Ava Zinoni dhe kreshmuesi


Jetonte dikur në një qytet të vogël një njeri, i cili kreshmonte shumë, saqë të gjithë e quanin dhe e lavdëronin si kreshmuesin më të madh. Fama e tij arriti deri tek ava Zinoni. Atëherë avai e thirri atë të shkonte pranë tij dhe ai vajti. U përshëndetën dhe u ulën së bashku. Avai vazhdoi punën e tij të caktuar dhe ora kalonte me një qetësi të plotë.
Kreshmuesi duke mos mundur të flasë, filloi të mërzitet dhe të bëhet nervoz. Më në fund, nuk duroi dot më dhe iu drejtua avait dhe i tha: “Uratën tuaj ava se do të iki”.
“Përse”, - e pyeti Avai. “Ndjej një shqetësim në zemër dhe nuk e di se ç’po më ndodh. Kur isha në botë kreshmoja deri në mbrëmje dhe nuk ndieja ndonjë vështirësi, ndërsa këtu nuk duroj dot’.
“Në botë”, - iu përgjigj avai, “ushqeheshe nga veshët. Të ushqenin lavdërimet e njerëzve. Shko, pra, larg nga lavdërimet e njerëzve dhe të punosh për virtytin fshehurazi dhe me mundim”.


No comments:

Post a Comment