Lutje që Zoti të të falë mëkatet

Lutje që Zoti të të falë mëkatet

Zoti Jisu Krisht Perëndia ynë, 
Ti që Nënën tënde të shenjtë e shfaqe më të lartë se të gjitha Fuqitë qiellore, 
Ti, o i tërëmirë, me ndërmjetimet e saj dhe të gjithë Shenjtorëve të tu 
trego mëshirën tënde dhe falmë mua shërbëtorin tënd të padenjë për çdo gjë që si njeri, 
ose madje pa gjurmë njerëzore, 
mëkatova sot, për mëkatet e mia me dhe pa dëshirë. 

Falmë dhe për gjithë sa kam kryer me dhe pa dije, nga rrëmbimi, 

nga pakujdesia dhe nga plogështia ime e shumtë. 
Nëse në emrin tënd u betova, a nuk mbajta premtimin;
nëse blasfemova me mendimin tim,
a me diçka tjetër shkaktova zemërimin tënd të drejtë;
nëse vodha, a thashë gënjeshtra;
nëse ndonjë mik kërkoi ndihmën time dhe iu shmanga,
a mërzita dhe hidhërova ndonjë të afërm timin;
nëse në kohën e lutjes dhe të psaljes mendja ime dinake u mor me gjëra të ndyra dhe jetësore,

a kënaqa shqisat e mia më shumë nga ç’duhet;
nëse thashë shaka të pahijshme, a qesha hiperbolikisht;
nëse u tërhoqa nga lavdia e kotë, a u krenova;
nëse admirova bukuri të kotë dhe u kënaqa nga brenda,
a fola shumë duke thënë gjëra të pamenduara;
nëse pashë të metën e të afërmit tim dhe e gjykova,
ndërsa të metat e mia të panumërta nuk i vë re;
nëse lashë lutjen time, a diçka tjetër të keqe vura në mendjen time;
gjithë këto dhe gjithashtu të tjera, të cilat bëra dhe nuk i kujtoj,
falmë, o Perëndia im, mua shërbëtorin tënd mëkatar dhe të pandenjë
dhe mëshiromë si i mirë dhe njeridashës,
që të fle dhe të zhytem në gjumë të paqshëm unë i shthururi,
duke të lavdëruar Ty, bashkë me Atin dhe me Shpirtin tënd të tërëshenjtë,
të mirë dhe jetëbërës,
tani e përherë dhe në jetë të jetëve.
Amin.

Oshënar Efrem Siriani

No comments:

Post a Comment