Sot te Qendra studentore u zhvillua takimi studentor, i cili u drejtua nga Atë Justini. Ai shpjegoi fillimisht shërbesën e Himnit Akathist dhe më pas disa ikona mrekullibërëse të së Tërëshenjtës, një prej të cilave do ta shkruajmë edhe këtu.
Në manastirin e Ivironëve në Malin e Shenjtë, gjendet ikona e shenjtë Portaitisa (që rri te porta) e cila sipas traditës është vepër e Ungjillor Lukai, krenaria e Malit të Shenjtë dhe mbarë Orthodhoksisë. Ikona ka përmasa me gjatësi 137 cm dhe gjerësi 94 cm dhe peshe 96 kg, dhe me pamjen e hirshme të zonjës Hyjlindëse.
Kjo ikonë ishte pronë e një vejushe shpresëtare nga Nikea, e cila mbante para ikonës një kandil të pashuar. Kur ushtarët ikonoklastë (shkatërruesit e ikonave) e zbuluan, vejusha e mençur, duke u premtuar lekë, bëri që ata t’ia linin ikonën edhe një ditë. Ajo së bashku me ndihmën e djalit të saj e hodhi ikonën natën në det. Ikona menjëherë u ngrit në këmbë dhe lundronte drejt Greqisë. Biri i vejushës që të mos e arrestojnë shkoi në Selanik dhe pastaj në Malin e Shenjtë. Askush nuk e dinte se ku ishte ikona për 170 vjet, nga viti 829 që ra në det deri në 1004 kur u shfaq në manastirin e Ivironëve.
Ndërsa jerontët e moshuar e të shenjtë po bisedonin për shpëtimin e shpirtit, menjëherë shikojnë brenda në det një ndriçim që vinte nga qielli drejt e në det si një tufë zjarri, dhe ikona ndodhej në mes të tufës së zjarrit. Murgjërit admironin kur shikonin edhe natën një ndriçim si dielli. U mblodhën të gjithë dhe me varka shkuan drejt vendit të çuditshëm. Mundën vetëm të kuptonin që ajo ishte një ikonë e Hyjlindëses, sepse sa më shumë afroheshin ata, ajo largohej. Kështu etërit u mblodhën në kishë dhe i luteshin nxehtësisht Zotit të gjithëmirë t’i lejonte të merrnin ikonën e shenjtë. Me të vërtetë Perëndia dëgjoi lutjen e tyre dhe iu përgjegj me historinë e mëposhtme:
Jashtë manastirit asketizonte një murg i quajtur Gabriel nga Iviria (Gjeorgjia e sotme) ishte i thjeshtë dhe eremit dhe pa ndërprerje thoshte: “ O Zot, Jisu Krisht mëshiromë mua mëktarin, dhe o Perëndi pastromë mua mëkatarin”.
Ushqimi i tij ishin barishtet e malit dhe pija e tij uji. Dhe ditë e natë studionte Ligjin e Zotit, me një fjalë ishte engjëll tokësor dhe njeri qiellor. Ndërkohë që lutej i erdhi gjumë, mbylli sytë dhe shikon Hyjlindësen e shenjtë plot ndriçim e cila i thotë: “Shko në manastirin tënd dhe i thuaj igumenit që erdha t’ju jap ikonën time; pastaj ec në det që të njohin të gjithë dashurinë dhe providencën që kam për manastirin tuaj”. Sa i tha këto Hyjlindësja humbi nga sytë e Gabrielit pastaj ai shkoi në manastir dhe me bujë u thotë lajmin duke himnuar të Tërëshenjtën.
Jerond Gabrieli eci pak në det dhe menjëherë ikona erdhi në krahët e tij. Etërit me shumë shpresëtari e pritën ikonën dhe bënë agripni e lutje të gjata për tre ditë e netë që të falëndërojnë Perëndinë e Hyjlinësen. Provizorisht e vunë tek hyrja e manastirit dhe më vonë vendosen ta vënë brenda kishës së manastirit. Por ajo ikte nga vendi i saj dhe qëndronte sipër hyrjes së manastirit. Kjo u përsërit për shumë herë derisa Hyjlindësja iu shfaq përsëri jerondit Gabriel dhe i thotë: I thuaj igumenit që të mos më shqetësoni më, sepse nuk erdha në manastir që të më ruani ju, po erdha që të jem unë ushtar dhe mbrojtësi juaj në këtë dhe atë jetë. Dhe të gjitha ata që do të jetojnë me shprësëtari dhe frikë Perëndie dhe nuk do të lënë pas dore fitimin e virtyteve dhe do të mbarojnë jetën e përkohshme në këtë vend, le të kenë guxim dhe të mos kenë frikë nga ferri, sepse këtë nder e kërkova nga Perëndia dhe Biri im dhe e mora. Si konfirmin të fjalëve të mia ju jap këtë vend dhe sa të shikoni ikonën time në manastirin tuaj nuk do mungojë nga ky mal hiri dhe mëshira e Birit dhe Perëndisë.
Kur i dëgjoi këtë atë Gabrieli shkoi me nxitim në manastir dhe i tha igumenit i cili u gëzua shumë. Mblodhi vëllazërinë dhe dha urdhër të ndërtohej në hyrje të manastirit një paraklis i veçantë për mbrojtësen e manastirit. Është e panumërt moria e njerëzve që vijnë për të nderuar ikonën, sidomos në 15 gusht dhe të hënën e ndritshme që nderohet dhe festohet kujtimi i gjetejes së ikonës. Festimi bëhet në paraklisin dhe vendin nga ku e nxori nga vendi Shën Gabrieli. Që në atë kohë janë bërë shumë mrekulli, shërohen të demonizuar, të çalë të verbër dhe shumë të sëmurë të tjerë.
Gjatë asaj kohe Mali i Shenjtë u sulmua nga piratët dhe disa nga ata arritën të hynin në manastir. Një nga piratët guxoi të shponte ikonën e shën Marisë në nofull nga e cila rrodhën dy pika gjak, të cilat gjenden deri më sot. Thuhet që pirati u bë murg. Kjo është një nga të vetemet ikona që nuk del nga Mali i Shenjtë.
No comments:
Post a Comment