Përgatite grazhdin e zemrës sate për ardhjen Krishtit

ARDHJA: Përgatitje për Lindjen e Krishtit

Ardhja është periudha 40 ditëshe para Krishtlindjes, e cila i është përkushtuar përgatitjes për ardhjen e Mesias. Ajo fillon me 15 Nëntor (sipas kalendarit Gregorian) dhe zgjat deri më 25 Dhjetor. Kjo është periudhë kreshme, lutjeje, lexim i Shkrimit të Shenjtë, ndjekje e shërbesave kishtare dhe përgatitje për Misteret, në mënyrë që të na bëjë të aftë të përftojmë kuptimin e plotë të ardhjes së Krishtit.

Përdorimi i një kuroreje me lule është një  mënyrë shumë efektive e festimit të Ardhjes në shtëpi. Dikush mund të fillojë duke blerë një kurorë lulesh në të cilën duhet të ketë hapësirë për shtatë qirinj (një për ҫdo javë të ardhjes). Midis qirinjve mund të vendosen degë jeshile që jetojnë gjatë. Ngjyrat e qirinjve duhet të jenë e gjelbër, blu, e verdhë, e bardhë, e kuqe dhe lejla. Nëse është e vështirë të gjejmë qirinj me ngjyra, mund të përdorim qirinj të bardhë duke u lidhur atyre fjongo me ngjyrat e sipërpërmendura.

Pasi të mblidhen lulet, prindërit do të shpjegojnë simbolikën e ҫdo pjese. Rrethi/Kurora (i/e luleve) është simbol i krishterë që Perëndia është i përjetshëm. Degët e gjelbëra simbolizojnë jetën e përjetshme, ose jetën me Perëndisë, në të cilën Krishti erdhi të na bëjë pjesëmarrës. Qirinjtë përfaqësojnë Krishtin, i Cili është drita e Botës. Ngjyrat e ҫdo qiriu shprehin diҫka specifike e cila do të diskutohet ҫdo javë të Ardhjes, ndërsa hapet festimi familjar. Qiriu i çdo jave mund të ndizet nga një pjesëtar i ndryshëm i familjes.

E diela e parë e Ardhjes
Marrim qiriun e gjelbër që tregon besimin.
Shërbesa fillon me ndezjen e qiriut të parë nga një pjesëtar i familjes. Pasi bëhet kjo, babai i familjes fillon shërbesën duke thënë:

Babai:              Qiriu i parë na kujton besimin; besimin që kemi te Perëndia, i cili do të mbajë premtimin e dërgimit të Birit të Tij.

Vargu:             (Të thuhet nga një pjesëtar i familjes)
                        Ne ndezim tani qiriun e Ardhjes,
                        që të shfaqë ardhjen e Dritës, Dritës që është dhënë prej së larti,    
                        e cila shpejton të largojë shikimin tonë të errët.

Shkrimi i Shenjtë:      Profecia e Isaias 9:2; 6-7; 40:3-5; 52:7

Tropari :          Bethlehem përgatitu, le të stoliset grazhdi. Shpella le të presë, erdhi e vërteta, hija shkoi dhe Perëndia u shfaq prej Virgjëreshës te njerëzit duke marrë formën tonë për ta hyjnizuar, prandaj Adami me Evën përtëritet duke thirrur: U duk mbi dhé mirëdashja, për të shpëtuar gjindjen tonë. 

Këngë:             Virgjëresha sot po vjen
                        Virgjëresha sot po vjen, në Betlehem për të lindur,
                        Fjalën e përjetëshme, brenda në shpellë së fshehti.
                        Vallëzo, e tërë bota duke dëgjuar;
lavdëro, bashkë me engjëjt e me barinjtë,
Perëndinë e amëshuar që desh të shfaqet si djal’i ri përmbi dhé.

Lutje:  I dashur Perëndi, ashtu si bota që ishte në errësirë po priste ardhjen Tënde, kështu edhe ne në këtë të diel të parë të Ardhjes, ndezim qiriun e pritjes sonë. Ne, me shumë padurim, dëshirojmë Ardhjen Tënde në shpirtin tonë që të largojmë errësirën e mëkatit dhe të jetuarit në krenari, të ndezim brenda nesh flakën e dashurisë dhe të shërbimit ndaj njerëzve me të cilët jetojmë. Amin. 

Diskutim:  Perëndia e mbajti premtimin e Tij, e dërgoi Mesian. Cilat janë premtimet e tjera që bëri Perëndia? A i mbajti Ai ato premtime? A mund të emërtoni disa prej tyre?

E diela e dytë e Ardhjes
Marrin qiriun me ngjyrë blu që tregon shpresën.
Shërbesa fillon me ndezjen e dy qirinjve të parë nga një pjesëtar i familjes. Përsëritni çfarë tregon ngjyra e qiriut të parë.

Babai: Qiriu i dytë na kujton shpresën që kemi se Krishti do të vijë përsëri këtë vit për të sjellë gëzim të ri brenda jetës sonë.

Vargu: Tani që dritat e Ardhjes janë dy, le të shpejtojmë për të rinovuar zotimin tonë; të shtegtojmë mbi fusha dhe gurë për të gjetur Foshnjën dhe për t’u ndier në shtëpi.

Tropari: Ky është Perëndia ynë, s’ka tjetër veç atij që lindi prej Virgjëreshës dhe që kuvendoi me njerëzit. Në grazhd të varfër Biri i Vetëmlindur i shtrirë shikohet si njeri; dhe me shpërgënj mbështillet Zoti i lavdisë dhe Magët ylli i lajmëron që t’i falen; dhe ne po këndojmë; Trini e Shenjtë, shpëto shpirtet tona.

Shkrimi i Shenjtë:      Premtimi nga Llukai 1:5-31.

Këngë:            
SI GRAZHDI
Si grazhdi është zemra ime e përulur,
në Betlehem, në stallë përdhe.
Dashuri që të psalin qiejtë,
eja të lindësh brenda zemrës sime. (2x)

Të ndiej dua prapë gëzimin,
në forcën e tronditjes së besës.
Dhe poshtë në krahët e engjëjve,
të them dhe unë; Lavdi në më të lartat. (2x)

Dashuri që të përulen barinjtë,
brenda në zemrën time u kthyen prapë.
Me adhurim të thellë të ofroj
dhe sjell për TY livan edhe miro. (2x)

Lutje:  Eja, Zot, në botën tonë që ka pak gëzim. Na jep buzëqeshje në buzët tona dhe këngë në zemrën tonë, se kemi qenë të mërzitur për shumë kohë. Amin.

Diskutim: Krishti erdhi të sjellë gëzim dhe të plotësojë gëzimin tonë. Si e sjell Ai gëzimin sot në zemrën tonë? Pse duhet të jenë të gëzuar të krishterët? Cila është gjëja që ju ka bërë më shumë të gëzuar?

E diela e tretë e Ardhjes
Marrin qiriun me ngjyrë të artë që shpreh dashurinë.
Shërbesa fillon me ndezjen e tre qirinjve të parë nga një pjesëtar i familjes. Përsëritni çfarë tregojnë ngjyrat e dy qirinjve të parë.

Babai: Ndërsa ndezim qiriun e tretë, le të kujtojmë fjalët e shën Joanit që tha: “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të Vetëmlindur”.

Vargu: Tani që tre qirinjtë e Ardhjes digjen, le t’ju premtojnë zemrave në dhembje, të cilat kanë mall të perëndishëm, se Krishti po vjen të banojë tek ata.

Shkrimi i Shenjtë: Ungjillëzimi i Perëndilindëses. Llukai 1:26-38.

Tropari: Zot, dëgjova zërin tënd dhe u tremba; Zot kuptova veprat e tua dhe u çudita.
Me lindjen tënde, o Zot, ushtritë mendore mahniteshin duke parë me frikë misterin; se zgjodhe të miturohesh si foshnjë, Ti që stolise qiellin me yje; dhe në grazhd shtazësh je shtrirë, Ti që përmban në grusht gjithë anët e dheut; se me këtë ekonomi u njoh zemërdhembshuria jote, dhe përdëllimi yt, o Krisht; lavdi më ty.
  
KëngëEngjëjt duke fluturuar
Engjëjt duke fluturuar                   
Natën lart përmbi kët’ botë
Sonte shpallin shumë t’gëzuar
Lindjen e Jisuit Zot.

Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur,
Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur sot.

O dëgjoni ju barinj të thjeshtë
kët’ lajm prej engjëjve
Rron ndër ne sot Perëndia
Si një foshnjë plot hare.

Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur
Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur sot.

Sonte engjëjt prej së larti
V’rejn me frik’ edhe me shpresë
Zoti papandehurazi
Shpejt në tempull do të zbresë

Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur
Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur sot.

Lutje: Atë Qiellor, na ndihmo të kujtojmë dhuratën tënde të madhe për ne në këtë Krishtlindje, dhuratën e dashurisë Sate: Jisuin. Dashuria jote le të mbushë zemrën tonë në këtë Ardhje dhe na denjëso ta ndajmë me njerëzit në nevojë. Amin.

Diskutim: Flisni rreth jetës së shën Nikollës (e festuar më 6 dhjetor) i cili njihej për zemërgjerësinë e tij në shpërndarjen e dhuratave dhe parave te të varfërit. Ai preferonte të fshihte veten e tij dhe t’i shpërndante dhuratat e tij në errësirë në mënyrë që askush të mos e kuptonte se kush e kishte lënë këtë. Si mund ta ndjekim shembullin e Tij me anë të të dhënit të dhuratave te nevojtarët këtë Krishtlindje?


E diela e katërt e Ardhjes
Marrin qiriun e bardhë që tregon paqen.
Shërbesa fillon me ndezjen e katër qirinjve të parë nga një pjesëtar i familjes. Përsëritni kuptimin e tre qirinjve të parë.

Babai: Qiriu i katërt na kujton mesazhin e Engjëjve te Barinjtë: “Lavdi Perëndisë që është në më të lartat, edhe paqe mbi dhé, pëlqim ndër njerëzit”.

Vargu: Tani katër qirinjtë e Ardhjes po digjen.
Tani ne me Dijetarët kthehemi të kërkojmë Foshnjën, i Cili na sjell dritën, dhe dëshirojmë ta ndjekim Atë kudo që shkon, në diellin flakërues ose në natën e errët.

Shkrimi i Shenjtë: Udhëtimi për në Betlehem në Ungjillin sipas Llukës 2:1-18.

Tropari:  Ejani o besnikë, të lartësohemi me shenjtëri e të shikojmë hapur denjimin e perëndishëm që lartazi për ne në Betlehem; dhe si të pastrojmë mendjen, t’i blatojmë virtyte në vend të miros, duke gatitur besnikërisht mbi thesaret shpirtërore hyrjen e së kremtes së Lindjes, duke thirrur; Lavdi Perëndisë Triadike në më të lartat, me anën e të cilit u shfaq në njerëzit mirëdashja për të shpërblyer Adamin prej mallkimit stërgjyshëror si njeridashës.

KëngëQytet i vogël Bethlehem 
            Qytet i vogël Betlehem
            Sa shumë i heshtur je
            Yje të qetë ndriçojnë nga qiejt,
            Mbi ty gjersa ti fle.
            Në rrug’t e tua t’errta
            Një dritë e re u lind,
            Se shpresa e gjithë njerëzve
            Ka lindur sot tek ty.

            O yje të mëngjesit,
            T’këndojmë me ju dhe ne
            Lavdi në qiell atij që u sjell
            Pajtim gjithë njerëzve.
            U lind nga një Virgj’reshë
            K’të natë Zoti vet’
            Me çfarë habi këtë çudi
            E v’renin engjëjt krejt.

          O Djal’ i Shenjt’, o Djal’ Hyjnor,
          Zbrit posht’ në vatrën tonë.
          Çdo faj dëbo, çdo gjë ndrysho
          Që t’rrosh te ne gjithmon’.
          Me g’zim at’ lajm dëgjuam,
          Që engjëjt na kan’ sjell’
          Na u zbulo, te ne bano
          O Zot Emanuel.

Lutje: Krisht, Ti je paqja jonë. Ti shembe murin e ndarjes që na ndau nga Perëndia. Tani nuk ka më dënim për ata që janë në Krishtin. Na bëj pajtues dhe paqebërës. Amin.


Diskutim: A është dikush që është i mërzitur nga ne? A kemi diçka kundrejt ndonjërit? Cilat  marrëdhënie kanë nevojë për riparim në jetën tonë? Kë duhet të falim? Princi i Paqes po vjen. Përgatisni udhën. Falni dhe do të faleni.

E diela e pestë e Ardhjes
Marrim qiriun lejla që tregon pendimin.
Shërbesa fillon me ndezjen e pesë qirinjve nga një pjesëtar i familjes. Përsërisni kuptimin e katër qirinjve të parë, të besimit, shpresës, dashurisë dhe paqes.

Babai: Qiriu i pestë na kujton nevojën tonë për t’u penduar para se të festojmë Ardhjen e Krishtit (Krishtlindjen). “Pendohuni, sepse Mbretëria e Perëndisë është afër”.

Shkrimi i Shenjtë: Përgatitja e rrugës për ardhjen e Mesias nëpërmjet pendimit.
 (Mk. 1:1-8, 14 15).

Tropari:  Zot, dëgjova zërin tënd dhe u tremba; Zot kuptova veprat e tua dhe u çudita.
Dëgjo, o qiell dhe vër veshin, o dhé; le të tronditen themelet dhe ferri le të tmerrohet; se Perëndia dhe Ndërtonjësi hyri në natyrë mishi, dhe ai që ndërtoi krijesën me dorë të fuqishme, shikohet në kraharor të një gruaje; O thellësi pasurie, urtësie dhe dijeje Perëndie! Sa të pashpjeguara janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmuara udhët e tij.

Kënga: O shpirt madhështoje Marinë e nderuar dhe të lavdëruar mbi forcat engjëllore.
O shpirt madhështoje, Krishtin edhe Zotin, që lindi në një shpellë prej nënës Virgjëreshë.
O shpirt madhështoje, Zotin edhe Mbretin, që u adhurua prej Magëve të Lindjes.
Magët dhe barinjtë erdhën t’adhurojnë, Krishtin që na lindi në Bethlehem në shpellë.
Lindi Virgjëresha Krishtin edhe Zotin brenda në një shpellë.
Bota sot gëzohet, se Krishti na ka lindur prej nënës Virgjëreshë.
Engjëjtë nga qielli lajm’ i japin botës, që lindi Shpëtimtari.
O shpirt, madhështoje, Marinë Virgjëreshë, që lindi Shpëtimtarin dhe na çliroi nga Ferri.

Ose  Ç’lajm gazmor dhe i çuditshëm
Ç’lajm gazmor dhe i çuditshëm
Po na vjen nga Betlehemi,
Se na lindi djalë, djalë prej Shpirtit të Shenjtë
Virgjëresha Mari. (2x)

Se në Betlehem Maria
Udhëtimin si mbaroi
Në shpellën e thjeshtë, në atë qytet
Na lindi Mesia. (2x)

Zoti Krisht që është pa nisje
Dhe prej Atit i dërguar
Që të na shpëtojë e të na çlirojë
nga thonjtë e mëkatit. 2x)
           
Lutje: Zot, na ndihmo që të drejtojmë rrugën tonë që Ti të vish te ne në këtë Krishtlindje. Na dhuro Hirin Tënd që të mund të çrrënjosim rrënjët e mëkatit dhe të largojmë pengesat e krenarisë. Na jep pagëzimin e dytë, pagëzimin e lotëve, në mënyrë që të kthehemi te Ti dhe të të përqafojmë si Djali Plangprishës dhe të restaurohemi në birësimin e plotë. Amin.

Diskutim:  Diskutoni kuptimin e pendimit. Pastaj le të përgatisim veten me një vetë-shqyrtim të plotë dhe të vendosim një orë për të shkuar në Rrëfim si familje.

E diela e gjashtë e Ardhjes
Marrim qiriun e kuq i cili tregon Kungimin e Shenjtë.
Shërbesa fillon me ndezjen e gjashtë qirinjve nga një pjesëtar i familjes. Përsëritni kuptimin e pesë qirinjve të parë, të besimit, shpresës, dashurisë, paqes dhe pendesës.

