Besim të plotë në kujdesin e Perëndisë


Në thellësi të shkretëtirës së Judesë, në Palestinë, ndodhet manastiri i ava Theodhosit, të cilin e ka themeluar vetë shenjti në shekullin e V. Me kalimin e viteve ai u bë i madh, me shumë etër, të cilët kujdeseshin për azilet, për punëtorinë, jetimoret dhe spitalin e të varfërve që ndodheshin për rreth tyre.
Kur u formua ishte shumë i varfër dhe nuk ishin të pakta rastet kur nuk kishin gjërat më të nevojshme. Por besimi tek Perëndia dhe lutjet e ava Theodhosit, gjithmonë i ndihmonin dhe i nxirrnin nga nevoja.
Njëherë, në një të Shtunë të Madhe, murgjërit vunë re diçka të hidhur. Në manastir nuk kishte as edhe një copë naforë për Liturgji Hyjnore, nuk kishte madje as edhe për të ngrënë. Kalonte ora dhe po afrohej kremtimi i madh i Ngjalljes. Ajo që nuk duronin dot murgjërit nuk ishte uria, por se do të mbeteshin pa Liturgji Hyjnore.
Të gjithë sytë filluan të kontrollojnë për ndonjë shishe me verë të harruar në ndonjë cep dhe për ndonjë copë bukë. Ishte e pamundur të gjenin, prandaj shkuan tek jerondi i tyre, Theodhosi i shenjtë dhe i treguan për gjendjen e vështirë dhe për mërzitjen e tyre. Shenjti i dëgjoi me qetësi dhe nuk u trondit aspak...në fund iu përgjigj:
“Shkoni, bijtë e mi dhe interesohuni që të jenë të gjitha gati për Liturgjinë Hyjnore të mesnatës. Të përgatiteni edhe ju dhe të takohemi kur të jetë koha”.
“Ngushëllim i kotë”, - pëshpëriti një murg.
Jerondi e dëgjoi dhe i tha: “Mos ndoshta, fëmijët e mi, Perëndia u bë më i dobët në fuqinë e Tij? Mos nuk është në gjendje të veprojë edhe sot Ai që ushqeu popullin e Izraelit me mana në shkretëtirë? Mos nuk mund të bëjë çudira Ai që ngopi me pesë bukë dhe dy peshq, gjithë popullin që e shoqëronte? Murgjërit çuditeshin me fjalët e shenjtit, por më shumë çuditeshin me besimin dhe dëshirat e tij se çdo gjë do të shkojë pas uratës.
U bënë gati për t’u larguar nga qelia e jerondit, por dëgjuan të thoshte:
“Të përgatisni jo vetëm hieroren por edhe tryezën e Pashkës sepse ta dini etërit e mi se Ai që interesohet për zogjtë e qiellit, do të interesohet edhe për ne” .
Etërit u larguan të qetë. Fjalët e jerondit, ishin ngushëllim i vërtetë në frikën dhe dëshpërimin e tyre. Por, diku brenda vetes, u dukej se ato fjalë që u kishte thënë jerondi, ishin vetëm për të zbutur mërzitjen...
Dielli kishte perënduar kur u dëgjua një trokitje tek dera. Etërit u hutuan. Kush mund të ishte në këtë orë? Hapën derën kryesore të manastirit dhe panë një të panjohur. Kishte me vete dy deve me ngarkesë. 
“Bekomëni, o etër”, - tha i panjohuri.
“Zoti”, - u përgjigjën etërit.
“Më falni që ju shqetësoj në këtë orë, por po ndodh diçka që nuk mund ta shpjegoj dot”, - tha i panjohuri. “Çdo vit në këtë ditë kam urdhër të çoj furnizime, tek një skit që ndodhet pak më poshtë. Ndodh zakonisht që qëndroj edhe në Liturgjinë e Ngjalljes në darkë dhe ditën tjetër kthehem në shtëpi. Kështu u nisa edhe sivjet, por në kohën që iu afrova manastirit tuaj, dy devetë e mia ndaluan dhe u gjunjëzuan, saqë ishte e pamundur t’i ngrija dhe t’i detyroja të vazhdonin rrugën. Nuk dëgjonin në asnjë mënyrë. Atëherë mendova se mos është dëshira e Zotit që të mbeteshin gjërat kështu. Prandaj trokita, me mendimin që të le tek ju furnizimet që kisha me vete dhe devetë e mia u çuan dhe iu afruan hyrjes së manastirit”...
Ishte me të vërtetë dëshira e Perëndisë. Para-shikimi i Tij kujdesej për nevojat e manastirit. Ushqimet që kishte sjellë i panjohuri dilnin, jo vetëm për tavolinën e Ngjalljes, por deri në festën e Pendikostisë edhe më tepër.
Edhe për Liturgjinë Hyjnore asgjë nuk kishte për të munguar gjatë këtyre ditëve. Që nga ajo ditë e respektonin akoma më shumë Shën Theodhosin, kurse në jetën e tyre tani kishte vend të veçantë shpresa tek Perëndia.


No comments:

Post a Comment