KRESHMA – UDHETIM DREJT ZOTIT


Themi vazhdimisht që kreshma është një udhëtim. Jo vetëm kreshma, por vetë jeta jonë është një udhëtim. Të gjithë ne që kemi filluar kreshmën, kemi filluar një udhëtim. Filloi periudha që ndryshon ngjyrat. Zoti na tregon shpesh nëpërmjet Ungjillit për gjendjen në të cilën ndodhemi. Jo vetëm Zoti, por edhe shumë filozofë e psikologë thonë që njerëzit kanë humbur “veten” e tyre, dhe kush humbet veten, ka humbur gjithçka. Gjithçka tjetër që përpiqet ai të fitojë, nuk mund ta përmbushë dot atë që mund t’i japë “vetja”. Një nga arsyet që njeriu mendon që ka humbur “veten”, është kur nuk e kupton dot që ka humbur “veten”. Keni dëgjuar tek paravolia e “Djalit plangprishës”, për djalin që u kthye të thuhet “erdhi në vete” që do të thotë se ai filloi të kuptojë situatën në të cilën ndodhej.
Askush nuk mund të fillojë dot udhëtimin e kreshmës, nëse nuk do të vijë në vete. Ne sot e kemi humbur qëllimin e jetës. Dëshira për kënaqësi, etja për pushtet dhe të tjera gjëra të kota si këto, nuk mund ta ndihmojnë njeriun, jo vetëm t’i japë kuptimin jetës, por as nuk do ta bëjnë dot të lumtur. Lumturia dhe qëllimi i jetës janë të lidhura me njëra - tjetrën.
Askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse nuk do të ketë një qëllim në jetë.
Njerëzit në ditën e sotme nuk kanë asnjë arsye për të jetuar dhe asnjë arsye për qëllimin e jetës. Kjo ndodh edhe tek njerëzit e kishës të cilët mendojnë se besojnë, vijnë vazhdimisht në kishë, por kanë humbur arsyen për të jetuar dhe arsyen për të vdekur.
Vetë fakti që shpeshherë brenda kishës kemi mërira, grindje, thashetheme, dhe plot kotësira, tregon që këta njerëz janë të ngeshëm, tregon që këta njerëz nuk po udhëtojnë. Sepse ai njeri që udhëton nuk merret me gjërat që ndodhin në stacion. Ai e ka mendjen vetëm tek udhëtimi. Vet fakti që ne merremi me shumë gjëra që janë rrotull nesh, do të thotë që ka humbur sensi i udhëtimit.
Njeriu është përpjekur gjatë gjithë historisë së tij për pasuri. Ka grumbulluar pasuri të madhe, e megjithatë nuk është bërë i lumtur. Në librin e tij, Kishtari thotë që dhe dituria është “kotësi e kotësive”. Sado të grumbullosh pasuri ajo nuk mund të të shërbejë, ajo nuk mund të të sjellë lumturi. Ju e dini sa shumë i pasur ishte Solomoni, dhe megjithatë ai nuk ishte i lumtur, sepse ai vetë thotë “kotësi e kotësive”.
Me të vërtetë askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse shpirti i tij nuk prehet te Zoti.
Njeriu është krijuar sipas ikonës së Trinisë, që do të thotë se shpirti ynë do të jetë gjithmonë i shqetësuar, nëse nuk prehet te Zoti. Shën Agustini thotë: “Zot më ke krijuar
sipas ikonës Tënde, dhe asnjëherë nuk do të gjejmë prehje derisa të pushojmë tek Ti”. Pushimi tek Zoti nuk mund të kuptohet dot pa udhëtimin drejt Atij. Kjo është arsyeja pse ne e kemi quajtur kreshmën një lloj udhëtimi. Udhëtim nga kjo gjendje fizike në të cilën ndodhemi në një gjendje tjetër të thellë shpirtërore. Ky udhëtim kërkon sakrifica, kërkon mundim. Ashtu si dhe në Shkrimin e Shenjtë mësojmë se Izraeli u kthye në tokën e premtuar duke kaluar nëpërmjet shkretëtirës, gjë që simbolizon çlirimin dhe gjendjen shpirtërore të njeriut.
Të fitosh përsëri atë që ke humbur nuk është aq e lehtë, prandaj udhëtimi është i mbushur me vështirësi dhe sakrifica, për të cilat kërkohet një lloj privimi. Arsyetimi foshnjërak njerëzor dhe vlerësimi në mënyrë të papërgjegjshme, pa njohur mirë gjendjen reale të njeriut dhe nevojat e tij, propozuan çlirime të ndryshme.
