Udhëtim për pritjen Shpëtimtarit të botës
Kur flasim për kreshmën themi që qëllimi i saj është për të kapërcyer rënien. Përmbajtja e saj është një çështje reale në këtë udhëtim që kemi filluar. Shpesh me zakonet tona kreshma merr një kuptim folklorik dhe kthehet në një dok. Ndërsa Kisha i jep një rëndësi të veçantë dhe e ndan gjithë vitin në periudha kreshmimi. Gjithë diskutimet e viteve të fundit kanë pasur si rezultat ditët e kreshmës dhe përmbajtjen e saj. Vetë kreshma e së mërkurës dhe të premtes vjen që në shekujt e parë. Kisha tha se në këto dy ditë të javës duhej të kreshmohej. Sipas traditës të mërkurën u tradhtua Zoti, kurse të premten u ngjit në kalvar për t’u kryqëzuar.
Kisha dëshironte që të gjithë të ndodheshim në momentin e ardhjes së Krishtit. Pasi pritja e Krishtit është një ngjarje që ka të bëjë me të gjithë, kështu edhe Kisha do që të na mbledhë të gjithëve bashkë, sepse na ka thirrur të gjithëve për të na çuar në të njëjtën perspektivë, në atë të takimit me Perëndinë.
Ne përballemi me shpëtimin tonë në mënyrë personale, ndërsa problemi i rënies është i përgjithshëm dhe kjo i takon gjithë gjinisë njerëzore. Prandaj, Kisha dëshiron që në mënyrë të përgjithshme të kalojmë ngjarjen e rënies.
Për sa i përket përmbajtjes së kreshmës lidhet me dy ngjarje historike. E para i përket Dhiatës së Vjetër, ndërsa e dyta lidhet me Dhiatën e Re. Njëra i përket Adamit, dhe tjetra Krishtit. Etërit e Kishës donin të lidhnin ngjarjen e rënies, por edhe kalimin e saj me kreshmën. Adami humbi parajsën për shkak të ngrënies. Nga ana tjetër Krishti, kur ngacmohet nga djalli, mohoi të hajë dhe fitoi mbi vdekjen. Në këtë koorelacion fillon themelimi i kreshmës. Adami nga një gabim ose moskuptim, hëngri nga pema dhe vdiq, ndërsa Krishti si erdhi në botë me synimin për të mundur vdekjen, shkon në shkretëtirë dhe kreshmon për dyzet ditë. Prandaj edhe ne ndjekim të njëjtën rrugë.
Vet Ai na mëson qartë lidhjen e njeriut me ushqimin, kur tha: “njeriu nuk rron vetëm me bukë”, sepse e dinte se nuk ishte ushqimi i përditshëm i cili do të na bënte të jetonim ose jo, por jeta gjendej diku tjetër, në marrëdhënien e njeriut me Perëndinë. Përgjatë kreshmës Kisha nuk na rekomandon të bëjmë grevë urie, por na këshillon se lidhja jonë me jetën gjendet në kërkim të Perëndisë.
Ajo që duhet të jetë kryesorja është që të mos lejojmë pasionet dhe dobësitë tona të përcaktojnë jetën dhe rrugën tonë dhe pasi t’i kapërcejmë të ecim drejt takimit me personin që na mungon, i cili nuk është askush tjetër veçse Jisu Krishti.
Siç e thamë edhe më sipër, kjo kreshmë na përgatit në mënyrë të veçantë për pritjen e ardhjes së Krishtit. Ardhja e Krishtit ishte pritja e gjatë për mbërritjen e Mesias, të Vajosurit, të Shpëtimtarit të botës. E gjithë Dhiata e Vjetër i referohet kësaj dite. Të gjithë profetët, burrat e drejtë dhe gratë e vjetra pritën për këtë moment në histori.
Profeti i drejtë Simeon kur pa foshnjën Jisu që sapo kishte lindur tha:
“Tani, përlëshoje shërbëtorin tënd, o Zot sipas fjalës sate,
se sytë e mi panë shpëtimin tënd të cilin ti e përgatite faqe gjithë popujve,
dritë për shpëtimin e paganëve dhe për lavdi të popullit tënd Izrael”.
Perëndia vjen te ne! Megjithëse njerëzimi shpeshherë e mohon Perëndinë, dhe largohet nga rruga e tij, Perëndia ka mëshirë dhe i vjen keq për ne. Meqenëse ne nuk mund të shkonim tek Ai, sepse mëkati dhe vdekja na bllokuan rrugën, Ai vendosi që të vijë vetë te ne!
Jisu Krishti lind në një shpellë të vogël në Bethlehem dhe ndryshon rrjedhën e botës. Megjithatë, ne besimtarët duhet të kujtojmë se Krishti NUK erdhi në botë vetëm 2012 vjet më parë. Ai vjen edhe sot dhe kërkon sërish të lindë në zemrën e çdo personi në tokë. Me kreshmë, lutje, studim të Shkrimit të Shenjtë, pjesëmarrjes në Misteret e Shenjta, virtyte dhe vepra bamirësie le të përgatitim zemrën tonë për pranimin e Shpëtimtarit dhe dhuruesit të jetës.
No comments:
Post a Comment