E keqja që bën, me ty qëndron: E mira që bën, ty të kthehet!
Një grua piqte kuleçë për anëtarët e familjes së vet dhe piqte një tepër për ndonjë kalimtar të uritur. Kulaçin ekstra e vendoste në pervazin e dritares për këdo që mund të kishte nevojë ta merrte. Çdo ditë një lypës kalonte dhe merrte kulaçin.
Ai nuk shpehte aspak mirënjohje, por vetëm mërmëriste: “E keqja që bën, me ty qëndron: E mira që bën, ty të kthehet!" Kjo vazhdoi për ditë me radhë. Ai kalonte çdo ditë, merrte kulaçin dhe thoshte fjalët: “E keqja që bën, me ty qëndron: E mira që bën, ty të kthehet!"
Gruaja u mërzit. “Asnjë fjalë mirënjohje, - tha ajo me vete - çdo ditë të njëtin refren ky lypës! Ç’do të thotë me këtë?”
Një ditë, e irrituar, vendosi ta heqë qafe përgjithmonë. Hodhi helm në kulaçin që përgatiti për të.
Kur erdhi momenti për ta vendosur në pervazin e dritares, duart iu drodhën. Kuptoi gabimin e tmerrshëm dhe tha: “Ç’është kjo që po bëj?” E hodhi në zjarr kulaçin, gatoi një tjetër dhe e vendosi në pervazin e dritares. Si zakonisht, lypësi erdhi, mori kulaçin dhe tha fjalët e tij të përditshme: “E keqja që bën, me ty qëndron: E mira që bën, ty të kthehet!"
Lypësi vazhdoi rrugën e tij, pa ditur çfarë kishte ndodhur. Gruaja, çdo ditë, kur vendoste kulaçin në pervazin e dritares, bënte lutje për djalin e saj i cili kishte shkuar larg për të gjetur lumturinë. Për muaj të tërë, ajo nuk kishte marrë asnjë lajm prej tij.
Pikërisht atë mbrëmje, dikush trokiti në derë. Kur e hapi, ajo u habit tek pa djalin e saj që priste te dera. Ai ishte dobësuar dhe ishte bërë kockë e lëkurë. Rrobat i ishin grisur dhe leckosur. Ishte i uritur dhe i këputur nga fuqitë.
Sapo pa nënën e tij i tha: “Nënë, është mrekulli që jam këtu! Ndërsa isha nja një kilometër larg u ndjeva aq i pafuqishëm saqë rashë. Do të kisha vdekur, por atë moment një lypës i moshuar kaloi aty pranë. I kërkova një copë bukë, dhe ai u tregua shumë i mirë me mua sa më dha të gjithë kulaçin. Kur ma dha kulaçin më tha: “Ky është ushqimi im i përditshëm, sot do të ta jap ty, sepse ti ke nevojë më shumë se unë”.
Duke dëgjuar këto fjalë, nëna u zverdh në fytyrë. U mbështet te dera, se i ranë fuqitë. Solli ndër mend kulaçin me helm që kishte pjekur atë mëngjes. Nëse nuk do ta kishte djegur në zjarr, djali i saj do ta kishte ngrënë, dhe do të humbte jetën.
Atëherë ajo kuptoi domethënien e fjalëve: “E keqja që bën, me ty qëndron: E mira që bën, ty të kthehet!"
Bëj mirë dhe mos ndalo kurrë së bëri mirë, edhe nëse nuk vlerësohet në moment!
No comments:
Post a Comment