Lutje që Zoti të bekojë armiqtë e mi



Bekoi armiqtë e mi, o Zot! Edhe unë i bekoj dhe nuk i mallkoj.
Armiqtë më kanë drejtuar te përqafimi yt, më tepër sesa miqtë e mi.
Miqtë më kanë lidhur me tokën, kurse armiqtë më kanë çliruar nga toka dhe kanë dërrmuar gjithë iluzionet e mia në botë.
Armiqtë më larguan nga dëshirat e kota të botës,  më bënë banor të huaj  të saj dh më çliruan nga gjërat tokësore. Ashtu sikurse një kafshë e ndjekur gjen strehë më të sigurt se një kafshë që nuk ndiqet, kështu edhe unë kam gjetur strehën më të sigurt, i mbrojtur nën strehën tënde, aty ku as miqtë, as armiqtë nuk mund ta humbasin shpirtin tim.
Bekoi armiqtë e mi, o Zot! Edhe unë i bekoj dhe nuk i mallkoj.
Ata, më shumë se unë, kanë pohuar mëkatet e mia përpara gjithë botës.
Ata më kanë kamxhikuar, sa herë që unë kisha ngurruar të kamxhikohem.
Më kanë torturuar, sa herë që unë isha përpjekur t’u shpëtoja torturave.
Ata më kanë ndëshkuar, sa herë që unë kisha lajkatuar veten time.
Ata më kanë goditur, sa herë që unë isha fryrë nga kryelartësia.
Bekoi armiqtë e mi, o Zot! Edhe unë i bekoj dhe nuk i mallkoj.
Sa herë që e mbajta veten për të ditur, ata më thirrën i pamend.
Sa herë që e mbajta veten për të fortë, ata më përqeshën si të isha xhuxh.
Sa herë që desha të udhëheqë të tjerë, ata më shtynë në ndonjë cep.
Sa herë që shpejtova të pasurohem, ata më penguan me duar të hekurta.
Sa herë që kisha menduar se do të flija në paqe, ata më zgjuan prej gjumit.
Sa herë që u përpoqa të ndërtoja shtëpi për një jetë të gjatë dhe të qetë, ata e rrëzuan përtokë dhe më nxorën jashtë.
Me të vërtetë, armiqtë më kanë shkëputur nga bota dhe i shtrinë duart e mia drejt cepit të rrobës Sate.
Bekoi armiqtë e mi, o Zot! Edhe unë ende i bekoj dhe nuk i mallkoj.
Bekoi, shtoi dhe bëji më të ashpër kundër meje, që përikja ime drejt Teje, të mos ketë kthim; që çdo shpresë imja te njerëzit të shkatërrohet si rrjeta e merimangës; që prehja absolute të fillojë të mbretërojë në shpirtin tim dhe që zemra ime të bëhet varri i dy vëllezërve të mi të këqij binjakë: i kryelartësisë dhe i zemërimit, që të mund të mbledh gjithë thesaret e mia në qiejt, që të mund të çlirohem përgjithnjë nga vetëmashtrimi, që më mbështolli në rrjetën vdekjeprurëse të jetës gënjeshtare.
Armiqtë më bënë të mësoj atë që vështirë se ta mëson dikush – se njeriu, përveç vetes së tij, nuk ka armiq të tjerë në botë!
I urrejmë të tjerët, kur gabimisht mendojmë që janë armiq. Ata nuk janë armiq, por miq të ashpër dhe të pashpirt.
Në të vërtetë, e kam të vështirë ta them se kush më bënë më shumë mirë dhe kush më bënë më shumë keq në botë: armiqtë apo miqtë.
Prandaj, bekoi, o Zot, si miqtë e mi, ashtu edhe armiqtë e mi!

No comments:

Post a Comment