Babai: Gjashtë qirinjtë na kujtojnë se Krishti, i Cili erdhi në Bethlehem dhe që do të vijë përsëri në fund të kohërave, vjen te ne tani në Misterin e madh të Pranisë  së Tij, Kungimin e Shenjtë. Arsyeja përse Ai u lind në Bethlehem është që ne të mund ta lejonim të vijë dhe të lindë në grazhdin e zemrës sonë.

Shkrimi i Shenjtë: Ardhja e Logosit (Shën Joani 1:1-18). Ai vjen sot në Liturgji (Joani 6:52-58).

Tropari: Dëfreni, o të drejtë, ngazëllohuni, o qiej; kërceni o male se lindi Krishti. Virgjëresha rri si Keruvimet dhe mban në pëqi të saj Fjalën Perëndi që u mishërua. Barinjtë lavdërojnë atë që lindi. Magët i sjellin dhurata Zotit, engjëjtë duke përhimnuar, thonë: O Zot i pakuptueshëm, lavdi më ty!

Këngë: Na këndojnë engjëjt e tij
            Na këndojnë engjëjt e Tij
            Lavdëruar Mbret i ri.
            Qoftë paqe sot në botë
            Dhe ndër njerëzit pëlqim.

     Erdhi Krishti pra, gëzohu
            Me korin qiellor bashkohu.
            Jepni me engjëjt lavd’rim
            Se u lind në Betlehem. (2x)

            Princ i paqes është Ai
            Diell’ i drejtësis’ përdhe
            Dritë e jetë po na sjell
            Nga shtëpia jonë në qiell

    Krishti la lavdinë e tij
            Sot u bë porsi njeri,
            Ky prej mishi na u lind
            Të rrojmë nga Fryma e Shenjtë. (2x)

Lutje:  Zot, të falënderojmë se Ti, jo vetëm që erdhe në Bethlehem, por se Ti vazhdon të vish në çdo Liturgji. Amin.

Diskutim: Flisni rreth Kungimit të Shenjtë. Referojuni teksteve mbi Kungimin e Shenjtë dhe Liturgjisë Hyjnore. Si mund të përgatitemi në mënyrë sa më të mirë?

E Diela e Shtatë e Ardhjes
Kjo shërbesë sugjerohet të kryhet në shtëpi në mbrëmjen para Krishtlindjes ose në ditën e Krishtlindjes. Qiriu për këtë shërbesë mund të jetë i njëjti që përdoret në mes të natës në Liturgjinë e Pashkës: Qiriu Paskal paraqet Krishtin.
Shërbesa fillon me ndezjen e shtatë qirinjve. Përsëritni kuptimin e gjashtë qirinjve të parë, të besimit, shpresës, dashurisë, paqes, pendimit dhe Emanuel (Perëndia me ne) në Kungimin e Shenjtë.

Babai:  Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Ati i përjetshëm, Princ i paqes.

 Vargu:   Qirinjtë në Krishtlindje! - të thellë në dritën e tyre të ngrohtë!
Zjarret e barinjve, ylli udhëheqës natën, - janë shkëlqimi i shenjtë i Lindjes së Foshnjës, Krisht, i Cili solli dritën e Perëndisë në tokë.

Shkrimi i Shenjtë: Historia e Krishtlindjes te Llukai 2:1-7.

Tropari:  Ç’të të ofrojmë, o Krisht, që u duke mbi dhé si njeri për ne?
Secila nga krijesat e bëra prej teje të sjell përhirim.
Engjëjt himnin,
qiejtë yllin,
magët dhuratat,
barinjtë çudinë,
dheu shpellën,
shkretëtira grazhdin
dhe ne nënën Virgjëreshë.
O Perëndi, që je para jetëve, mëshirona.

Sot lindet prej Virgjëreshës ai që mban tërë krijesën në grusht (tri herë). Me rrobë porsi njeri, mbështillet i paprekuri në substancë. Shtrihet në grazhd Perëndia që siguroi qiejtë në krye qëmoti. Me qumësht prej gjiri ushqehet ai që i ushqeu popullin me mana në shkretëtirë. Magë fton Dhëndëri i Kishës. Dhurata prej tyre pret i Biri i Virgjëreshës. I falemi lindjes sate, o Krisht (tri herë). Rrëfena dhe Epifaninë tënde të hyjshme.


