Lutje për të falënderuar Perëndinë për gjithçka


 Lutje për të falënderuar Perëndinë për gjithçka
Himni Akathist: Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtorja 1
Zot i paprishur, dora jote e djathtë kontrollon gjithë rrjedhën e jetës njerëzore, sipas akteve të Përkujdesjes sate për shpëtimin tonë. Të falënderojmë për të gjitha bekimet e tua, të ditura dhe të paditura, për jetën tonë tokësore dhe për gëzimet qiellore të mbretërisë sate të ardhshme. Prandaj, zgjate mëshirën tënde drejt nesh që po të këndojmë: Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!

Shtëpia 1
Fëmijë i dobët dhe i pambrojtur linda, por engjëlli yt, duke hapur flatrat e tij të ndritshme, e ruajti djepin tim. Qëkur linda drita jote ndriçoi shtigjet e mia dhe mrekullisht më udhëhoqi drejt dritës së përjetshme. Që nga dita e parë e deri më sot, dhuntitë bujare të përkujdesjes sate mrekullisht më kanë mbuluar. Ty të jap falënderime, dhe bashkë me gjithë të tjerët që të njohin, thërres:
Lavdi Ty, që më krijove!
Lavdi Ty, që hape përpara meje bukurinë e gjithësisë!
Lavdi Ty, që nëpërmjet qiellit edhe dheut më zbulove librin e përjetshëm të urtësisë!
Lavdi përjetësisë sate, brenda kësaj bote fluturake!

Lavdi Ty, për bekimet e tua, të para e të papara!
Lavdi Ty, për çdo psherëtimë të brengës sime!
Lavdi Ty, për çdo hap në udhëtimin e jetës sime, për çdo çast gëzimi!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 2
O Zot, sa e mrekullueshme është të jesh i ftuari yt! Flladi erëmirë; malet që prekin qiejt; ujërat si pasqyrë e pakufishme; rrezet e arta të diellit dhe retë, që duke vrapuar, rrezatojnë. E gjithë natyra mistershëm mërmërit, ndërsa thith thellësitë e ëmbëlsisë; zogj dhe kafshë mbi vete mbajnë gjurmën e dashurisë sate. E bekuar je ti, o toka mëmë, në shkëlqimin tënd fluturak, që zgjon ndër ne zjarrin e lumturisë së përjetshme, në tokën, ku mes bukurisë që kurrë nuk mplaket, oshtin thirrja: Aliluia.

Shtëpia 2
Më solle në këtë botë, si në një parajsë të magjepse. Kemi parë qiellin, si një kupë blu, në lartësitë kaltëroshe të të cilit këndojnë zogjtë. Kemi dëgjuar fëshfërimën qetësuese të pyllit dhe muzikën tingullëmbël të ujërave. Kemi provuar frytin e shijshëm erëmirë dhe mjaltin ëmbëlkundërmues. Sa i këndshëm është qëndrimi ynë në tokë me Ty!; është gëzim të jesh i ftuari yt.
Lavdi Ty, për ditën festive të jetës!
Lavdi Ty, për parfumin e zambakëve dhe trëndafilave!
Lavdi Ty, për gjithë shijet e ndryshme të manave dhe të frutave!
Lavdi Ty, për argjendin vezullues të së hershmes vesë mëngjesore!
Lavdi Ty, për  çdo zgjim me paqe dhe buzëqeshje!
Lavdi Ty, për jetën e përjetshme ndër ne, lajmësin e qiellit!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!

Shkurtore 3
Me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, çdo lule përhap erën e saj të mirë. Parfumi kundërmues, ngjyra e brishtë, bukuria e tërë gjithësisë zbulohet gjer në imtësi. Lavdi edhe nderim Perëndisë, Jetëdhënësit, që mbulon fushat me qilimat e luleve, që kurorëzon rrafshinat me të korrat e arta dhe me flokët e misrit, dhe shpirtrat tanë me ngazëllimin e soditjes së tij. Ngazëllohuni dhe këndojini: Aliluia.

