Në Kishën Orthodhokse qiriu është shprehje e ofertës personale drejtuar Perëndisë ose shenjtorëve të Kishës. Ai ndizet si shenjë nderimi drejtuar Perëndisë e shenjtorëve, si shfaqje e gëzimit dhe e hidhërimit shpirtëror, simbolizëm i gëzimit dhe fitores së Kishës, si shprehje dhe fuqizim i lutjes sonë. Qiriu lidhet vazhdimisht me simbolizmin e dritës. Kështu ai bëhet edhe tregues i shpresëtarisë së besimtarëve.
Ai ndizet para ikonës së Krishtit, Virgjëreshës Mari ose shenjtorëve si dhe para ikonës së shenjtorit, emrin e të cilit mban kisha.
Pranë tyre (në narteks [në hyrje të kishës], në ikonambajtës, në ikonastas) zakonisht vendosen qirimbajtëse për të mbajtur qirinjtë ofrues të besimtarëve që hyjnë në tempullin e krishterë.
Kur i ndezim me shumë shpresëtari, duke u lutur, mund të themi:
“O Krishti im, Ti je drita e botës. Ndihmomë që jeta ime të shkrijë nga dashuria për të afërmin tim dhe të ndriçojë si dritë e përulur e këtij qiriri”.
Ashtu si qiriri shkrin dhe njëkohësisht ndriçon, kështu edhe ne brenda tempullit dhe sidomos jashtë tij duhet të “shkrijmë”, duke u ofruar për të afërmin dhe ta ndriçojmë për hir të dashurisë së Krishtit.
Ndezim qiri si për shpëtimin e shpirtrave tanë (të gjallëve), ashtu edhe të atyre që kanë ndërruar jetë (ata që duam të kujtojmë).
Nga historia e jetës adhuruese kishtare njihemi se qirinjtë përdoren edhe për të ndriçuar ambientin adhurues dhe objektet brenda tij.
Mbajtëset e qirinjve (shandanët) kanë larmi në madhësi e në simbolizma: dy qirinjsh (2 natyrat e Krishtit), tre qirinjsh (3 personat e Trinisë së Shenjtë), shtatë qirinjsh (7 dhuratat [fryti] e Shpirtit të Shenjtë) apo dymbëdhjetë qirinjsh (12 apostujt).
Në raste të veçanta të adhurimit të krishterë disa prej këtyre qirimbajtëseve përdoren si mjet bekimi drejtuar popullit, si p.sh. episkopi kur shërben në ndonjë shërbesë adhurimi.
Qirinj të ndezur mbahen si nga klerikët ashtu edhe nga besimtarët, gjatë mistereve dhe shërbesave si: pagëzimi, martesa, varrimi, përkujtimorja, procesioni Epitafit të Premtes së Madhe dhe Ngjalljes të së Dielës së Pashkës etj. dhe shërbesa të tjera për të mirën e personave të caktuar ose në përgjigje të rrethanave komunitare.
Le të përmendim së fundi nga shën Nikodhim Agjioriti, përse ndezim qiri në kishë:
- Për lavdinë e Perëndisë, i Cili është drita e vetme e vërtetë që ndriçon çdo njeri.
- Për zhdukjen e errësirës së natës dhe për ngushëllimin tonë nga frika e errësirës.
- Që të tregojmë se kemi gëzim në shpirtin tonë.
- Që të nderojmë shenjtorët dhe martirët e besimit tonë, duke imituar kështu të krishterët e hershëm që ndiznin qirinj mbi varrin e martirëve.
- Veprat tona të mira, ashtu siç tha Zoti: “kështu le të ndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin e tyre që është në qiejt”.
- Që të falen mëkatet e atyre që ndezin qirinj dhe të atyre për të cilët i ndezin.
Është e qartë se çdo simbolizëm që përmendëm apo dhe të tjera që mund të përmendnim konsiston se duke ndezur qiri duhet të kujtojmë se duhet të jetojmë me Jisu Krishtin, që është Drita e botës.
No comments:
Post a Comment