Në Persinë e
hershme jetonte një njeri i ditur, i quajtur Artaban, i cili mbante rrobën e
priftërisë së hershme të Magut. Një natë dhjetori ai u tha të afërmve:
"Tre miqtë e mi janë duke vëzhguar tempullin e lashtë në Babiloni. Nëse
ylli i premtuar do të shfaqet, ata do të presin dhjetë ditë për mua dhe pastaj
do të nisen për në Jeruzalem, për të parë dhe adhuruar atë që do të lindë si
Mbret i Izraelit. Unë shita ato që kisha dhe bleva tre gurë të çmuar - një
zafir, një rubin dhe një perlë, për t'ia dhënë Mbretit të ri"
Pas pak, kur ai
ishte duke vëzhguar qiellin, nga ana lindore vuri re një dritë të shndritshme
që lëvizte nëpër qiell. "Ajo është shenja, - tha ai, - Mbreti po vjen, dhe
unë do të shkoj ta takoj".
Artabani udhëtoi
për dhjetë ditë dhe ndodhej vetëm tre orë nga vendi ku do të takonte miqtë, kur
papritur kali ndaloi dhe një objekt i errët shtrihej përpara tij. Drita e yjeve
zbuloi formën e trupit të një njeriu, i cili dergjej i plagosur. Zemra i rrahu
fort. Të ndalonte dhe të kujdesej për të huajin?
Ç'do të ndodhte
nëse do të vonohej dhe miqtë do të largoheshin pa të? Të rrezikonte shpërblimin
e madh të besimit të tij, për hirin e një vepre të vetme mirëbërëse?
"Perëndia i së
vërtetës dhe dashurisë, - tha ai dhe u lut, më drejto në udhën e shenjtë, në
udhën që shpreh vullnetin tënd".
Pastaj, zbriti nga
kali dhe filloi të shikonte me vëmendje njeriun, e vajosi me vaj dhe i mbuloi
plagët. Orë pas ore punoi, derisa më në fund të mjerit i erdhën forcat.
Tashmë kishte
kaluar mesi i natës dhe tre dijetarët u larguan pa Artabanin për të kaluar
shkretëtirën pa të. Artabani po mendohej kur njeriu i sëmurë i pëshpëriti:
"Nuk kam asgjë për të të dhënë si shpërblim të ndihmës sate" dhe
përveç kësaj, "unë jam Jude dhe profetët thanë, se Mesia që ju kërkoni nuk
do të lindë në Jeruzalem, por në Bethlehem.
Artabani mendoi
shumë për këtë udhëtim të gjatë dhe vendosi të shiste një nga gurët e çmuar, me
qëllim që të blinte një karvan dhe pajisje për të kaluar shkretëtirën.
Tri ditë pasi tre
dijetarët kishin parë Jisuin foshnjë dhe ishin larguar, ai ariti në Betlehem.
Artabani hyri në shtëpinë me derë të hapur dhe pa një nënë të re e cila i
këndonte foshnjës për ta vënë në gjumë. Me zërin e saj të ëmbël i tha:
"Josifi i Nazaretit mori fëmijën e tij Jisuin dhe nënën e tij Marinë dhe u
larguan natën në mënyrë të fshehtë".
Papritur, një
zhurmë e egër dhe të thirrura erdhën nga rruga e fshatit: "Ushtarët! Po
vrasin fëmijët tanë".
Fytyra e nënës mori
një pamje terrori dhe e shtrëngoi fort fëmijën, duke u munduar ta fshihte në
erësirën e dhomës.
Artabani menjëherë
shkoi tek dera e shtëpisë. Ushtarët po vinin me duart dhe shpatat e tyre të
përgjakura.
Kapiteni i rojeve
iu drejtua shtëpisë, por Artabani i tha me zë të ulët: "jam krejtësisht i
vetëm dhe pres t'i dhuroj këtë gur të çmuar kapitenit të kujdesshëm i cili do
të më lerë në paqe".
Kapiteni rrëmbeu
gurin e çmuar dhe thirri: "Para marsh! Nuk ka fëmijë këtu". Artabani
filloi të lutej: "Perëndi i së vërtetës dhe dashurisë, falna pasi tashmë
kam humbur dy nga dhuratat që i kisha për mbretin tënd".
Përsëri filloi
udhëtimin e tij, po nuk dinte ku të kërkonte. Kaloi 33 vite të tjera, duke
udhëtuar nga shteti në shtet për këtë mbret. Kudo që shkoi, nuk gjeti mbret për
të adhururuar, por shumë njerëz për të ndihmuar. Ushqeu të uriturit, veshi të
zhveshurit, shëroi të sëmurët dhe ngushëlloi të burgosurit. Së fundi, kur qe në
moshë të madhe për herë të fundit udhëtoi për në Jeruzalem. Arriti të premten
dhe kur po ndodhte diçka e veçantë.
"Nuk ke
dëgjuar seç po ndodh? - e pyetën. Sot do të kryqëzojnë Jisuin e Nazaretit, i
cili thotë se është Biri i Perëndisë dhe Mbreti i Judenjve". Zemra e
Artabanit rrahu fort: "Më në fund kam rastin të ofroj perlën time të vyer,
për lirimin me shpërblim të jetës së mbretit". Kur ai po vraponte drejt
kodrës së Golgothasë pa një grup ushtarësh, të cilët po tërhiqnin zvarrë një
vajzë. Ajo u largua për një çast edhe papritur u hodh përpara këmbëve të Artabanit.
"Më shpëto,
- thirri ajo - unë jam për t'u shitur si
skllave. Më shpëto!"
Artabani hezitoi
dhe përsëri nuk kuptoi nëse ishte një mundësi për të ndihmuar apo një tundim
për të humbur përsëri Jisuin. Por, pas një çasti ai nxorri perlën e vyer dhe ia
dha ushtarëve: "ja ku është shpërblimi për jetën e kësaj vajze". Kur
po fliste, një tërmet i fuqishëm pushtoi qytetin dhe qielli u nxi. Një gur i
madh ra nga çatia e shtëpisë pranë dhe e goditi Artabanin në kokë. Vajza
skllave e pa njeriun të binte në tokë. Vuri re se buzët e tij lëvizën, sikur të
thonin: "Jo kështu o Zot. Kur të pashë të uritur dhe të ushqeva? Kur të
pashë të huaj e të ndihmova? Kur të pashë të sëmurë ose në burg dhe të
vizitova? Për 33 vjet jetë kërkova, por kurrë nuk pashë fytyrën tënde, e as nuk
i shërbeva mbretit tim".
Buzët e tij ndaluan
së lëvizuri dhe vajza dëgjoi një zë të
ëmbël e të butë të përgjigjej: "Në të vërtetë po ju them: sa herë ia
keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi të vegjël ma keni bërë
mua".
Një dritë e ndriçme
rrezatoi prej fytyrës së Artabanit. Kur udhëtimi i tij përfundoi, gurët e tij
të çmuar u pranuan ai gjeti mbretin e tij.
No comments:
Post a Comment