Kjo është fitorja që e mundi botën; besimi ynë - E Diela e gjashtë pas Pashkës


E diela e gjashtë pas Pashkës është quajtur “e Diela e të Verbrit”, dëgjojmë në Liturgjinë Hyjnore Ungjillin për shërimin e të verbrit (Joani 9:1-38).
Këtu kemi një temë teologjike dhe liturgjike të dritës, e cila është kaq karakteristike në shpirtin orthodhoks. Veçanërisht këtu është një kujtesë e lidhjes ndërmjet Ngjalljes së Krishtit dhe dritës që ai rrezaton në ndërgjegjet tona. Drita e Krishtit është një temë esenciale e Pashkës. Është pra, kjo temë që zhvillohet këtë të Dielë, kur shërimi i njeriut të verbër është i lidhur ose të çon nga verbëria te shërimi ynë. Në Liturgjinë Hyjnore ne dëgjojmë engjëllin e shërimit të të verbrit (Joani 9:1-38). Jisui takon një njeri i cili kishte lindur i verbër. Pasi i përgatiti një përzierje balte dhe pështymë në sytë e tij, pastaj Jisui e dërgon atë të lahet në pellgun e Siloamit. Njeriu merr dritën e tij dhe bëhet objekt kurioziteti dhe i pyetjeve djallëzore nga farisenjtë. Megjithëse, sa më shumë ata e deklarojnë Jisuin mëkatar, aq më shumë proteston njeriu se një mëkatar nuk mund t’i japë dritë një njeriu të verbër. Përjashto farisenjtë, burri që qe i verbër u gjet nga Jisui (nuk ishte ai që gjeti Jisuin, por Jisui që gjeti atë dhe kjo ka një kuptim të madh). Jisui e pyeti atë nëse ai besonte në Birin e Pernëdisë. “Kur është ai Zot, që nuk mund të besoj në të?” Jisui iu përgjigj: “Ti e ke parë atë dhe është ai që po të flet ty”. (Kujtojmë fjalët shumë të thjeshta që Jisui i tha edhe gruas samaritane): “Dhe ai i tha: “Zot, unë besoj”.
Është e qartë që verbëria fizike duke qenë një kujdes imediat i Krishtit, këtu simbolizon verbërinë shpirtërore, nga e cila Jisui na shpëtoi. Thënia më kuptimplotë në episodin e Ungjillit na jepet nga antifoni që këndojmë këtë të diel:

“Krisht, Perëndia ynë, Diell mendor drejtësie, Ti që ndrite shpirtin dhe trupin e atij që lindi i verbër me prekjen e dorës sate të panjollshme, ndrit edhe sytë e shpirtrave tanë, tregona bij drite që të të thërresim me besim: “Mëshira jote për ne është e shumtë dhe e patreguar. Njeridashës, lavdi më Ty”.


Verbëria fizike këtu paraqet verbërinë shpirtërore nga e cila thërresim Krishtin të na shpëtojë. Në Ungjill shërimi nuk mund të jetë i ndarë nga dëshira e mirë, sinqeriteti dhe besimi i vetë të verbrit. Ai i tha Krishtit: “Zot, besoj” dhe ai e adhuroi atë.
Në vendin e Letrave të Apostujve, në Liturgji leximi bëhet nga Libri i Veprave (16:16-34) dhe tregon për Pavlin dhe Sillën që shëruan një vajzë të vogël dhe u futën në burg. Kur të burgosurit pyetën: “Zotëri, çfarë duhet të bëj që të shpëtoj?” morën përgjigjen: “Beso në Zotin Jisu Krisht”. Pavli tha një akt besimi jo me fjalë, por me personin e Jisuit. Është njësoj me ne.
Përpara se të shpjegojmë të gjitha konsekuencat intelektuale të besimit tonë më Krishti, mbi të gjitha, duhet të besojmë në Jisu Krishtin si Perëndi.
Të mos e humbasim shkallën e krahasimit ndërmjet veprimit të besimit propozuar nga Pavli te të burgosurit dhe asaj që kërkoi vetë Jisui në Ungjillin e sotëm, nga njeriu i verbër që u shërua prej Tij.


1-      Veprat e Perëndisë dhe të Njeriut
Zoti pa me dhembshuri dhe dashuri të lindurin e verbër. Nxënësit e tij e pyesin se kush është përgjegjës: mëkatet e prindërve apo të tij që lindi i verbër. Zakonisht ne shohim anën e jashtme të njeriut, ndërsa Krishti sheh thellësinë e ekzistencës sonë. “As ai, as prindërit e tij, por kjo ndodhi që tek ai të tregohen veprat e Perëndisë” (Joan 9:3). Por, kjo nuk do të thotë se i verbri nuk ishte mëkatar, por mbante me durim dhe stoicizëm dhimbjen dhe dëshpërimin e kësaj sëmundje të rëndë. Me një sjellje të tillë njeriu bëhet bashkëpunëtor në veprën e Pernëdisë që është shpëtimi i njerëzve. Zoti e duroi pa u ankuar dhimbjen, padrejtësinë, urrejtjen dhe vdekjen e vullnetshme dhe, si përfundim, na tregoi dashurinë e Perëndisë në dritën e Ngjalljes së Tij.

Njeriu sot është shumë i ndjeshëm ndaj dhimbjes, dëshpërimit, padrejtësisë, pasionit, sëmundjes. Nuk duron as dhimbjen më të vogël tek vetja, prandaj dhe e lufton me një sasi të madhe ilaçesh qetësuese. Por, duhet që njeriu të kuptojë, që në vogëli, se dëshpërimet dhe vuajtjet nuk janë përfundim i vetëm i mëkatit, por është rruga që e drejton përsëri njeriun në kontaktin e dashurisë së Perëndisë.
Ne mundohemi të eleminojmë dëshpërimet dhe fatkeqësitë me ndërhyrje të ndryshme të jashtme, por atëherë jo vetëm që nuk realizojmë diçka të mirë, por shtojmë dhe zgjasim qorrsokakun e jetës sonë. Por, kur dikush mëson të durojë vështirësitë e jetës kjo do të thotë se vendos mbi të gjitha dashurinë e Pernëdisë. Është e vetmja forcë e kapërcimit të dëshpërimeve dhe provave.




1-      Mrekullia e shërimit
I verbri, me durimin që kishte, u përgatit që të pranonte mrekullinë e Krishtit. Zoti përdor përshtymë dhe baltë, “për të mësuar se nga goja e tij erdhi fuqi – thotë i hyjshmi Gojart”.
Me këtë Zoti zbuloi se është Perëndia që krijoi të Parëkrijuarit. Ai e dërgon të verbrin në kolimvithrën e Siolamit, që do të thotë i dërguar, që të duket besimi dhe bindja e të verbrit. Hiri i Krishtit bën mrekullinë, por bashkëpunimi i njeriut është i rëndësishëm, sepse tregon se dëshira e njeriut shërohet nga plagosja e mëkatit. Zakonisht kolimvithra e Siloamit përfaqëson kolimvithrën e Pagëzimit të shenjtë, që na bën pjesë të gjallë të Trupit të Krishtit (Kishës).


Pohimi i të verbrit
I verbri brenda nga vajtimi dhe dëshpërimi i verbërisë së tij, kishte dashur Krishtin me gjithë shpirtin e tij. Gjeti shumë pengesa dhe vështirësi të pakalueshme nga armiqtë e Krishtit, por ai pohoi dashurinë e tij tek Krishti. Nuk i llogarit pasojat që mund ta dëbonin, madje, edhe nga sinagoga.
Shërimi mrekullues i gjithë ekzistencës së tij u bë se kishte mbërritur në shkallë përsosmërie komunikimi dhe bashkimi me Zotin Hyjnjeri, prandaj u bë i denjë të pranonte zbulimin më të lartë. Krishti iu zbulua me mënyra personale se ishte Mesia, Biri i Perëndisë. “Unë jam ai që të flas ty”.
Kulmi i kësaj peripecie është rrënjosja e besimit te Krishti. Më e madhe se mrekullia e shërimit të verbimit ishte mrekullia e lindjes së besimit në zemrën e tij, sepse ai është virtyti më i madh që mund të dëshirojë  dhë të fitojë njeriu. Në vazhdim do të studiojmë se si e shikon këtë temë serioze të besimit Ungjillori Joan në një pjesë tjetër të Ungjillit.
I drejtuar me letrën e tij të parë tek gjithë besimtarët i siguron se fuqia e vetme që mund të pushtojë botën është besimi se Jisu Krishti është Biri i Perëndisë. Ai thotë: “Kjo është fitorja që e mundi botën; besimi ynë. Cili është ai që mund botën veçse ai që beson se Jisu Krishti është Bir i Perëndisë?”(Joani 5:4-5).