Këngë:          Lindja jote, o Krisht Perëndi dhe Zot,
                    i lindi botës dritën e dijes së hyjëshme;
                    se ata që adhuronin çdo yll në qiell,
                    si sot prej yllit po mësoheshin, Ty t’ adhurojnë,
                    Diellin e drejtësisë, dhe të të njohin si lindjen që lartazi,
                    o Zot lavdi më ty.

Ose              Virgjëresha lindi sot, të përmbiqenëshmen Fjalë,
    edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën;
       Engjëjtë, me Barinjtë po lavdërojnë;
   Magët pra, bashkë  me yllin po udhëtojnë;
  se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetëshmi Zot.

Ose                  Gjith’ ju që besoni 
                     Gjith’ ju që besoni, me gëzim t’ngadh’njyesve,
                        Shpejtoni, shpejtoni në Betlehem.
                        Mbreti i engjëjve, sot ndër ne ka lindur,
                        Të shkojm’ ta adhurojmë (3x) Jisuin Zot.

                        Vërtet Perëndia, Drita e përjetshme,
                        Porsi një njeri pa mëkat e pafaj,
Prej një Virgj’reshe k’tu në botë erdhi
Të shkojm’ ta adhurojmë (3x) Jisuin Zot.

Ndër ne mire se erdhe, Mbret i porsalindur,
Jisu, o Jisu, ty të qoft’ lavdi!
Fjala e Atit tash’ është mishëruar.
Të shkojm’ ta adhurojmë (3x) Jisuin Zot.

Venite adoremus, venite adoremus, venite adoremus, Dominum.

Lutje:   I dashur Zot, sot shpresat dhe pritjet e të gjitha kohërave gjejnë plotësimin e tyre në Ardhjen Tënde. Ti erdhe të jesh Buka e Jetës, Drita                            e Botës, Uji i Jetës, që nëse ndonjë pi nga ai, kurrë nuk do të ketë më etje, Udha, e Vërteta, Jeta, Gëzimi ynë, Paqja jonë, Bariu i Mirë, Dera                            për te Dashuria e Perëndisë, Përikja jonë, Fuqia jonë, Shpenguesi dhe Miku ynë. Amin

Qielli dhe dheu sot u bashkuan, se lindi Krishti.
Sot Perëndia mbi dhenë arriti dhe njeriu në qiej u ngjit.
Sot njeriu shikon në mish të padukshmin nga natyra.
Prandaj edhe ne duke lavdëruar le t’i thërrasim:
Lavdi Perëndisë që është në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe,
të cilën na e dha Prania jote, o Shpëtimatri ynë, lavdi më ty.

Ja Krishti lind, Lavdërojeni!
Krishti i qiellit vjen, dilni priteni.
Krishti mbi dhenë, ngrehuni.
Zotin, pra e këndoni lart e mbi dhe.
Le të gëzojnë qiejtë dhe le të dëfrejë toka.
Errësira u largua dhe erdhi drita.
Njerëzit që qëndrojnë në errësirë shohin dritën  e madhe të njohurisë së plotë.
Ai i cili është i pa trup, mishërohet.
I Biri i Perëndisë bëhet i Biri i njeriut.
Jisu Krishti – i njëjti dje, sot dhe përjetë!

Diskutim: Flisni rreth kuptimit të Ardhjes së Krishtit. Pyesni çdo person të ndajë me ju çfarë do të thotë për atë Ardhja e Krishtit.

Zbritësoret e Krishtlindjes

Ja Krishti lind lavdërojeni; Ja Krishti i qiellit vjen dilni priteni; Ja Krishti mbi dhenë ngrehuni; Zotin pra, e këndoni lart e mbi dhe, dhe me ngazëllime, përhimnojeni me mall, popuj dhe me lavdi.

Popullin shpëtoi me çudi Krijetari, qëmoti kur e teri detin një herë. Dhe tani që lindi prej një Virgjëreshe, na tregoi Parajsën, pra e lavdërojmë, si njeri edhe si Perëndi me këngë.

Përpara nga jetët, lart në qiell, Ti ke lindur  prej Atit si Bir, edhe tani prej Virgjëreshës, si një foshnje u shfaqe, o Krisht Perëndi të falemi: Ti që na ngrite përpjetë me nder, O Zot i shenjtë je.

