Katër qirinjtë


Katër qirinj po digjeshin ngadalë brenda një dhome të errët. Tek flakëroheshin bisedonin për shqetësimet e tyre të përditshme. Çdokush mund të dëgjonte fjalët që trishtueshëm dolën nga biseda e tyre.
Qiriri i parë tha: Unë jam paqja, por në ditët e sotme, askush nuk dëshiron të më mbajë të ndriçuar. Njerëzit nuk kërkojnë paqe dhe as përpiqen ndopak për të. Ç’të bëj? Unë nuk mund të qëndroj më i ndezur. Drita e tij u lëkund pak, humbi shkëlqimin dhe pas pak u fik plotësisht. Qiriri i paqes u shua.
Me zë të dobët filloi të flasë qiriri i dytë. Ai tha: unë jam besimi, por këto ditë nuk jam më i domosdoshëm. Njerëzit janë bërë mosbesues si në veten e tyre ashtu edhe ndaj të tjerëve. Trishtueshëm flaka e besimit u pakësua dhe pastaj u fik. Qiriri i besimit u shua.
Me trishtim qiriri i tretë tha: Miqtë e mi, unë jam dashuria, dhe nuk kam fuqi të qëndroj më i ndezur. Njerëzit më kanë lënë mënjanë dhe nuk e kuptojnë rëndësinë time. Ata madje kanë harruar të duan dhe njerëzit që kanë pranë. Dhe duke mos pritur më gjatë flaka e dashurisë u fik. Qiriri i dashurisë u shua.
Papritur hyn në dhomë një fëmijë dhe sheh tre qirinjtë që nuk po digjeshin më. Asnjë prej tyre nuk kishte më dritë. Fëmija filloi të qante me dënesë dhe i pyeste: Pse nuk po digjeni? Pse nuk keni më dritë? Ju duhet të qendroni të ndezur deri në fund. Ju duhet ta ndriçoni vazhdimisht dhomën.
Qiriri i katërt, dëgjoi psherëtimat e tij dhe plot mirësi i thotë: Mos u frikëso, sepse jam unë shpresa, dhe përderisa unë kam dritë, ne mund të rindezim të tre qirinjtë e tjerë. Fëmija gjithë gëzim mori qiririn e shpresës dhe rindezi tre qirinjtë e tjerë. Dhoma u ndriçua sërish me katër qirinj.
Kurrë mos lejoni dritën e shpresës të largohet nga jeta juaj. Me shpresën, nuk ka rëndësi si duken dhe si janë gjërat e këqija, ... paqja, besimi dhe dashuria mund të shkëlqejnë sërish në jetën tonë.

No comments:

Post a Comment