Thënie nga shën Siluan Athoniti

          Nëse të gjithë njerëzit do të pendoheshin dhe do të mbanin urdhërimet e Perëndisë, do të ishte parajsë mbi tokë, sepse “Mbretëria e Qiejve është brenda nesh”.
Mbretëria e Qiejve është Shpirti i Shenjtë dhe Shpirti i Shenjtë është i njëjti si në qiell ashtu edhe mbi dhé.
Njeriut që pendohet, Zoti i jep parajsën dhe Mbretërinë e përjetshme me Vetveten. Në mëshirën e Tij të madhe, Ai nuk i kujton mëkatet tona, ashtu si nuk i pa mëkatet e kusarit në kryq.

          Njeriu i penduar me të vërtetë e duron çdo vuajtje – urinë dhe zhveshjen, të ftohtin dhe të nxehtin, sëmundjen dhe varfërinë, poshtërimin dhe internimin, padrejtësinë dhe shpifjen; sepse shpirti i tij është kthyer me mall te Perëndia dhe nuk ka më kujdesje për gjërat tokësore, por i lutet Perëndisë me një mendje të pastër.
 Por njeriu që është i lidhur me të mirat dhe pasuritë e kësaj bote, kurrë nuk mund të ketë një mendje të
pastër në Perëndinë, meqenëse në thellësi të shpirtit të tij ai është i preokupuar me zotërimet e tij; dhe nëse ai nuk pendohet me gjithë zemër dhe të mbajë zi që ka hidhëruar Perëndinë, ai do të vdesë duke mbartur barrën e pasioneve të tij, pa arritur të njohë Zotin.

          Nëse ti mendon keq për njerëzit, do të thotë se ti ke brenda teje një frymë të keqe, e cila të pëshpërit mendime të këqija për të tjerët. Dhe nëse një njeri vdes pa u penduar, pa e falur të afërmin e tij, shpirti i tij do të shkojë në vendin ku jetojnë frymërat e këqija, që e kishin zotëruar shpirtin e tij.
          Ky është ligji që kemi: nëse ti i fal të tjerët, kjo është një shenjë që Zoti të ka falur ty; por nëse ti nuk i fal të tjerët, atëherë mëkatet e tua do të mbeten te ti.

     


   Krishti u lut për ata që e kryqëzuan: “Atë, fali ata, sepse nuk e dinë çfarë po bëjnë.” (Lluk. 23. 34). Stefani, martiri, u lut për  ata që po e vrisnin me gurë, që Zoti “të mos ua zinte atyre këtë faj” (Vep. 7. 60). Dhe ne, nëse duam ta ruajmë hirin, duhet të lutemi për armiqtë tanë. Nëse ty nuk të vjen keq për mëkatarin e destinuar të vuajë mundimet e zjarrit të ferrit, do të thotë se hiri i Shpirtit të Shenjtë nuk është te ti, por një frymë e keqe. Prandaj, nëse akoma je gjallë, përpiqu, që me anë të pendimit ta çlirosh vetveten nga kjo frymë.

          Kur një njeri trembet ta hidhërojë Perëndinë nga mëkati I çdo lloji – kjo është shkalla e parë e dashurisë. Njeriu, mendja e të cilit është e patrazuar ka dashurinë e shkallës së dytë, e cila është më e lartë se e para. Një shkallë e treta dhe më e lartë dashurie është kur dikush është i vetëdijshëm për hirió në shpirtin e tij. Dhe së fundi, njeriu që ka hirin e Shpirtit të Shenjtë, si në shpirt ashtu edhe në trup, është në gjendjen e dashurisë së përsosur; dhe nëse ai e ruan këtë hir, kockat e trupit të tij do të bëhen lipsana të shenjta, ashtu si u bënë kockat e martirëve të shenjtë, profetëve, etërve të bekuar dhe shenjtorëve të tjerë të mëdhenj.

          Perëndia na ndihmon në atë që është e mirë, ndërsa armiku na nxit në ligësi, por kjo varet gjithashtu në vullnetin tonë; ne duhet ta detyrojmë veten të bëjmë mirë, por me maturi dhe duke njohur mëson e fuqisë sonë. Ne duhet t’i studiojmë shpirtrat tanë, që të njohim se çfarë është e shëndetshme për ne: për njërin është e dobishme të lutet, për një tjetër të lexojë ose të shkruajë. Është një gjë e mirë të lesos, por është më mirë të lutesh i patrazuar dhe akoma më mirë të qash; secilit, ashtu si i është dhënë atij prej Zotit.