Vërna veshin kur këndojm’ o mirëbërës, ule ballin kryelart’ të të paudhit, ngrerna lart përmbi mëkatin e mallkuar, bëna të patundur me fuqinë Tënde, ne që të himnojmë besërisht me këngë.

Shkop nga rrënja e Jeseut je, dhe  lule  prej asaj  o Krisht, ke lulëzuar prej Hyjlindëses, prej mali hijeplot dhe të dendur me lisa dhe u mishërove prej Marisë dhe linde o Perëndi: Zot i fuqishëm lavdi më ty.

Abakumi parëlajmëroi qëmoti, për lindjen njerëzore prej Shpëtimtarit, se u vlerësua ta parashikonte, dhe me të vërtet’ i Bir’ i Virgjëreshës, të gjith’ i ndriçoi dhe e përlindi njerëzinë.

O Zot i paqes, o Atë me hir, për shpëtimin e njerëzve engjëllin, që paqen perëndore sjell, dërgove përmbi dhe; sot pra të udhëhequr  me  dritë Perëndie që menatë ngrihemi, dhe lavdërojmë njeridashësin.

Falna ndjesë për lajthimet dhe mëkatet, ne që po të këndojmë që menatë, dhe shpëtona o Jesu o mirëbërës, dhe çlirona për të gjetur udhën tonë, për të trashëguar lumërin’ e qiellit.

Si profeti  Shën Jona, pasi u gëlltit në det, prej peshkut të madh, doli dhe nuk u nga, gjithashtu tani, edhe Fjala e qiellit Jisui Shpëtimtar, shkoi nga gjiri i Vigjëreshës dhe Hyjlindëses, se u mishërua pa pësim edhe nënën e la të  pacenëshme.

Thellë Shën Jonaj nën ujërat e detit, nuk dilte për të qetësuar shqotën. I plagosur nga shigjetat e armikut, Zoti Krisht të lutem mbromë nga rreziqet, eja shpejt se më ka mbytur plogështimi.

Tre djemat që u rritën besëmirë, trimërisht përbuznë urdhërin e shtypësit, nga furra dhe zjarri nuk u trembën aspak, po në flakë dhe në prush, me këngë faleshin: O Perëndi Atëror, je i bekuar.

Djemat besëmirë nuk u frikësuan, po nga mall’ i Perëndisë Mbretit tonë, e përbuznë urdhërin e një tirani, dhe në mes të flakës i këndonin himne: I bekuar je, o Zot i gjithësisë.

Himnojmë, bekojmë dhe i falemi Zotit

Furra vesëplotë na tregoi një shembull, të çudisë që shkeli natyrën, se ajo si dogji tre djemat që priti; ashtu edhe zjarri i qiellit se ngau Virgjëreshën aspak. Pra, le ta himnojmë e le t’i falemi: E bekoni të gjithë Zotin me zë të madh, dhe e lartësoni përmbi të gjitha jetët.

Djemt’ e vjetër që prej zjarrit nuk u dogjnë, korëzuan sheshit lindjen virgjërore, të pangar’ e të padjegur të Marisë. Zotin që ka bërë këto çudira, me mirënjohje popuj e lavdërojmë.

O shpirt madhështoje Marinë e nderuar dhe të lavdëruar mbi forcat engjëllore.
Mister të çuditshëm shikoj dhe s’e marr dot vesh; se si qiell një shpellë ndrin; fron keruvik u shfaq Virgjëresha dhe grazhdi i vogël, e nxuri Atë që bota nuk e nxë, Krishtin Perëndi; e madhështojmë pra me këngë sot.

O shpirt madhështoje atë që na shpërbleu të gjithëve prej mallkimit.

Heshtja është sot m’e lehtë dhe pa frikë; kemi shumë mall po është shum’ e rëndë, t’endim lavdërim për ty, o Virgjëreshë; po ndriçona dhe sipas dëshirës sonë, falna dhe fuqi o Nën’ e Shpëtimtarit.


Shkëputur nga libri "Make God real in our home" 
Atë Antoni Koniaris

No comments:

Post a Comment