Jetojmë vetëm një herë, po nëse jetojmë siç duhet, një herë është mjaftueshëm!
1. Po ndjek zemrën dhe intuitën time.
Mos u mposht nga problemi. Drejtohu nga ëndërrat e tua. Jeto jetën që dëshiron të jetosh. Bëhu personi që dëshiron të kujtosh shumë vite më vonë. Bë gabime, bjer dhe përpiqu përsëri. Edhe nëse bie 1000 herë, të paktën, nuk ke pse të pyesësh veten me habi se çfarë mund të kishte ndodhur. Së paku, do ta dish në zemrën tënde që u dhe ëndrrave goditjen më të mirë.
Secili prej nesh ka një zjarr në zemër që digjet për diçka. Është përgjegjësia jonë në jetë ta gjejnë dhe ta mbajmë atë ndezur. Kjo është jeta jote; dhe është e shkurtër. Mos i lejo të tjerët të të fikin flakën. Provo gjërat që dëshiron të provosh. Shko ku dëshiron të shkosh. Ndiq intuitën. Ëndërro me sytë hapur derisa ëndrrat të konturohen qartë. Pastaj bëj të paktën një gjë, çdo ditë që ta bësh ëndrrën realitet.
Dhe ndërsa lufton për të arritur qëllimet, mund ta llogaritësh që do të ketë disa zhgënjime përgjatë rrugës. Mos u dekurajo, rruga për të realizuar ëndrrat mund të mos jetë një rrugë e lehtë. Mendoni për këto zhgënjime si sfida-teste këmbënguljeje dhe kurajoje. Në fund të rrugës, më shpesh po sesa jo, pendohemi shumë më tepër për gjërat që nuk bëmë sesa për gjërat që bëmë. (Lexo “Quiter”)
2. Jam krenar për veten.
Ti vetë je shoku më i mirë i vetvetes ose kritikuesi më i madh i vetvetes. Pavarësisht opinionit të të tjerëve, në fund të ditës reflektimi i vetëm që të sheh përsëri në pasqyrë është vetvetja. Prano gjithçka për veten, gjithçka! Ti je ti, dhe ky është fillimi dhe fundi, pa shfajësime, pa keqardhje.
Njerëzit që janë krenarë për veten priren të kenë pasione në jetë, të ndihen të lumtur dhe të jenë shembuj të mirë për të tjerët. Kjo kërkon të përfytyrosh personin që do të doje të bëheshe dhe të bësh përpjekjet më të mira për t’u rritur.
Të jesh krenar nuk do të thotë të mburresh sesa i mrekullueshëm je. Ka më shumë të ngjarë të dish që vlen shumë. Kjo nuk do të thotë të mendosh që je perfekt, sepse askush nuk është, por ta dish që ia vlen të duhesh dhe të pranohesh. Gjithçka që duhet të bësh është të jesh vetvetja dhe të jetosh historinë që askush tjetër nuk mund ta jetojë - historinë e jetës sate unike.
Ji krenar, me vetëbesim, asnjëherë nuk e di kush të ka parë duke dëshiruar të ishte ti.
3. Unë po bëj një ndryshim.
Veproni sikur ajo që bëni krijon ndryshime. Kështu është. A është e vërtetë që të gjithë ne jetojmë për të shërbyer? Që duke ndihmuar të tjerët ne përmbushim fatin tonë? Përgjigjia është një po e thjeshtë. Kur ke një ndikim pozitiv në jetën e dikujt tjetër, gjithashtu ke edhe një ndikim pozitiv në jetën tënde. Bëj diçka që është më madhështore se ty, diçka që ndihmon dikë tjetër të jetë i gëzuar dhe të vuajë më pak. Ti je vetëm një, por ti je. Ti nuk mund të bësh gjithçka, por mund të bësh diçka. Buzëqesh dhe kënaqu me faktin që mund të bësh një ndryshim, diçka që do të kujtohet përjetë.
4. Jam i gëzuar dhe mirënjohës.
Gëzimi është brenda teje, në mënyrën tënde të të menduarit. Mënyra se si e sheh veten dhe botën përbën zgjedhje të ndërgjegjshme dhe zakon. Thjerra përmes së cilës zgjedh të shohësh gjithçka vendos se si ndiheni për veten dhe për gjithçka që ndodh rreth jush.