          Nëse ne dëshirojmë ta duam Perëndinë, duhet të zbatojmë të gjitha porositë që na ka lënë Zoti në Ungjill. Zemrat tona duhet të jenë të mbushura me dhembshuri dhe jo të kemi dashuri vetëm për njerëzit, por për çdo gjë të krijuar nga Perëndia. Atë gjethe të gjelbër në pemë që ti pa pasur nevojë e këput – nuk është gabim, por vetëm më shumë dhembshuri për gjethen e vogël. Zemrës që ka mësuar të dojë, i vjen keq për çdo gjë të krijuar. Por njeriu është një krijim i lartë, prandaj, nëse ti e shikon që ai po shkon në rrugë të gabuar dhe i sjell dëm vetes së tij, lutu për të dhe vajto për të nëse je në gjendje, ose të paktën psherëti për të përpara Perëndisë. Dhe shpirti që vepron në këtë mënyrë, është i dashuri i Zotit, sepse ai është i ngjashëm me Atë.

          Zoti e do shumë mëkatarin që pendohet dhe butësisht e shtrëngon në gjirin e Tij dhe i thotë: “Ku ishe, biri Im? Të kam pritur për një kohë të gjatë.” Zoti i thërret të gjithë njerëzit tek Vetvetja në fjalët e Ungjillit dhe zëri i Tij dëgjohet anembanë universit: “Ejani tek unë të gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, edhe unë do t’ju jap prehje” (Matth. 11. 28). Ejani dhe pini nga ujërat e jetës. Ejani tek unë dhe dijeni se unë ju dua. Sikur të mos ishte kështu, unë nuk do t’u kisha thirrur. Unë nuk mund të lejoj që ndonjë nga delet e mia të humbasë. Dhe për një dele të vetme, Bariu shkon në mal për ta kërkuar atë.
          “Ejani tek unë, delet e mia. Unjë ju krijova dhe ju dua. Dashuria për ju më zbriti në tokë dhe i pësova të gjitha për shpëtimin tuaj dhe dëshira ime është që ju duhet ta njihni dashurinë time dhe të ton si Apostujt në Malin Tabor: “Zot, është mirë për ne të jemi me ty” (Matth. 17. 4; Mark 9. 5; Lluk. 9. 33).

          Prej dhembshurisë së Tij, Zoti na dha neve mëkatarëve Shpirtin e Shenjtë dhe nuk kërkoi asgjë prej nesh, por i thotë secilit, si i tha apostull Petros, “A më do?” (Joan 21. 15, 16, 17). Kështu e gjitha ajo që kërkon Zoti prej nesh është dashuria jonë dhe Ai gëzohet kur ne kthehemi tek Ai. Kjo është mëshira e Perëndisë për njeriun: le të ndalojë njeriu së mëkatuari dhe le ta përunjë vetveten para Perëndisë dhe Zoti do të ketë mëshirë për atë, do t’i falë çdo gjë atij dhe do t’i japë hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe fuqinë për ta mundur mëkatin.

          Shenjtorët e bekuar kanë arritur Mbretërinë e Qiejve dhe atje ata shikojnë lavdinë e Zotit tonë Jisu Krisht; por me anë të Shpirtit të Shenjtë, ata shikojnë gjithashtu vuajtjet e njerëzve në tokë. Zoti u ka dhënë atyre një hir të tillë, saqë ata përfshijnë tërë botën me dashurinë e tyre. Ata shohin dhe e dinë sesi ne lëngojmë në vuajtje, sesi zemrat tona janë tharë brenda nesh, sesi dekurajimi i ka lidhur shpirtrat tanë; dhe ata kurrë nuk pushojnë së ndërmjetuari për ne te Perëndia.

          Shenjtorët gëzohen kur ne pendohemi dhe hidhërohen kur njerëzit e harrojnë Perëndinë dhe bëhen si shtazët e egra. Ata hidhërohen të shikojnë njerëz që jetojnë në tokë dhe që nuk e kuptojnë se sikur ata të donin njëri-tjetrin, bota do të ishte e çlicuar nga mëkati; dhe atje ku mungon mëkati, atje është gëzimi dhe lumturia prej Shpirtit të Shenjtë, në një mënyrë të tillë, që në të gjitha anët gjithçka duket e këndshme, dhe shpirti mrekullohet se gjithçka është kaq mirë me të dhe lavdëron Perëndinë.


         

Shenjtorët janë të ngjashëm me Zotin, por kështu në ngjashmërinë e Tij, janë të gjithë njerëzit që ruajnë porositë e Krishtit; ndërsa ata që u jepen pasioneve të tyre dhe nuk pendohen, janë të ngjashëm me armikun. Unë mendoj se sikur ky mister të njihej, njerëzit nuk do t’i shërbenin më armikut dhe gjithësecilit  do të dëshironte me gjithë fuqinë e tij që të njihte Zotin dhe që të ishte i ngjashëm me Atë.
Shenjtorët ishin njerëz të ngjashëm me të gjithë ne. shumë prej tyre filluan me mëkate të rënda, por nëpërmjet pendimit, ata arritën Mbretërinë e Qiejve. Dhe kushdo që arrin në Mbretërinë e Qiejve, e bën këtë nëpërmjet pendimit, të cilin Zoti i mëshirshëm na e fali me anë të pësimeve të Tij.

          Në Mbretërinë e Qiejve, ku banon Zoti dhe Nëna e Tij e panjollshme, banojnë edhe të gjithë shenjtorët. Atje jetojnë stërgjyshërit dhe patriarkët tanë të shenjtë, të cilët me burrëri e mbajtën besën e tyre. Atje banojnë profetët, të cilët morën Shpirtin e Shenjtë dhe me anë të nxitjeve të tyre i thirrën njerëzit te Perëndia. Atje banojnë apostujt, të cilët vdiqën që Ungjilli të lëçitej kudo. Atje banojnë martirët, të cilët me gëzim e dhanë jetën e tyre për dashurinë e Krishtit. Atje banojnë hierarkët e shenjtë, të cilët ndoqën shembullin e Zotit dhe morën mbi vetet e tyre barrën për grigjat e tyre shpirtërore. Atje banojnë etërit e shenjtë, të cilët jetuan një jetë lutjeje dhe agjërimi dhe ata që u bënë të marrë për hir të Krishtit, të gjithë këta luftuan luftën e mirë dhe prandaj e mundën botën. Atje banojnë të gjithë të drejtët që ruajnë porositë e Perëndisë dhe i mposhtën pasionet e tyre.

          Apostujt baritën në të gjithë dheun, duke u folur njerëzve në lidhje me Zotin dhe me Mbretërinë e Qiejve. Por shpirtrat e tyre u lodhën dhe patën etje të shikonin Zotin e tyre të dashur, prandaj ata nuk i trembeshin vdekjes, por e përballonin atë me gëzim, dhe nëse ata ishin të kënaqur të jetonin në tokë, kjo vetëm për hir të njerëzve, në të cilët kishte shkuar dashuria e tyre.
          Apostujt e donin Zotin, prandaj ata nuk i trembeshin vuajtjeve. Ata e donin Zotin dhe ata donin njerëzit dhe kjo dashuri largonte çdo frikë prej tyre. Ata nuk i trembeshin as vuajtjes dhe as vdekjes dhe për këtë arsye Zoti i dërgoi ata në botë për të ndriçuar njerëzit.


          Zoti kaq shumë na deshi, saqë ai vuajti për ne në kryq; dhe vuajtjet e Tij ishin aq të mëdha, saqë ne nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë ato, sepse ne e duam Zotin shumë pak. Po ashtu vuajnë për ne edhe barinjtë tanë, ndonëse ne shpesh nuk i shikojmë vuajtjet e tyre. Dhe sa më e madhe të jetë dashuria e një bariu, aq më të mëdha do të jenë vuajtjet e tij; dhe ne, të cilët jemi delet e Tij, duhet ta kuptojmë këtë dhe t’i duam dhe t’i respektojmë barinjtë tanë.


          Nëpërmjet atit shpirtëror, Shpirti i Shenjtë vepron në misterin e rrëfimit, dhe kjo është arsyeja përse shpirti kur del nga rrëfimi, ndihet i rinuar nëpërmjet paqes dhe dashurisë për të afërmin e tij. Por nëse ti je i turbulluar kur del nga rrëfimi, do të thotë se ti nuk ke bërë një rrëfim të pastër për mëkatet e tua dhe nuk e ke falur në shpirtin tënd të afërmin tënd për fajet e tij.


          Një atë shpirtëror duhet të gëzohet kur Zoti i sjell atij një shpirt për pendim dhe sipas hirit që i është dhënë atij, ai duhet ta shërojë atë shpirt, si një bari i mirë për delen e tij, dhe për këtë ai do të marrë një mëshirë të madhe nga Perëndia.

          Për ta ruajtur zellin, ne duhet ta kemi Zotin gjithmonë ndër mend, dhe t’i themi vetes sonë: “Më ka ardhur fundi dhe tani duhet të paraqitem para Gjykatores së Perëndisë”. Dhe nëse shpirti është i përgatitur vazhdimisht kështu për vdekjen, ai nuk do të ketë më frikë nga vdekja, por do të kthehet te lutja e përunjur e pendimit, dhe atje ku shpirti është pendonjës, mendja do të jetë e pastruar dhe nuk do të mashtrohet më nga bota, dhe ti do t’i duash të gjithë njerëzit dhe do të derdhësh lot për të gjithë. Por kur kjo do të jepet ty, se është një dhuratë nga mëshira e Perëndisë, dhe se njeriu në vetvete nuk është asgjë përveçse një baltë mëkatare.


          Nëse ti ke akuzuar, ose gjykuar, ose ngacmuar të afërmin tënd, e ke humbur paqen. Nëse je mburrur, ose e ke lartësuar veten mbi të tjerët, paqja jote ka humbur. Nëse ti nuk i largon përnjëherë mendimet e pahijshme që vijnë te ti, shpirti yt do të humbasë dashurinë për Perëndinë dhe guximin në lutje. Nëse ty të pëlqen pushteti, ose paratë, kurrë nuk do ta njohësh dashurinë e Perëndisë. Nëse ti ke ndjekur vullnetin tënd, atëherë ti je i mundur nga armiku dhe dekurajimi do të pushtojë shpirtin tënd. Nëse ti përbuz vëllanë tënd, do të thotë se ti je larguar nga Perëndia, dhe një frymë e ligë të ka zaptuar.

          Përse ndodh që njeriu vuan në tokë dhe është i kërcënuar nga fatkeqësi dhe vuajtje? Ne vuajmë ngaqë nuk kemi përulësi. Shpirti i Shenjtë banon në shpirtin e përulur, duke sjellë liri, paqe, dashuri dhe bekim. Ne vuajmë, ngaqë ne nuk i duam të tjerët. Zoti tha: “Duajeni njëri-tjetrin dhe do të jeni nxënësit e mi” (shih Joan 13. 35). Dashuria e Perëndisë vjen me dashurinë për të afërmin. E ëmbël është dashuria e Perëndisë, e cila është dhurata e Shpirtit të Shenjtë dhe bëhet e njohur vetëm nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Por ka një shkallë më të vogël dashurie, që gjendet te njeriu që përpiqet të zbatojë porositë e Krishtit dhe ka frikë se mos e hidhëron Perëndinë në ndonjë mënyrë; dhe kjo dashuri, gjithashtu, është e mirë. Çdo ditë ne duhet ta nxisim vetveten drejt asaj që është e mirë, dhe me tërë fuqinë të kërkojmë përunjësinë e Krishtit.

          E tërë lufta jonë është që të përunjim vetet tona. Armiqtë tanë ranë nga krenaria, dhe duan të na shtyjnë në të njëjtën rrugë. Por jo, vëllezër, le t’i përunjim vetet tona dhe atëherë ne do të shikojmë lavdinë e Zotit, ndërsa jemi akoma këtu në tokë (shih Matth. 16. 28; Mark 9. 1), sepse Zoti e bën njeriun e përunjur ta njohë Atë me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Shpirti që ka shijuar ëmbëlsinë e dashurisë së Perëndisë është i rilindur dhe krejtësisht i ndryshuar, dhe e do Zotin e tij, dhe me tërë forcën e dëshiron Atë ditë e natë, dhe për pak kohë qëndron në paqe në Perëndinë, dhe pastaj fillon të hidhërohet përsëri për njerëzit.

