Në
thellësi të shkretëtirës së Judesë, në Palestinë, ndodhet manastiri i ava
Theodhosit, të cilin e ka themeluar vetë shenjti në shekullin e V. Me kalimin e
viteve ai u bë i madh, me shumë etër, të cilët kujdeseshin për azilet, për
punëtorinë, jetimoret dhe spitalin e të varfërve që ndodheshin për rreth tyre.
Kur u
formua ishte shumë i varfër dhe nuk ishin të pakta rastet kur nuk kishin gjërat
më të nevojshme. Por besimi tek Perëndia dhe lutjet e ava Theodhosit, gjithmonë
i ndihmonin dhe i nxirrnin nga nevoja.
Njëherë,
në një të Shtunë të Madhe, murgjërit vunë re diçka të hidhur. Në manastir nuk
kishte as edhe një copë naforë për Liturgji Hyjnore, nuk kishte madje as edhe
për të ngrënë. Kalonte ora dhe po afrohej kremtimi i madh i Ngjalljes. Ajo që
nuk duronin dot murgjërit nuk ishte uria, por se do të mbeteshin pa Liturgji
Hyjnore.
Të gjithë
sytë filluan të kontrollojnë për ndonjë shishe me verë të harruar në ndonjë cep
dhe për ndonjë copë bukë. Ishte e pamundur të gjenin, prandaj shkuan tek
jerondi i tyre, Theodhosi i shenjtë dhe i treguan për gjendjen e vështirë dhe
për mërzitjen e tyre. Shenjti i dëgjoi me qetësi dhe nuk u trondit aspak...në
fund iu përgjigj:
“Shkoni,
bijtë e mi dhe interesohuni që të jenë të gjitha gati për Liturgjinë Hyjnore të
mesnatës. Të përgatiteni edhe ju dhe të takohemi kur të jetë koha”.
“Ngushëllim
i kotë”, - pëshpëriti një murg.
Jerondi e
dëgjoi dhe i tha: “Mos ndoshta, fëmijët e mi, Perëndia u bë më i dobët në
fuqinë e Tij? Mos nuk është në gjendje të veprojë edhe sot Ai që ushqeu
popullin e Izraelit me mana në shkretëtirë? Mos nuk mund të bëjë çudira Ai që
ngopi me pesë bukë dhe dy peshq, gjithë popullin që e shoqëronte? Murgjërit
çuditeshin me fjalët e shenjtit, por më shumë çuditeshin me besimin dhe
dëshirat e tij se çdo gjë do të shkojë pas uratës.
U bënë
gati për t’u larguar nga qelia e jerondit, por dëgjuan të thoshte:
“Të
përgatisni jo vetëm hieroren por edhe tryezën e Pashkës sepse ta dini etërit e
mi se Ai që interesohet për zogjtë e qiellit, do të interesohet edhe për ne” .
Etërit u
larguan të qetë. Fjalët e jerondit, ishin ngushëllim i vërtetë në frikën dhe
dëshpërimin e tyre. Por, diku brenda vetes, u dukej se ato fjalë që u kishte
thënë jerondi, ishin vetëm për të zbutur mërzitjen...
Dielli
kishte perënduar kur u dëgjua një trokitje tek dera. Etërit u hutuan. Kush mund
të ishte në këtë orë? Hapën derën kryesore të manastirit dhe panë një të
panjohur. Kishte me vete dy deve me ngarkesë.
“Bekomëni,
o etër”, - tha i panjohuri.
“Zoti”, -
u përgjigjën etërit.
“Më falni
që ju shqetësoj në këtë orë, por po ndodh diçka që nuk mund ta shpjegoj dot”, -
tha i panjohuri. “Çdo vit në këtë ditë kam urdhër të çoj furnizime, tek një
skit që ndodhet pak më poshtë. Ndodh zakonisht që qëndroj edhe në Liturgjinë e
Ngjalljes në darkë dhe ditën tjetër kthehem në shtëpi. Kështu u nisa edhe
sivjet, por në kohën që iu afrova manastirit tuaj, dy devetë e mia ndaluan dhe
u gjunjëzuan, saqë ishte e pamundur t’i ngrija dhe t’i detyroja të vazhdonin rrugën.
Nuk dëgjonin në asnjë mënyrë. Atëherë mendova se mos është dëshira e Zotit që
të mbeteshin gjërat kështu. Prandaj trokita, me mendimin që të le tek ju
furnizimet që kisha me vete dhe devetë e mia u çuan dhe iu afruan hyrjes së
manastirit”...
Ishte me
të vërtetë dëshira e Perëndisë. Para-shikimi i Tij kujdesej për nevojat e
manastirit. Ushqimet që kishte sjellë i panjohuri dilnin, jo vetëm për
tavolinën e Ngjalljes, por deri në festën e Pendikostisë edhe më tepër.
Edhe për
Liturgjinë Hyjnore asgjë nuk kishte për të munguar gjatë këtyre ditëve. Që
nga ajo ditë e respektonin akoma më shumë Shën Theodhosin, kurse në jetën e
tyre tani kishte vend të veçantë shpresa tek Perëndia.
No comments:
Post a Comment