Të qenit mirënjohës do të të bëjë gjithmonë të ndihesh i gëzuar. Nëse e ke të vështirë të jesh mirënjohës për çfarëdolloj gjëje, ulu, mbyll sytë dhe merr frymë gjatë dhe ngadalë dhe ji mirënjohës për oksigjenin. Çdo frymëmarrje që bën është e njëkohshme me frymëmarrjen e fundit të dikujt tjetër.
5. Po rritem në versionin më të mirë të vetes sime.
Judi Gardand thotë “Gjithmonë të jesh versioni i parë i vetvetes në vend që të jesh versioni i dytë i dikujt tjetër.” Jeto me këtë thënie. Nuk ka gjëra të tilla, si të jetuarit në këpucët e dikujt tjetër. Këpucët e vetme që mund të zaptosh janë këpucët e tua. Nëse nuk je vetevetja, nuk po jeton me të vërtetë - ti thjesht ekziston.
Ki ndërmend se kur përpiqesh të bëhesh dikush tjetër, është një humbje e personit që je. Ki parasysh se personi brenda teje ka ide, talente dhe bukuri si askush tjetër. Ji personi që e di vetë se duhet të jesh - versioni yt më i mirë - me mundësitë e tua. Përmirësohu vazhdimisht, kujdesu për trupin dhe për shëndetin tënd dhe rrethoje veten me gjëra pozitive. Bëhu versioni më i mirë i vetvetes.
6. E bëj kohën time të vlefshme.
Koha është pjesa përbërëse më e vlefshme e jetës. Gjej kohën për atë që ka rëndësi sot. Ji me të vërtetë në atë moment, gjej gjërat që të pëlqejnë në jetë, shiko botën dhe udhëto, ose vetëm shih botën që është rreth teje pikërisht tani, rri (qëndro) me njerëz të mrekullueshëm, bëj gjëra mahnitëse, ha ushqim të mirë dhe shijo kënaqësi të vogla në jetë.
Ki ndërmend që koha është e paçmuar, por është falas. Nuk mund ta kesh pronë, por mund ta përdorësh. Mund ta shpenzosh, por nuk mund ta mbash. Nëse e ke humbur një herë kohën, nuk mund ta kthesh kurrë pas. Me të vërtetë ke një periudhë të shkurtër për të jetuar. Kështu, lejoji ëndrrat e tua të jenë më të mëdha se frikërat e tua dhe veprimet e tua më të forta se fjalët e tua.
Bëje kohën tënde të vlefshme.
7. Jam i ndershëm me veten.
Ji i ndershëm për atë çfarë është e drejtë, po ashtu edhe për atë që duhet të ndryshosh. Ji i ndershëm për atë që dëshiron të arrish dhe kush dëshiron të bëhesh. Ji i ndershëm gjithmonë, në çdo aspekt të jetës tënde. Sepse ti je personi i vetëm ku mund të mbështetesh përgjithmonë.
Kërko në shpirtin tënd të vërtetën, që ta dish me të vërtetë cili je. Ndërsa bën këtë, do ta kuptosh më mirë ku je tani dhe si arrite aty, dhe do të jesh më i mirëpërgatitur për të identifikuar ku dëshiron të shkosh dhe si të shkosh aty. (Lexo “The four agreements”)
8. Jam i mirë me personat që janë të rëndësishëm për mua.
Në marrëdhëniet njerëzore distanca nuk matet me milje, por me dashuri. Dy njerëz mund të jenë në krah të njëri-tjetrit, por përsëri mbeten milje larg. Kështu që, mos injoro dikë që është i rëndësishëm për ty, sepse mungesa e interesimit, lëndon më shumë se fjalët me zemërim. Mba lidhje me personat që janë të rëndësishëm për ty. Jo sepse kjo të leverdis, por sepse ia vlen që për ta të bësh shumë përpjekje.
