Dita më e trishtuar e javës

Dr. Viktor Frankel, një psikoanalist i shkëlqyer, shkruan në librin e tij “Doktori dhe Shpirti”: në çdo qytet, e Diela është dita më e trishtuar e javës. Pikërisht ditën e dielë, ndërsa ulet ritmi i punës, del sheshit varfëria e gjërave të kuptimta të jetës së përditshme qytetare. “Këta njerëz, pa një qëllim në jetë, rendin rrugëve të jetës me një shpejtësi aq të madhe sa as vetë nuk arrijnë të kuptojnë jetën e tyre të pakuptimtë. Në të njëjtën kohë ata përpiqen të rendin larg vetes së tyre, por më kot. Të dielën, ndërsa kjo garë e çmendur ndalon për vetëm njëzet e katër orë, shfaqet edhe një herë para tyre tërë paqëllimshmëria, tërë pakuptimshmëria, tërë zbrazëtia e ekzistencës së tyre”.
Krahasojeni këtë me dëshminë e mëposhtme të një fshatareje të krishterë për kuptimin që kishte e diela për të: “Unë mbaj shumë barrë të cilat shumica e njerëzve nuk i njohin... unë bëj punë të rëndë gjithë javën dhe shpesh natyra e punës time më shkakton shumë gjendje depresioni. Shkoj në kishë çdo të dielë që t’i jap rast Perëndisë të flasë me mua. Kovat e mia të shpresës dhe besimit mbushen në kishë çdo të dielë dhe Perëndia më kthen në punë me gjithë atë fuqi që më duhet për të mbajtur barrët e mia”.
Pa Perëndinë e diela bëhet një ditë kur ne e ndiejmë në mënyrë therëse boshllëkun e brendshëm. Me Perëndinë, e diela, dita e Zotit, bëhet çfarë Krijuesi e ka krijuar vetë. Një ditë kur kupat bosh të besimit dhe shpresës mbushen dhe gjithashtu përmbushet dhe premtimi i Perëndisë: “Jisui u përgjigj dhe i tha: Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek Ai” (Jn 14:23).



No comments:

Post a Comment