa të përkasin ty, më përkasin dhe Mua? Sepse ato që të përkasin ty përbëjnë beben e syrit Tim. Je i çmuar në sytë e Mi dhe të dua, o biri im, prandaj është gëzim i veçantë për Mua që të të edukoj. Kur tundimet vijnë si lumë te ty, dëshiroj që ta dish se prej Meje ishte kjo!
Dëshiroj të dish se dobësia jote ka nevojë për fuqinë Time, dhe pasiguria jote ka nevojë për mbrojtjen Time. Dëshiroj të dish se kur ndodhesh në rrethana të vështira midis njerëzve që nuk të kuptojnë, që nuk të llogarisin aspak, të fyejnë dhe të dëbojnë, prej Meje ishte kjo!
Jam Perëndia yt dhe rrethanat e jetës sate janë në duart e Mia; nuk je rastësisht në atë rrethanë, është pikërisht rrethana që Unë të kam caktuar. A nuk më luteshe që të të mësoja përulësinë? Dhe ja, të vura pikërisht në atë ambient, në shkollën ku mësohet ky mësim. Ambienti yt dhe ata që jetojnë pranë teje zbatojnë vetëm dëshirën Time. Ke vështirësi ekonomike dhe nuk ia del dot mbanë, dije se prej Meje ishte kjo!
Dëshiroj që të dish se Unë disponoj lekët e tua; eja të kërkosh ndihmë tek Unë. Dije se varesh nga Unë. Dëshiroj që të dish se depozitat e mia janë të pashtershme dhe ji i sigurt se jam besnik në premtimet e Mia. Mos ndodhtë kurrë që kur je në vështirësi të të thonë: “Mos beso te Zoti, Perëndia yt”. Ke kaluar ndonjëherë një natë të tërë i pushtuar nga hidhërimi? Je i ndarë nga të afërmit e tu dhe nga njerëzit që i do?
Ta lejova Unë, me qëllim që të përikësh e të lutesh tek Unë, dhe tek Unë të gjesh ngushëllimin dhe prehjen e përjetshme. Të zhgënjeu miku yt ose dikush tjetër, të cilit i kishe hapur zemrën tënde? Prej Meje ishte kjo!
Unë lejova të të prek ky zhgënjim, që të mësosh se Zoti është miku yt më i mirë.
Dëshiroj që të vish te Unë e të m’i thuash të gjitha. Të ofendoi dikush? Lerma Mua qortimin! Bashkohu sa më shumë me Mua; Unë le të jem streha jote, ku të fshihesh kur të përndjekin. Do të bëj drejtësinë tënde të shkëlqejë si drita dhe jetën tënde si dita në mesditë. U prishën planet e tua, u përkul shpirti yt dhe është i rraskapitur e i lodhur, prej Meje ishte kjo!
Bëre plane dhe kishe qëllimet e tua; M’i solle që të t’i bekoj.
Dëshiroj t’i lësh te Unë. Unë do të drejtoj rrethanat e jetës tënde, sepse je vartës dhe jo epror. Të gjetën fatkeqësi të papritura dhe dëshpërimi pushtoi zemrën tënde, dije se, prej Meje ishte kjo!
Sepse me këtë lodhje dhe ankth provoj sa i fortë është besimi yt te premtimet e Mia dhe sa kurajo ke ti për t’u lutur për të afërmit e tu. A nuk ishe ti që përkujdesjet për ata, i besove në dashurinë Time të pafundme? A nuk je ti që dhe tani i le të afërmit e tu nën mbrojtjen e Nënës Sime të Tërëshenjtë? U sëmure rëndë; dhe kjo sëmundje mund të kurohet, ose mund të jetë e pakurueshme dhe të gozhdoi në shtratin tënd, prej Meje ishte kjo!
Ngaqë dëshiroj që të Më njohësh më thellë nëpërmjet sëmundjes trupore, mos murmurit për këtë provë që t’u dërgua. Mos u përpiq me mënyra të ndryshme, të kuptosh planet e Mia për shpëtimin e shpirtit të njeriut, por pa u dëshpëruar dhe me përulësi ul kokën para mirësisë Time. Endërroje të bëje diçka të veçantë për Mua, dhe në vend që ta bëje, re në shtratin e dhimbjes, prej Meje ishte kjo!
Sepse atëherë do të ishe i zhytur në punët e tua, dhe Unë nuk do mund të tërhiqja mendimet e tua drejt Meje; por Unë dëshiroj që të të mësoj mendimet më të thella dhe mësimet e Mia me qëllim që të më shërbesh. Dëshiroj që të dish e të ndjesh se pa Mua nuk je asgjë. Disa nga bijtë e Mi më të mirë janë ata të cilët janë të ndarë nga jeta aktive, që të mësojnë të përdorin armën e lutjes së pandërprerë.
I mbështetur tek Unë, papritur u ftove të marrësh një detyrë të vështirë dhe me përgjegjësi. T’i besoj këto vështirësi dhe prandaj do të të bekojë Zoti Perëndia yt në të gjitha punët dhe rrugët e tua; në gjithçka Udhëheqësi dhe Mësuesi do të jetë Zoti yt. Atë ditë në duart e tua, o biri Im, të dhashë enën me miron e shenjtë që ta përdorësh lirshëm.
Gjithmonë kujto, çdo vështirësi që do të takosh, çdo fjalë provokuese, çdo ofendim e gjykim, çdo pengesë në punët e tua, që mund të të shkaktonte mërzitje, dëshpërim dhe zhgënjim, çdo shfaqje e dobësisë dhe paaftësisë sate, do të lyhet me këtë miro, prej Meje ishte kjo!
Kujto, çdo pengesë është për mirë; është mësim nga Perëndia, prandaj vendosi në zemrën tënde fjalët që të kam zbuluar sot, prej Meje ishte kjo!
Për çdo shigjetë që të shpon, kthe vështrimin tek Unë. Dije dhe kujto gjithmonë, kudo që të jesh, se të gjitha t’u dërguan nga Unë për përsosjen e shpirtit tënd.
Të gjitha këto ishin prej Meje!
Nga shën Serafimi i Viricës
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment