Shën Jeronimi, kur jetonte në
Palestinë dhe punonte në shpellën e Bethlehemit, atje ku u lind Zoti, disa ditë
para se të vinte festa e Krishtlindjes pati një vizion të mrekullueshëm të
Lindjes së Zotit. Jisu Krishti iu shfaq si një fëmijë dhe e pyeti:
“Jeronim, nëse dikush do të
shfaqej nga ana ime e do të kërkonte diçka si dhuratë për Krishtlindje, çfarë
do të Më jepje?”
“Virtytet dhe lutjet e mia, iu
përgjigj shën Jeronimi”.
“Mirë, po çfarë tjetër?”
“Zemrën, shpirtin, gjithë
qenien time”, - shtoi shenjti.
“E pranoj edhe këtë gjithashtu,
por dëshiroj edhe diçka tjetër nga ana jote”.
“Po çfarë të të jap tjetër,
Zot?” - i tha asketi.
“Më jep mëkatet e tua”!
Shën Jeronimi filloi të
thërrasë me zemër të thyer dhe kërkoi me lot:
“Pse ke nevojë për mëkatet e
mia, Zot?”
“Që t’i marr mbi veten”.
Ai i tha: “Më jep mëkatet e
tua”.
Jisu Krishti dëshiron të marrë
mëkatet tona. Asnjë tjetër besim nuk mëson një Perëndi më të dhembshur, plot
dashuri për njeriun sesa i Yni.
Ne e shikojmë në histori që Perëndia nuk do talentet, vlerat, zgjuarsinë tonë, por dobësitë, mëkatet, atë pjesë që duhet të rregullohet, që duhet ripërtërirë, në mënyrë që e gjithë qenia jonë të jetë në harmoni. Ai do atë pjesë që është ndotur, që është njollosur, të sëmurë, që ta shërojë, ta pastrojë që njeriu të mos vuajë më. E kush nga njerëzit tanë të afërt do të kërkonte një gjë të tillë, ndërkohë që sa mësojnë një dobësi tonën largohen? Por ky është shembulli jetëdhënës që la Krishti tek njerëzit, që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Ky është edhe një ndër mesazhet e kësaj historie, në këtë atmosferë festive të pranojmë atë që ka dobësi, të mos e shkelmojmë edhe se është i dobët.
Ne e shikojmë në histori që Perëndia nuk do talentet, vlerat, zgjuarsinë tonë, por dobësitë, mëkatet, atë pjesë që duhet të rregullohet, që duhet ripërtërirë, në mënyrë që e gjithë qenia jonë të jetë në harmoni. Ai do atë pjesë që është ndotur, që është njollosur, të sëmurë, që ta shërojë, ta pastrojë që njeriu të mos vuajë më. E kush nga njerëzit tanë të afërt do të kërkonte një gjë të tillë, ndërkohë që sa mësojnë një dobësi tonën largohen? Por ky është shembulli jetëdhënës që la Krishti tek njerëzit, që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Ky është edhe një ndër mesazhet e kësaj historie, në këtë atmosferë festive të pranojmë atë që ka dobësi, të mos e shkelmojmë edhe se është i dobët.
Duke marrë mëkatet tona mbi
veten, Krishti ngre peshat tona, kryqin tonë, ashtu siç edhe vetë ai thotë:
“Ejani tek unë, o ju gjithë të munduar e të rënduar, dhe unë do t’ju jap
çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam zemërbutë dhe
i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. sepse
zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” Pra me këto fjalë që ai
i thotë shën Jeronimit kërkon të ngrejë gjendjen e njeriut të rënë e ta marrë
pranë vetes.
Kjo histori na tregon sesi Zoti
do të çlirojë njeriun nga ankthi, presioni që ushtrojnë mëkatet mbi ne, nga
dëshpërimi vdekjeprurës dhe kërkon t’i marrë mbi vete, t’i japë prehje e paqe
njeriut që torturohet nga mëkatet.
T’ia dhurosh mëkatet Perëndisë,
do të thotë t’ia besosh veten Shpëtimtarit, të fillosh një jetë të re me
Krishtin. Vetëm Zoti me hirin e tij mund t’i pastrojë njollat më të mëdha,
sepse asgjë nuk ia kalon dashurisë dhe mëshirës së Perëndisë.
Por që të dhurojmë mëkatet,
natyrisht që kemi, por duhet t’i njohim. Dhe kjo arrihet nëpërmjet përulësisë,
dhe një vështrimi të brendshëm në labirintet e zemrës së njeriut. Shën Isak
Siriani thotë se fuqia e atij që njeh veten e tij është më e madhe se e atij që
ngjall një të vdekur. T’i njohim mëkatet e t’i rrëfejmë ato kjo përbën një
tradhti për demonët, që mundohen të na skllavërojnë duke i fshehur e i mbajtur
brenda nesh. Rrëfimi i tyre është i vetmi “mashtrim” i virtytshëm.
Etërit këshillojnë se mëkatet
gjithashtu largohen nga njeriu që i rrëfen, sepse ato prehen tek krenaria e
natyrës sonë të rënë dhe nuk mund të durojnë kur dalin në shesh.
Peshkopi i shenjtë Ignat
Briançaninov na mëson se nga rrëfimi i mëkateve miqësia me demonin ndërpritet.
Shën Vasili i Madh thotë: Ai që rrëfen mëkatin nuk është ai që thotë:
“Mëkatova” dhe më pas vazhdon ta bëjë përsëri atë, por ai që sipas fjalëve të
psaltirit e njohu mëkatin dhe e urreu atë.
T’i lesh mëkatet e tua tek
personi i Krishtit do të thotë se tashmë kërkon që këto t’i shkëputësh nga
vetja, t’i urresh, t’i flakësh. Urrejtja e mëkatit është provë e një pendimi të
sinqertë dhe vendim i njeriut për të ndjekur një udhë të virtytshme.
T’ia dhurosh mëkatet e tua
Krishtit foshnjë do të thotë të bëhesh edhe ti foshnjë bashkë me të e të
rifillosh një jetë të re.
T’ia dhurosh mëkatet Krishtit
do të thotë ta ftosh të bëhet strategu, luftëtari yt kryesor në betejën që bën.
Ndodh edhe diçka tjetër kur ne
ia dhurojmë mëkatet tona Zotit. Duke i ndarë nga vetja e duke parë se çfarë
fëlliqësi dhe papastërti kemi, ndjejmë neveri e turp për të që kemi bërë e që
Perëndia kërkon t’i dhurojmë, dhe nga kjo vjen ndjenja e pendimit dhe shën Isak
Siriani thotë se Perëndia e pranon dhimbjen e pendimit tonë si një blatë
pendimi.
Shpesh e njohim mëkatin, e kemi
të vështirë për ta pranuar, na vjen turp dhe përsëri nuk bëjmë përpjekje për
t’u larguar prej tij, por ende qëndrojmë me të. Dhe me të vërtetë njeriu nga
natyra e tij e rënë do të mëkatojë, të mos ndihet keq se mëkatoi, por të
ngrihet e të mos qëndrojë më atje. Le ta ilustrojmë me një histori:
Një ditë, kur Sokrati shëtiste
në një rrugë të Athinës, pa një nga studentët e tij të dilte nga shtëpia e një
gruaje të përdalë. Djaloshi u mbulua me turp kur pa mësuesin e tij ta shikonte,
por u largua shpejt për t’u fshehur. “Djalosh”, - i tha Sokrati, “nuk është
turp të dalësh nga kjo shtëpi, turp është të qëndrosh atje”.
Kështu, Krishti na fton të mos
kemi turp të zbulojmë mëkatet në rrëfim, por të kemi turp kur i mbajmë ato
brenda, të fshehura. Shën Vasili i Madh thotë se mëkati i fshehur me vetëdije e
helmon fatalisht shpirtin e mëkatarit. Si mund të shërohet një sëmundje nëse ia
fshehim mjekut?
Urimi ynë është që dhurata e
shën Jeronimit të jetë edhe e jona. Jisu Krishti dëshiron të marrë mëkatet
tona. Le t’i japim ato në misterin e rrëfimit dhe ai do të na falë.
No comments:
Post a Comment