Kur ishte hera e fundit që i ke thënë familjes ose miqve më të ngushtë që i do ata? Vetëm duke kaluar pak kohë me dikë tregon që interesohesh, tregon që ata janë mjaft të rëndësishëm, përderisa i ke zgjedhur - jashtë gjithë gjërave që duhet të bësh në programin tënd të ngarkuar - gjej kohë për ta. Bisedo me ta. Dëgjoji. Kuptoji.
Shumë herë janë veprimet, dhe jo fjalët, që flasin me të vërtetë çfarë ndien zemra për dikë tjetër.
9. E di si është dashuria pa kushte.
Në dashurinë për një fëmijë, për një të dashur, për një pjesëtar tjetër të familjes, njih ndjenjën e të dhënit dashuri dhe mos prit asgjë në kthim - kjo është ajo që qëndron në thelb të dashurisë pa kushte. Jeta përmes dashurisë pa kushte është një aventurë e mahnitshme që na emocionon në thelbin e qenies sonë dhe ndriçon shtegun tonë me kënaqësi. Kjo dashuri është një energji e fuqishme dhe dinamike, që na ngre në kohët më të vështira.
Dashuria është e bukur dhe e paparashikueshme. Ajo fillon me veten tonë, sepse pa veten tonë, nuk mund ta dimë çfarë është dashuria e vërtetë. Duke dashur veten, e lejojmë këtë ndjenjë të lindë brenda nesh dhe pastaj mund ta ndajmë atë me secilin dhe me gjithçka rreth nesh. Kur do pa kushte, nuk do të thotë se personi që do është i përkryer, por sepse mëson të shohësh një person të papërkryer në mënyrë të përkryer.
10. I kam falur ata që më kanë lënduar dikur.
Të gjithë jemi lënduar nga një person, deri në njëfarë pike - na kanë trajtuar keq, besimi është thyer, zemrat janë lënduar. Dhe ndërsa kjo dhimbje është normale, disa herë ajo zgjat për një kohë të gjatë. Ne e rijetojmë atë dhimbje përsëri dhe përsëri, duke e lejuar të rrijë “falas” në kokën tonë dhe kalojmë një kohë të vështirë. Mërirat janë humbje e gëzimit të përkryer, ato shkaktojnë lënien jashtë të bukurisë së jetës. Të falësh do të thotë të lësh të lirë një të burgosur dhe të zbulosh që i burgosuri ishe ti.
11. Unë marr përgjegjësi të plotë për jetën time.
Merri zgjedhjet dhe gabimet e tua; dhe ki vullnetin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm që të përmirësohesh mbi to. Ose do të marrësh vetë përgjegjësi për jetën tënde ose këtë do ta bëjë dikush tjetër. Dhe kur ata ta bëjnë këtë, ti do të bëhesh skllav i ideve dhe ëndrrave të tyre, në vend që të bëhesh udhëheqës i vetes sate.
Ti je i vetmi që mund të kontrollosh në mënyrë direkte rezultatin e jetës sate. Dhe jo, jo gjithmonë do të jetë e thjeshtë. Çdo person ka një pirg me pengesa para tij. Por duhet të marrësh përgjegjësinë për situatën dhe t’i kapërcesh pengesat. Të zgjedhësh të mos e marrësh përgjegjësinë do të thotë të zgjedhësh një kohë për të jetuar thjesht si ekzistencë. (Lexo “The Road less traveled”)
12. Nuk kam keqardhje.
Kjo është thjesht kulmi i pikës së mëparshme, i pikës 11.
Ndiq zemrën. Ji i vërtetë me veten. Bëj atë çfarë të bën të gëzuar. Ji me atë që të bën të qeshësh. Qesh aq shumë sa edhe merr frymë. Duaj aq gjatë sa jeton. Thuaj çfarë ke nevojë të thuash. Sa të mundesh, ofro një dorë ndihmuese. Vlerëso të gjitha gjërat që ke. Qesh. Festo fitoret e tua të vogla. Mëso nga gabimet e tua. Kupto që gjithçka është një mësim i fshehur. Fal. Dhe lejoi të kalojnë gjërat të cilat nuk mund t’i kontrollosh.
No comments:
Post a Comment