Duke të vrarë ty, vrava edhe veten!

Një e krishterë zviceriane, e quajtur Patricia, në vitet e rinisë së saj preferoi abortin se nuk përballej dot me urrejtjen shoqërore për nënat e pamartuara. 
Sot, me më tepër vite në shpinë dhe pjekuri mendimi, e dërrmuar nga ai krim vendosi të shkruajë këtë letër drejtuar shpirtit të pavdekshëm të foshnjës së saj.


“Biri im i dashur...
Prej shumë kohësh dua të të them atë që kam brenda në zemrën time.
Falmë, thesari im, që nuk të lashë të shohësh dritën.
Erdhe të banosh në trupin tim, të bëhesh lumturia ime, rreze-dielli i jetës sime.
Për fat të keq, atëherë, nuk të konsiderova person.
Të shihja si fatkeqësi, si shkatërrim, si padrejtësi.
Sa turpërohem sot.
Nuk do ta mësoj kurrë nëse ishe djalë a vajzë.
Do të dëshiroja shumë të të shtrëngoja në kraharorin tim dhe të të them se të dua.
Ti ishe dhuratë e Perëndisë, por unë rashë në kurthin e djallit, zgjodha vdekjen-në vend të jetës,  errësirën-në vend të dritës. 
Erdhe të më mësosh lumturinë, dhuratën, gëzimin.
Duke të vrarë ty, vrava edhe veten.
Sot jam e sëmurë, fatkeqe, e vetmuar.
Megjithatë, mendoj se po shijon dritën e Perëndisë. Ai të hapi prehërin e Tij, ndërsa unë të refuzova timin.
Pra, të lutem, biri im i dashur – nëse kam të drejtë të të quaj kështu – lutu për mua, rri zgjuar pranë meje, më ndihmo në këto orë të vështira.
Jam e bindur se je engjëll që psal madhështitë e Perëndisë.
Besoj se unë kam ende mision për të bërë në tokë.
Më ndihmo, që t'ju dhuroj të tjerëve dashurinë dhe dhembshurinë që të refuzova ty.
Së fundmi, dëshira ime e zjarrtë është që, kur të largohem nga kjo botë dhe të kthehem te Krijuesi im, të të shtrëngoj në kraharorin tim brenda pafundësisë së përjetësisë.
Tani të shtrëngoj në zemrën time me mendimin tim”.
 Nëna jote

No comments:

Post a Comment