Komboskini është një mjet lutjeje, nuk është diçka si “hajmali”, me veti magjike, që mbahet në dorë, por është gjë e shenjtë e krishterë orthodhokse, me të cilin lutemi.
Ashtu siç kemi shumë gjëra në kishë, edhe ky është një bekim i përgatitur dhe i dhënë nga ndonjë vëlla ose motër më Krishtin, një dëshmi e gjallë e një tradite të gjallë.
Komboskini është një mjet lutjeje për të gjithë besimtarët: si për klerikët, murgjërit ashtu edhe për laikët, pra për çdo shpirt që lutet.
Ekziston shumëllojshmëri e madhe formash dhe madhësish komboskinësh.
<
Komboskinët bëhen në bazë të një tradite që buron nga thellësia e shekujve. Përmendet historia e një murgu që mendoi të bënte nyje në një litar dhe ta përdorë atë në rregullin e përditshëm të lutjes së tij. Mirëpo djalli ia zgjidhte nyjet nga litari dhe i bënte të kota përpjekjet e murgut të varfër. Atëherë iu shfaq një engjëll dhe i mësoi murgut një nyje të veçantë, të përbërë nga kryqe të njëpasnjëshme. Këto nyje djalli nuk mund t’i zgjidhte.
Çdokush mund ta mbajë komboskinin në xhep ose në ndonjë vend tjetër të veçantë, ku mund ta përdorë lehtësisht pa u vënë re, në mënyrë që të jetë i përshtatshëm për t’u lutur në mënyrë të fshehtë, pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Gjithashtu komboskini mund të vendoset mbi ballin e krevatit tonë, në makinë së bashku me një kryq të vogël ose ikonë ose në vende të përshtatshme si kujtesë për lutje, si një lloj bekimi dhe një pranie të shenjtë dhe hyjnore në jetën tonë.
Qëllimi kryesor i komboskinit është të na ndihmojë në lutjen tonë drejtuar Perëndisë dhe shenjtorëve të Tij.
Me komboskinin lutemi në dy mënyra:
1. Në çdo orë të lirë, pa na parë të tjerët, fshehurazi, mbajmë me dorën e djathtë ose të majtë komboskinin dhe përparojmë nga një nyje në tjetrën me gishtin e madh të dorës dhe themi brenda nesh ose pëshpëritje të lehtë, pa bezdisur të tjerët, lutjen: “O Zot, Jisu Krisht, mëshiromë mua mëkatarin” ose “O Zot, Jisu Krisht, mëshiromë” ose “E Përmbishenjtë Hyjlindëse shpëtona” ose “O Engjëll i shenjtë ose O Shën (....) ndërmjeto për mua”. Duke ndryshuar fjalët e këtyre lutjeve të shkurtra, në “mëshirona” ose “ndërmjeto për ne”, ose duke përfshirë emrin ose emrat e njerëzve për të cilët duam të lutemi, tashmë mund të lutemi edhe për të tjerët. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe për të fjeturit (vdekurit): “Prehe, o Zot, shpirtin e shërbëtorit tënd (....)”.
2. Në orën e lutjes sonë të rregullt (të “kanonit” që na vendos ati ynë shpirtëror), mbajmë komboskinin me dorën e majtë dhe themi një nga një “lutjen”, duke përparuar me gishtin e madh njëkohësisht nga një nyje dhe rrotullojmë komboskinin disa herë, aq sa na udhëzoi ati ynë shpirtëror, duke bërë njëkohësisht me dorën e djathtë kryqin për çdo nyje.
Komboskini na ndihmon të themi një numër të caktuar lutjesh si edhe të përqëndrohemi tek fjalët e lutjes kur i shqiptojmë. Ndërsa përqëndrohemi, marrim kryqin e komboskinit në dorën tonë të majtë dhe e mbajmë lehtë atë midis gishtit të madh dhe gishtit tregues. Pastaj, duke bërë qetësisht shenjën e kryqit pëshpërisim lutjen e Jisuit. Si të jenë përqendruar mendimet e tona, ndoshta nuk do të nevojitet të vazhdojmë të bëjmë shenjën e kryqit ose që të themi lutjen me zë të lartë. Por kur vështirësohemi në përqëndrim, përdorim shenjën e kryqit dhe pëshpëritjen si mjet ndihmës në këtë përqëndrim.