3.      Besimi nuk është vetëm teori, ai tregoi edhe fitimtarë.
Në këtë moment del një pyetje serioze. Të gjitha këto që thamë për fuqinë e besimit janë vetëm fjalë edhe teori apo një realitet, janë treguar me besimin fitimtar? Ç’thotë historia e Krishtërimit për këtë çështje?
 Do të mundeheshim të flisnim për orë të tëra për arritjet e shenjtorëve nëpër shekuj. Së pari, apostujt që sollën mesazhin e besimit në gjithë botën. Pastaj martirët dhe heronjtë e besimit, i përmendëm edhe më sipër, para të cilëve qëndron me respekt gjithë njerëzimi. Heronj dhe martirë jo vetëm të kohës së vjetër, por deri më sot, në ditët tona, veçanërisht në ato vende ku zotëroi deri vonë sistemi ateist. Fitimtarët më të rëndësishëm të besimit janë shenjtorët, asketët dhe besimtarët e thjeshtë të krishterë, që mundën veten, pasionet dhe ligësitë e tyre. Janë, gjithashtu, fitimtarë të besimit të gjithë ata fëmijë që mundin ironitë e bashkënxënësve, tërheqjen e “jetës së ëmbël”, ngasjet e shumta e të ndryshme e mbeten të qëndrueshme e pohojnë me guxim besimin tek Krishti, mbeten në këmbë me gjithë goditjet që marrin. Do t’ju lexoj një pjesë të mrekullueshme të apostull Pavlit, që përshkruan, me një mënyrë mahnitëse, arritjet e heronjve të besimit të epokës së tij, por edhe të gjithë epokave. Dëgjojeni me kujdes pjesën. Është pjesë nga Letra dërguar Hebrenjve (11:33-40 dhe 12:1).

“E ç’të them më? Sepse nuk do të më dilte koha po të tregoja për Gedeonin, për Barokun dhe Samsonin dhe Jeftain, për Davidin dhe Samuelin dhe për profetët, të cilët me anën e besimit nënshtruan mbretëri, vunë në veprim drejtësinë, fituan premtimet, mbyllën gojët e luanëve shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, u shëruan nga sëmundjet, u bënë të fortë në luftë shpartalluan ushtri të huaja. Gratë i fituan me anë të ngjalljes të vdekurit e tyre; dhe të tjerë u martirizuan duke mos pritur shpëtimin e tyre që të merrnin një ngjallje të mirë. Të tjerë pësuan tallje e fshikullime, po edhe pranga e burgim. U vranë me gurë, u prenë me sharrë, u nganë, u vranë me thikë; shkonin kudo të veshur me lëkura dhensh e lëkura dhish; të skamur, të munduar, të keqtrajtuar, - për të cilët bota nuk ishte e denjë, - bredhacakë nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.

Dhe të gjithë këta, megjithëse morën dëshmi të mirë për besimin e tyre, nuk e morën premtimin se Perëndia kishte parasysh për ne diçka më të mrië, që ata të mos arrijnë përsosmëri pa ne.
Prandaj edhe ne, të rrethuar nga një re kaq e madh dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë e mëkat që na pushton aq lehtësisht, dhe le të vrapojmë me durim në betejën që është para nesh”.

Kjo pjesë që lexuam, siç e dini është frymëzuar nga Perëndia, siç janë gjithë pjesët e Shkrimit të Shenjtë, prandaj është e vërtetë. Cili është mesazhi bazë që na jep kjo pjesë?
Aq fuqi të tillë jep besimi te njeriu sa mund t’i durojë të gjitha dhe, madje, me gëzim. ne që kemi para nesh shembuj të tillë nuk duhet të tërhiqemi nga asgjë.

4.      Është e nevojshme ta krijojmë e ta fuqizojmë besimin
a.  Si do ta krijojmë?
     Problemi i madh nuk është fuqia e besimit, kjo është fakt, problemi është se si që tani, nga mosha rinore, nga adoleshenca, do të mundemi të futim këtë besim të madh dhe të fuqishëm, që na tregon fitimtar? Ç’thoni, me ç’mënyrë mundemi, në fillim ta krijojmë besimin?

A luan ndonjë rol fjala e Perëndisë në krijimin e besimit? Gjëja më e rëndësishme për të krijuar besimin është të dëgjojmë fjalën e Perëndisë që në moshën e vogël. Apostull Pavli thotë se nxënësi i tij, i riu Timothe, “i dinte Shkrimet e Shenjta që kur ishte foshnjë”. Ne i kemi këto mundësi, për të dëgjuar fjalën e Perëndisë, që të vegjël?