Ashtu si i propozoi vetes dhe djali plangprishës, sepse edhe ikja e tij ishte lëvizje për çlirim. Historia e djalit plangprishës është historia e gjithë njerëzimit. Gjithsekush nga ne ashtu si djali plangprishës, ndodhet në një vend të largët. Pra, ndodhet jashtë gjendjes së tij, për të cilin çdo gjendje tjetër është një vend i largët.
Sa nga ne kanë një kungim të vazhdueshëm me Perëndinë?
Sa nga ne jetojnë thellësisht shpirtërisht me Të? – Shumë pak. Kjo është ajo që filozofët e kanë quajtur “sensi tragjik i jetës”, sepse ne kemi humbur shumë e shumë gjëra nga ato që kishim. Kungimi me Perëndinë nuk është vetëm për shenjtorët. Të gjithë njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë, janë krijuar të jenë në kungim të përjetshëm me Të, por ky qëllim sot ka humbur. Dhe kthimi tek ai vjen nga një dëshirë, vjen nga një mall që do të ketë njeriu për botën tjetër. Djali pati mall, kështu thuhet në Bibël “pati mall”.
Në sa nga shpirtrat dhe zemrat tona ndizet malli për botën tjetër? Sa prej nesh mendojnë për botën tjetër, për ekzistencën e saj?
Shpeshherë kjo nuk ndodh as te njerëzit brenda kishës.
Dhe ne jemi dëshmimtarë për jetën e njerëzve që mendojnë se besojnë, por nuk kanë dëshirën për të shkuar tek ati. Askush nuk mund të shkojë diku, nëse ai nuk dëshiron të shkojë.
Sido që ta shikojmë lirinë, si barrë apo si dhuratë, nuk mund të shpëtojmë dot prej saj. Askush nga ne nuk mund të lirohet nga të qënurit i lirë. Kjo është një nga bazat kryesore të doktrinës së krishterë, që gjithsekush është krijuar i lirë ta pranojë ose mos ta pranojë Perëndinë. Ta fillojë ose mos ta fillojë udhëtimin.
Shumë njerëz kanë menduar të gjejnë lumturinë, shumë janë përpjekur ta bëjnë njeriun të lumtur pa Zotin, por pa Zotin nuk mund të gjendet lumturia.
Të gjitha përpjekjet për lumturi, pa Zotin, do të përfundojnë si tentativa e parë e Adamit, i cili donte të bëhej Zot pa Zotin. Në përpjekjen e tyre për të gjetur lumturinë njerëzit jo vetëm humbën sensin e udhëtimit, por humbën edhe vetë udhëtimin. Prandaj në këtë periudhë gjithsekush nga ne le të mendojë për udhëtimin. Duam apo nuk duam një ditë ne do të jemi në fund të udhëtimit. Dhe kushdo që të jetojë më gjatë, të themi për hatër 200 vjet, do ta mbarojë këtë udhëtim. Është mirë që ai udhëtim të fillojë nga sot. Madje një jetë jashtë udhëtimit nuk është më jetë. Njeriu nuk e bën dot udhëtimin nëse realisht ai nuk do dhe nuk vendos për të. Njeriu ka brenda dëshira të ndryshme, kjo nuk do të thotë se janë të gjitha natyrale, por vijnë nga një natyrë e deformuar nga pasioni dhe kjo është dhe arsyeja që Zoti e fillon historinë e njeriut me një “mos”.  Dialogu i parë që ka pasur Perëndia me njeriun ka qenë një ndalim: “Mos hani nga pema”. Është vënë “mos-i” për të përmbushur jo vetëm ekzistencën e njeriut, por edhe lirinë e tij, sepse jo çdo kundërshtim i “mos-it” do të thotë se është shenjë e lirisë. Njeriu ka një dimension të madh shpirtëror dhe ai duhet ta përmbushë këtë dimension. Kreshma është ajo që e ndihmon atë më shumë, për t’u çliruar sadopak. Kjo mund të duket e habitshme, por asketizmi është një lëvizje për çlirimin më të madh nga vetja e rreme, ose siç thotë një teolog i famshëm orthodhoks: “Çlirimi qëndron pikërisht në çlirimin e lirisë”. Vetja jonë është zënë rob, ne nuk mund të dimë akoma se kush është gjendja jonë realisht e lirë, prandaj privimet e ndryshme që do të kemi gjatë kreshmës do të na bëjnë të lirë.
Kufizimet nuk duhen parë si ndalime, as nuk duhen parë si privime që jepen, por si mbrojtje. Ne shpeshherë lexojmë, por nuk kuptojmë që pjesa më e madhe e dekalogut është me “mos”: mos këtë, mos atë, mos atë…. Raporti që ka Zoti me ne është ai që ne kemi me fëmijët. Shpeshherë ke një fëmijë pranë dhe i thua: mos këtu, mos atje. E njëjta gjë ndodh me ne në lidhje me Zotin, dhe këto “mos-e” nuk janë për të na kufizuar, por për të na mbrojtur, sepse ne kemi rënë nga gjendja jonë e parë dhe na ka humbur përgjegjshmëria e lirisë. Ne duhet të duam lirinë tonë të vërtetë, atë liri për të cilën ne duhet vet të vendosim për udhëtimin. Njeriu i sotëm e ka humbur këtë përgjegjësi dhe as që do të dijë se kush është qëllimi i jetës. Prandaj shpeshherë mësimet fetare, predikimet, paravolitë e Krishtit, predikimet e Shën Joanit ishin predikime dhe thënie që ngjallnin krizë shpirtërore tek njerëzit, një britmë shpirtërore pikërisht për të kuptuar kush është qëllimi i jetës së njeriut. Është tragjedi e madhe të shikosh një njeri të krijuar sipas ikonës së Perëndisë të jetojë në këtë mënyrë. Ajo që ne duhet të reflektojmë sot është pikërisht kjo.
Ne jemi qënie që duhet të shkojmë diku, sepse ne jemi larguar nga ajo diku. Ajo që thekson vazhdimisht kisha është pikërisht kjo. Ne jetojmë në një gjendje të deformuar. Natyra dhe arsyet tona janë deformuar, prandaj privimet janë për kurimin tonë. Nuk mund të thotë dikush për mjekimet që mund të japë një mjek nuk bëjnë se ato janë të hidhura. Edhe për kreshmën dhe gjithë kufizimet e tjera asketike nuk mund të themi që nuk bëjnë dhe na pengojnë lirinë tonë, por përkundrazi ato e forcojnë lirinë tonë. Kush është ai i marrë që mund të thotë lëreni fëmijën të luajë me pistolet se kështu i privoni lirinë? Nëse ne do t’i kuptonim thellë këto ndalime çdo ditë do t’i  puthnim ato faqe të dekalogut që janë mbushur me ato “mos”. Humbja e qëllimit të jetës, humbja e vetvetes e ka bërë njeriun të mos kuptojë. Kjo është arsyeja që shumë njerëz nuk kuptojnë dhe shkojnë drejt greminës. Neve na duket se jemi ndryshe nga të tjerët se vijmë në kishë, por nuk kam parë ndonjë ndryshim të atij që beson dhe atij që nuk beson. Të dy njësoj vjedhin, të dy gënjejnë dhe ku qëndron besimi? Prandaj një besim që nuk krijon në shpirt një dëshirë për udhëtim, nuk është besim. Prandaj dhe kjo periudhë udhëtimi është që ne të shohim thellë në çdo skutë të shpirtit tonë, a besojmë realisht apo nuk besojmë. Ose ky besim është për ne një lloj zbukurimi apo një nevojë bazike e jetës. Zoti është për ne sigurim apo rrënja e shpirtit tonë? A mund të jetojë dikush jashtë jetës? Dhe këto vazhdimisht i themi nëpër psalme e predikime: Zoti është jeta dhe çdo jetë jashtë Zotit është e gjymtuar. E megjithatë, a është jeta jonë e zhytur dhe e rrënjosur thellë tek Zoti? Këto janë pyetjet që duhet të bëjë njeriu gjatë Kreshmës së Madhe. Këto e bëjnë njeriun të fillojë udhëtimin e tij. Kjo periudhë kreshme nuk ndahet nga gëzimet. Edhe troparet thonë: “Le ta fillojmë këtë periudhë me gëzim”. Po të fillojë kreshma edhe gëzimi do të vijë vetvetiu. Ne nuk na vjen gëzim, sepse ne nuk fillojmë. Udhëtimi drejt Zotit është i mbushur me gëzim.