Disa herë lutja jonë është e nxehtë dhe është e lehtë që të lutemi. Mirëpo ndonjëherë mendja jonë është aq e shpërndarë ose jemi aq të trazuar dhe me vëmendje aq të shpërqëndruar, saqë është me të vërtetë e pamundur të përqëndrohemi në lutje. Kjo ndodh kryesisht, kur përpiqemi të mbajmë një rregull të përditshëm lutjeje. Prandaj është shumë e dobishme të caktojmë një orë të veçantë të ditës për lutje. E mirë është koha e mbrëmjes përpara se të flemë, sepse është e rëndësishme të mbyllim ditën me lutje dhe një mënyrë përgatitore më e mirë për një fillim lutësor të ditës së re - pa përmendur këtu edhe përgatitjen për Ditën e Përjetshme, në rastin që po atë natë mund të na vijë gjumi i vdekjes. Gjithashtu edhe në mëngjes, duke u gdhirë është mirë të fillojmë ditën e re me lutje. Ndonjëri mund të gjejë edhe orë tjetër të ditës në të cilën mund të qetësohet e të përqendrohet.
Përpjekja jonë është që të përcaktojmë lutjen si një rregull në jetën tonë, dhe jo si një përjashtim. Prandaj për këtë, duhet të gjejmë ndonjë orë ku çdo ditë do të mundemi të kemi pak qetësi, që të përqëndrohemi dhe të kthejmë sytë e shpirtit tonë tek Perëndia. Ndoshta si pjesë të këtij rregulli, preferojmë të lexojmë disa lutje nga ndonjë libër lutjesh ose të lutemi dhe të gjejmë qetësi shpirtërore me mënyra të tjera, si p.sh me lexim të teksteve fetare ose me rishqyrtimin e ngjarjeve të ditës që kaloi, pra të kontrollit të vetvetes për pendimin dhe korrigjimin e mëkateve, por edhe të njohjes së mirësisë së Perëndisë. Mirëpo, mënyra më e efektshme është që të thuhet rregullisht lutja e Jisuit në një numër të caktuar. Ky numër nuk nevojitet të jetë i madh dhe ndoshta nevojitet pothuajse 15 minuta. Kështu kjo do të jetë pjesë e ditës tonë kushtuar Perëndisë, “pak kokriza kripe, që do të bëjnë të shijshme të gjithë jetën tonë shpirtërore”. Sot shumë mjekë rekomandojnë këtë dhuratë praktike të shëndetit trupor, veçanarisht për kapërcimin e ankthit.
Gjatë kësaj lutjeje pozicioni i qëndrimit tonë varet nga vetë personi, shëndeti dhe nga përgatitja e tij shpirtërore: disa mund të rrinë në këmbë, me kokë të ulur në pozicion përulësie, ndoshta disa duan të ngrenë herë pas here duart e tyre, duke kërkuar mëshirë, disa të tjerë e ndjejnë më të nevojshme të ulen ose të gjunjëzohen, me kokë të ulur, që të kenë mundësi të përqëndrohen. Lëvizjet trupore të metanisë së vogël ose të madhe mund të ndihmojnë në nxehjen e lutjes dhe të japë shprehje të jashtme në të luturin tonë, kur përulemi përpara Perëndisë. Pra gjëja më e rëndësishme është të përqëndrohemi në fjalët e lutjes gjatë përsëritjes.
Komboskini mund të përdoret duke u mbajtur në dorë edhe kur shkojmë në punë ose kur udhëtojmë. Në cilindo moment të ditës që të kujtohemi, le të mbajmë në dorën tonë një komboskin të vogël. Kombinimi i kësaj lëvizjeje me lutjen që bëhen në momente të tjera, do të na ndihmojë të përqëndrohemi dhe të lutemi disa herë në vazhdim të ditës, kudo që të jemi dhe çfarëdo që të bëjmë. Ky është një hap i rëndësishëm në përmbushjen e porosisë “lutuni pa pushim”.
I dashur lexues! Gjej edhe ti hapësira të tilla kohore gjatë ditës dhe mbushi rregullisht me thesaret e çmuara të lutjes, të cilat asnjë nuk mund të t’i vjedhë dhe që ti po i depoziton për llogarinë tënde në qiell.(shiko: Mat.6:20).
Leximi i rregullt i Shkrimit të Shenjtë, i jetëve të shenjtorëve dhe i teksteve të tjera shprestare e shpirtërore nga njerëz të mëdhenj të lutjes do të të ndihmojnë jashtëzakonisht, sepse përmbajnë këshilla dhe udhëzime të rëndësishme e frymëzuese, që çdo njeri të mësojë e të lutet si i krishterë.
Të urojmë o vëlla/motër më Krishtin që të ndihmohesh nga ky material, i cili është mundi dhe përvoja e njerëzve që e kanë përdorur dhe e përdorin atë.
do te vendosim dhe videon qe te mesoni si ta thurni vete komboskinin nese deshironi
No comments:
Post a Comment