A jemi në gjendje t’i kuptojmë rrugët e Perëndisë?
Na ishte një herë një plak që gjithmonë qahej për rrugët e Perëndisë. Por një ditë ai pa një ëndërr:
Një lajmëtar nga Perëndia iu shfaq dhe i tha plakut t’i shkonte pas. Shkuan në një shtëpi ku iu dha një pritje e ngrohtë. I zoti i shtëpisë u tha: “Sot është një ditë e shënuar për mua. Armiku im i dha fund luftës me mua dhe si shenjë miqësie më ka dërguar këtë kupë të artë”. Kur u larguan ditën tjetër, plaku vuri re se lajmëtari e kishte marrë kupën me vete. Ai po bëhej gati të fliste me zemërim kur lajmëtari i tha: “Mbaje gojën! Këto janë rrugët e Perëndisë”. Shpejt ata arritën në një shtëpi tjetër. I zoti i shtëpisë, një koprac plak, i mallkoi vizitorët e paftuar dhe u tha të zhdukeshin. “Eja të ikim që këtej!”- tha lajmëtari dhe ndërkaq ia dhuroi kupën e artë kopracit. Përsëri plaku u bë gati të protestonte dhe përsëri lajmëtari e ndaloi. “Mbaje gojën! Këto janë rrugët e Perëndisë”!
Aty nga mbrëmja, ata arritën në shtëpinë e një burri që ishte shumë i dëshpëruar, sepse, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e tij, ai gjithmonë kishte hasur fatkeqësi. “Perëndia do të të ndihmojë!”- tha lajmëtari dhe kur po niseshin për rrugë, i vuri zjarrin shtëpisë. “Mos!”- thirri plaku. “Mbaje gojën! Këto janë rrugët e Perëndisë!”. Ditën e tretë shkuan në shtëpinë e një burri të trishtuar dhe të ngrysur. Ai nuk sillej mirë me asnjë përveç djalit të tij të vogël të cilin e donte shumë. Kur u larguan mëngjesin tjetër, burri u tha: “Nuk mund t’ju shoqëroj, por djali im i vogël do të vijë me ju deri tek ura. Ma kini shumë kujdes”. “Perëndia do ta mbrojë!”- u përgjigj lajmëtari i Perëndisë.
Kur arritën tek ura, ai papritur e shtyu fëmijën në lumë. “More, njeri i pashpirt!”- ulëriti plaku - “Sigurisht që këto nuk janë rrugët e Perëndisë…”. Pikërisht në atë çast, lajmëtari u shndërrua në një engjëll që shkëlqente nga lavdia qiellore. “Më dëgjo me kujdes! Ajo kupë ishte e helmuar. Kështu unë ia shpëtova jetën burrit dashamirës, kurse kopraci plak gjeti vdekjen duke pirë prej asaj kupe. I varfri gjeti një thesar të vënë mënjanë kur po rindërtonte shtëpinë, që unë ia dogja dhe u çlirua nga çdo nevojë për ditët që i mbetën. Ndërsa, përsa i përket burrit, djalin e të cilit e hodha në lumë, ishte një mëkatar i keq dhe po të rrinte me të, fëmija do të bëhej kriminel. Humbja e të birit e çoi të atin në pendim. Dhe fëmija është mirë atje ku është. Kështu ti pate mundësi të shihje diçka nga Urtësia dhe Drejtësia e Perëndisë. Që tani e tutje duhet të përkulesh para misterit dhe përkujdesjes së Tij!
Ne ndoshta nuk do të takojmë kurrë një engjëll në rrugë për të na shpjeguar gjërat siç i ndodhi plakut. Ne vetëm mund të vazhdojmë të ecim me besim dhe të pranojmë faktin se nuk mund t'i kuptojmë rrugët e Perëndisë.
No comments:
Post a Comment