Nuk ka jetë më të bukur sesa të udhëtosh drejt Zotit dhe të jetosh në këtë rrugë. Asgjë nuk mund të krahasohet dot me gëzimin e madh që mund t’i japë shpirtit njerëzor kthimi tek Zoti, udhëtimi drejt Tij.
Kjo është ajo që i jep shpirtit dimensionin e tij të vërtetë, prandaj dhe periudha e kreshmës është një periudhë ripërtëritjeje, një periudhë për vendosjen e një gjendjeje shpirtërore për të realizuar përmbushjen e ekzistencës sonë. Mos e neglizhoni këtë. Kisha jep vazhdimisht shanse. E gjithë jeta liturgjike e Kishës është një udhëtim dhe na ndihmon për të realizuar takimin personal – udhëtimin drejt Zotit. Askush nuk mund të shkojë tek Zoti nëse nuk fillon këtë udhëtim dhe fillimi i këtij udhëtimi është pendimi. Gjithsekush nga ne që nuk është penduar dhe që nuk vazhdon të pendohet tregon që nuk është në udhëtim. Pendimi nuk është thjesht të kuptosh se ke bërë faj, kjo është një pjesë e vogël e pendimit.
Pendim do të thotë të ndizet një mall për shtëpinë e Zotit, Atit dhe atëherë do të fillojë udhëtimi. Nëse nuk fillojmë këtë nuk ka pendim, sado të bëjmë ne pseudo-jetë shpirtërore sikur të jemi pendimtarë të mëdhenj, madje një pendim i tillë është pendim demoniak. Njerëz të tillë bëhen njerëzit më të pakuptueshëm dhe mendojnë se janë të përulur dhe fetarë. Njerëzit kanë filluar të bëhen krenarë vetëm se mendojnë se janë të përulur. Njerëzit që mendojnë se janë në udhëtim dhe në të vërtetë nuk janë, janë në një pozicion të vështirë. Kjo është arsyeja pse zemërimi i Zotit është më i madh me farisenjtë. Ne ndoshta do të ndiheshim të turpëruar para një fariseu. Ai kreshmonte 2 herë në javë. Kush nga ne e bën këtë sot? Ai jepte 1/10, kush nga ne mund ta bëjë këtë? Ai nuk kishte shkelur kurorë e nuk kishte bërë dhe shumë gjëra të tjera e megjithatë Zoti ishte kundër tij. Ai jetonte në një pseudofe dhe shpeshherë kjo gjë i kap më shumë njerëzit që janë më afër fesë. Secili nga ne le të mendojë thellë sa po e vazhdon udhëtimin ose nëse ai ka nevojë për këtë udhëtim.
Nëse nuk do të na ndizej një mall në shpirt për të takuar Zotin, kjo do të thotë që shpirti është i vdekur.
E për sa kohë ne jemi në këtë jetë, ne jemi në pozicionin që mund ta bëjmë këtë udhëtim. Koha e udhëtimit është tani. Tani është orari që mund të udhëtojmë. Gjithsekush që pendohet përfitimi është për të. Le ta shikojmë kreshmën si një udhëtim, jo vetëm kreshmën, por gjithë jetën, sepse faktikisht ne po udhëtojmë edhe nëse disa nuk e dinë. Gjithsekush nga ne shkon drejt diçkaje.
“Nëse nuk bëhemi familjarë që këtu me Zotin – thotë Shën Joan Gojarti – nuk do të jemi as në jetën tjetër familjarë me të. Miqësia  me Zotin fillon që këtu. Udhëtimi dhe kungimi i përjetshëm me Zotin fillon që këtu.
Le ta fillojmë udhëtimin drejt Zotit dhe le të mendojmë për sakrificat e këtij udhëtimi. Le të mendojmë dhe le të kuptojmë ashtu siç psalmi thotë: “Shijoni dhe shihni”.
Nuk ka gëzim më të madh se jeta shpirtërore. Zoti do të na shikojë që në momentin e parë që ne do të bëjmë lëvizjen për t’u kthyer, që në momentin e parë Ai do të na japë diçka, që në momentin e parë do të ndjejmë një lloj pranie në shpirtin tonë, e cila do të na japë gëzimin dhe fuqinë për të vazhduar këtë udhëtim.
Jeta jonë është një udhëtim drejt Zotit – siç dhe e thamë - dhe këtë të mos e harrojmë kurrë.
Ai na bekoftë ta takojmë Atë në ditën e Pashkës.


Hirësi Joan Pelushi

No comments:

Post a Comment