 Kisha, familja, katekizmi, grupe, libra dhe revista fetare. A mjafton që vetëm ta dëgjojmë fjalën e Perëndisë?
 Natyrisht jo. Duhet që besimi ynë të ripërtërihet në përpjekjen e përditshme për zbatimin e fjalës së Perëndisë. Kjo ka rëndësi të madhe. Besimi ynë merr fuqi të jashtëzakonshme kur mobilizohet gjithë vetja jonë, gjithë fuqitë e shpirtit tonë, që të bëjmë çdo çast detyrën që na frymëzon e vërteta e Perëndisë.

b.        Si do ta fuqizojmë besimin?
     Që ta krijosh besimin është e rëndësishme, por më e rëndësishme është ta mbash e ta fuqizosh. Pra, si mundemi ta fuqizojmë besimin? Fuqizimi i besimit tonë nuk është asgjë më shumë ose më pak nga përpjekja e përditshme për të jetuar me vullnetin e Perëndisë. Natyrisht kjo nuk mund të bëhet nga njëra ditë tek tjetra. Është vepër e gjithë jetës sonë. Duhet durim, këmbëngulje, dëshirë për t’u përpjekur dhe vendosmëri. Përpjekje pa ndërprerje, pa spraspje, pa marrëveshje, pa shtyrje, pa pesimizëm. Duhet të dimë se fitoret e vogla të përditshme na çojnë tek fitorja e madhe. A mund të përmendni disa fitore të tilla të vogla të përditshme?
Disa fitore të tilla të përditshme janë predispozicioni i mirë që t’u shërbesh të tjerëve duke buzëqeshur. Dashuria e sinqertë, fjalë e mirë që do t’i themi tjetrit, inkurajimi që i japim tjetrit e të tjera. Të gjitha këto, kur bëhen në emër të Krishtit, e fuqizojnë besimin në mënyrë të paimagjinueshme.
Ç’tjetër gjë mund ta fuqizojë besimin tonë? Jeta e martirëve luan ndonjë rol në të? Studimi i jetës së shenjtorëve, të martirëve dhe heronjve të Kishës sonë. Këta janë vëllezërit e mëdhenj, që me besimin e tyre u treguan fitimtarë. Janë modelet dhe shembujt tanë. Luftuan dhe fituan. Fituan betejën e shkëlqyer dhe të vetme, siç përmendëm më sipër. Kur studiojnë jetën e tyre, atje do të mësojmë si e krijuan besimin, si e forcuan, si u sollën në rrethanat e vështira, si i mundën ngasjet, si mbetën të qëndrueshëm dhe të palëkundur dhe si i arritën të gjitha bëmat e mëdha të besimit, për të cilat i admirojmë. Pra, studimi i jetëve të shenjtorëve është i domosdoshëm. Ç’gjë tjetër mund ta fuqizojë besimin?

a)      Lutja jonë e nxehtë te Zoti, që të ndezë brenda nesh flakën e besimit, ta shtojë dhe ta bëjë të qëndrueshëm. Kërkesa jonë e përditshme duhet të jetë: “Zot, fuqizo besimin tonë të pakët”.
b)     Bashkëudhëtar në betejën e të krishterëve. Kur ecim të bashkuar dhe të dashur në këtë betejë, kur dimë se edhe shumë fëmijë të tjerë, si ne ecin së bashku edhe me shumë të rritur, në të njëjtën betejë të besimit, kjo është shumë e rëndësishme.

Mbyllje  
Gjëja që duhet theksuar në mbyllje është se të gjithë ne, me fuqinë e besimit, jemi tashmë fëtimtarë. Bashkë me Krishtin kemi mundur mëkatin dhe botën e së keqes. Këtë duhet ta dimë mirë të gjithë ne, besimtarët e krishterë, që të mos hutohemi, të mos druhemi, të mos rrëzohemi kur ndodhemi para vështirësish, kur shohim fuqinë e së keqes që qëndron para nesh e na kërcënon. Edhe kur i ndjejmë fuqitë tona të pakta, të mos druhemi dhe të mos mposhtemi. Mos u frikësoni. Historia na thërret: “Me besimin do të jemi kurdoherë fitimtarë. Shkrimi i Shenjtë na bind. Ky është besimi që fiton botën, besimi ynë”. Le ta mbajmë kurdoherë të gjallë në kujtesën tonë këtë himn të fitores për të rimëkëmbur besimin tonë, për t’i dhënë krahë luftës sonë, për të na treguar përherë “me besimin fitimtarë”.


 Nga Libri: Viti Liturgjikal



No comments:

Post a Comment