          Me tërë fuqinë tënde kërkoi Zotit përunjësi dhe dashuri vëllazërore, sepse atij që do vëllanën e tij, Zoti i jep lirisht hirin e Tij. Provoje vetë: një ditë lypi Zotit dashurinë vëllazërore, dhe ditën tjetër jeto pa dashuri, dhe ti do ta shohësh ndryshimin. Frytet shpirtërore të dashurisë shfaqen – paqe e gëzim në shpirt, të gjithë njerëzit janë të dashur për ty dhe ti do të derdhësh lot të shumtë për të afërmin tënd, për çdo gjë që ka frymë, për të gjithë krijimin. Shpesh një përshëndetje e përzemërt sjell një ndryshim të gëzuar në shpirt; ndërsa, përkundrazi, një vështrim joarmiqësor – dhe hiri dhe dashuria e Perëndisë largohen. Kur ndodh kjo, pendohu shpejt, që paqja e Perëndisë të kthehet në shpirtin tënd.


          Ruaju nga këto dy mendime dhe trembu prej tyre. I pari që sugjeron se “Ti je shenjt;” dhe tjetri që “Ti nuk do të shpëtosh.” Të dyja vijnë prej armikut dhe nuk ka të vërtetë në ato. Por më mirë mendo kështu: “Unë jam një mëkatar i madh, por Zoti është i mëshirshëm. Ai që ka një dashuri të madhe për njeriun dhe do të m’i falë mëkatet e mia”.  Beso në këtë mënyrë dhe do të shohësh që Zoti do të të falë. Mos u mbështet në veprat e tua, nuk ka rëndësi sa shumë ti je përpjekur.

          Mendimet e këqija e shqetësojnë shpirtin krenar dhe derisa ai ta përunjë veten, ai nuk do të gjejë qetësi prej tyre. Kur mendimet e gabuara të rrethojnë, thirr te Perëndia si Adami, duke thënë: “O Zot, Bërësi dhe Krijuesi im, Ti e shikon sesi shpirti im është trazuar nga mendimet e këqija… Ki mëshirë për mua.” Dhe kur të qëndrosh para faqes së Zotit, ki ndër mend fort se Ai do t’i dëgjojë lutjet e tua, nëse ato do të jenë për të mirën tënde.

          Ai, i cili do që të lutet lirisht dhe i paturbulluar, duhet të mbajë veten larg lajmeve të gazetave, të mos lexojë libra pa vlerë dhe as të mos jetë kurioz për të ditur hollësitë e jetës së njerëzve të tjerë. Të gjitha këto e mbushin mendjen me mendime që njollosin dhe kur dikush do të donte që t’i rendiste, ato tepër e më tepër do ta mbysnin dhe do ta lodhnin shpirtin.

          Ashtu si njerëzit që hyjnë e dalin nga një shtëpi, po ashtu edhe mendimet që burojnë prej të ligut, do të vijnë edhe do të shkojnë përsëri, nëse ti nuk i pranon ato.
          Nëse një mendim i brendshëm të thotë të vjedhësh dhe ti rri e dëgjon atë, duke e dëgjuar, ti i jep të ligut pushtet mbi ty. Nëse një zë të pëshpërit të hash shumë, dhe ti ha e ha, përsëri një demon ka marrë pushtet mbi ty. Në të njëjtën mënyrë, nëse ti i lejon sugjerimet e çdo pasioni të zënë vend te ti, ti do të bëhesh banesa e demonëve. Por, nëse ti pendohesh si duhet, shpirtrat e këqij do të dridhen dhe do të detyrohen të largohen prej teje.

          Njeriu shpirtëror mediton ditë edhe natë mbi ligjin e Zotit dhe në lutje ngrihet lart drejt Perëndisë; ndërsa mendja e njeriut indifferent është e lidhur me tokën, ose e angazhuar me mendime të kota. Shpirti i njeriut shpirtëror kënaqet në paqe, ndërsa shpirti i tjetrit mbetet i zbrazët dhe i shqetësuar. Ashtu si shqiponja, njeriu shpirtëror fluturon në lartësi, me shpirtin e tij e ndjen Perëndinë dhe e vështron tërë botën, ndonëse po lutet në errësirën e natës; ndërsa shpirti i njeriut që nuk është shpirtëror, kënaqet në mburrjet ose pasuritë, ose kërkon kënaqësitë e mishit. Dhe kur njeriu shpirtëror takon të kundërtin e tij, biseda e tyre është e lodhshme dhe e rëndë për të dy ata.

 

1 comment: