IKONA E UNGJILLEZIMIT - SHPJEGIMI


 Ashtu si pjesa e Ungjillit dhe Shërbesa e së kremtes, Ungjillëzimi është plot gëzim të brendshëm dhe të thellë. Është gëzim i premtimit të Dhiatës së Vjetër që përmbushet me anë të trupëzimit të Jisu Krishtit.
Ky gëzim shihet në pozicionin që Kryeengjëlli ka në ikonë. Ai është paraqitur me një lëvizje të shpejtë.
Sapo ka zbritur nga qiejt dhe ka shikimin e një shërbëtori të kujdesshëm, me qëllimin për të zbatuar detyrën e dhënë nga Zoti i tij. Këmbët e tij janë të hapura gjerë, sikur të vraponte. Në dorën e tij të majtë mban një shkop, simbol i mesazhprurësit (ai nuk mban lule, si në ikonat katolike që shpreh sentimentalizëm dhe romantizëm njerëzor). Dora e tij e djathtë, me një lëvizje të fortë është shtrirë në drejtim të Virgjëreshës Mari. Ai i kumunikon mesazhin e gëzuar nga Zoti i tij, Misterin e Providencës Hyjnore. Në shumë ikona të Ungjillëzimit, engjëlli është paraqitur sikur fluturimi i tij nuk ka mbaruar ende. Megjithëse ai qëndron mbi tokë, një krah e ka të ngritur, edhe ky përbën një simbol të të qenit mesazhprurës. Gjithashtu ky simbol është ilustruar më tej në Shërbesë, kur dhiakoni që përfaqëson një engjëll (siç thotë Shën Joan Gojarti) simbolikisht, përsërit këtë gjest nëpërmjet ngritjes së orarit me dorën e tij të djathtë çdo herë që thërret besimtarët për t’u lutur. Por, ndërsa në Ungjillëzim fluturimi i engjëllit bëhet nga qielli poshtë në tokë, në Liturgjinë Hyjnore dhiakoni na fton ne të ngrihemi lart me të në lutje.
Nëna e Perëndisë në ikonë është paraqitur e ulur, shprehje e superioritetit të saj mbi engjëllin. Në disa ikona ajo mban torkë peri në duart e saj dhe më rrallë një pergamen. Këto detaje janë huzauar nga Tradita.
Në Kishën tonë me Ungjillëzimin kremtojmë fillimin e shpëtimit tonë dhe e kundërvëmë atë me fillimin e rënies së njeriut në mëkat. Eva pranoi tundimin dhe bëri zgjedhjen e saj. Virgjëresha Mari, sjell ndër mend ligjin e natyrës. “Si do të bëhet kjo? Unë nuk njoh burrë”.


Ikona e tregon këtë nga gjesti i dorës së saj, që ajo e mban përpara kraharorit, me pëllëmbën nga jashtë. Kjo është një shenjë e hutimit. Ajo e kthen dorën në drejtim të engjëllit, duke kërkuar një përgjigje. Kur ajo mori të gjitha shpjegimet nga engjëlli, e pranoi vullnetin e Pernëdisë: “U bëftë në mua sipas fjalës SATE”. Ikona e tregon këtë nga përkulja e kokës së saj. Kjo është një shprehje e pranimit të përulësisë. Në krye të ikonës shohim pjesën tradicionale të një sfere, simbol ky i qiejve dhe rrezet që dalin prej saj. Ky është veprim i Shpirtit të Shenjtë. Në disa ikona Nëna e Pernëdisë dhe Kryeengjëlli kanë drejtuar vështrimin në këto rreze. Me këtë detaj ne shohim unitetin e veprimit dhe vullnetin e Perëndisë me krijesën e Tij.
Në një himn ne këndojmë: “Engjëlli shërben mrekullinë, barku i Virgjëreshës pranoi Birin”.
Ekziston një marrëveshje midis Pernëdisë dhe krijesës. Trupëzimi nuk është vetëm një veprim i vullnetit të Perëndisë, por dhe i vullnetit të lirë të besimit të Virgjëreshës së Tërëshenjtë Mari, që përfaqëson tërë njerëzimin.

No comments:

Post a Comment