Shtëpia 3
Sa i lavdishëm je në triumfin pranveror, kur çdo krijesë i zgjohet një jete të re dhe gëzueshëm këndon lavdërimet e tua në mijëra gjuhë: Ti je burimi i jetës, ngadhënjimtari i vdekjes. Në dritën e hënës bilbilat këndojnë; lëndinat dhe pyjet veshin fustanin e nusërisë, të bardhë si dëbora. E gjithë toka është nusja jote e premtuar, e cila  pret dhëndrin që nuk njeh prishje. Nëse bari ka veshur fushën kështu, sa i lavdishëm do të jetë transformimi ynë në jetën e ardhshme të ringjalljes; sa rrezatues trupat tanë, sa të shndritshëm shpirtrat tanë! Lavdi Ty, që nga terri i tokës ke nxjerrë një shumëllojshmëri të pafund ngjyrash, shijesh dhe erëmirash!
Lavdi Ty, për ngrohtësinë dhe ëmbëlsinë e botës natyrore!
Lavdi Ty, që na ke rrethuar me veprat e tua të panumërta!
Lavdi  Ty, për thellësinë e urtësisë sate; botë e tërë është shenjë e gjallë e saj!
Lavdi Ty, në gjunjë, unë puth gjurmët e dorës sate të padukshme!
Lavdi Ty, që shpalos para nesh dritën verbuese të jetës së përjetshme!
Lavdi Ty, për shpresën e patregueshme dhe të paprishur të bukurisë së pavdekësisë!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!



Shkurtore 4
Sa të ëmbëlsuar janë ata, që mendojnë tërë kohës për Ty; sa jetëdhënëse është Fjala jote e Shenjtë; të bisedosh me Ty është më çlodhëse se vajosja, më e ëmbël se vetë mjalti. Të luturit te Ti na ripërtërin dhe na jep flatra; nga zemrat tona vërshon ngrohtësi; një madhështi e mbushur me urtësi përshkon natyrën dhe gjithë jetën! Atje ku nuk je Ti, ka veç zbrazëti. Atje ku je Ti, shpirti mbushet me bollëk, dhe kënga e tij jehon si një përrua jete: Aliluia.

Shtëpia 4
Kur mbi tokë fashitet drita e diellit që perëndon, kur paqja e gjumit të përjetshëm dhe qetësia e ditës së plakur mbretëron mbi gjithçka, unë shoh vendbanimet e tua, si tenda të mbushura me dritë, që pasqyrohen në format e reve buzë muzgut: flakëruese dhe të purpurta, të arta dhe të kaltra, ato, si profetët, flasin për bukurinë e patregueshme të oborrit tënd qiellor, dhe solemnisht thërrasin: le të shkojmë tek Ati!
Lavdi Ty, në të qetën orë të mbrëmjes!
Lavdi Ty, që mbulon botën me paqe të thellë!
Lavdi Ty, për rrezen e fundit të diellit që perëndon!
Lavdi Ty, për prehjen e gjumit të lumtur!
Lavdi Ty, për mëshirën tënde, në mes të errësirës, kur gjithë bota është larguar prej nesh!
Lavdi Ty, për ndjenjën e ëmbël të shpirtit të prekur nga lutja!
Lavdi Ty, për premtimin e zgjimit, në ditën, që nuk njeh mbrëmje!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 5
Stuhitë e jetës nuk i trembin zemrat e atyre, që digjen me dritën e flakës sate.
Jashtë është terri i vorbullës së erës dhe terrori i stuhisë ulëritëse, por në shpirtrat e tyre mbretëron qetësia dhe drita. Krishti është aty, dhe zemra këndon: Aliluia.

Shtëpia 5
Shoh qiellin tënd, që përflaket nga yjet. Sa i pasur që je, sa shumë dritë që ke! Përjetësia më vështron me anën e rrezeve të yjeve të largëta: jam i vogël, i parëndësishëm, por Zoti është me mua, dora e tij e dashur më mbron ngado që të shkoj.
Lavdi Ty, për përkujdesjen në çdo kohë!
Lavdi Ty, për njerëzit, që Përkujdesja jote më bëri të takoj!
Lavdi Ty, për dashurinë e të dashurve të mi, për besnikërinë e miqve!
Lavdi Ty, për butësinë e kafshëve që më shërbejnë!
Lavdi Ty, për çastet e jetës të mbushura me dritë!
Lavdi Ty, për gëzimin rrezatues të zemrës sime!
Lavdi Ty, për gëzimin e jetës, të lëvizjes e të parit!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 6
Sa i madhërishëm dhe i sa i afërt je në shtegun e vështirë të stuhisë; sa i fuqishëm shfaqet krahu yt i djathtë në flakërimën verbuese të rrufesë; sa e frikshme është madhështia jote! Zëri i Zotit ndihet sipër fushave dhe në mes të pyjeve shushuritëse; zëri i Zotit është në lindjen e bubullimës dhe të shiut; zëri i Zotit është mbi gjithë ujërat. Lavdi Ty, në oshtimën e maleve që përflaken! Ti e shkund botën si të ishte një rrobë. Ti i lartëson deri në qiell dallgët e detit. Lavdi Ty, që e përul kryelartësinë e njeriut, dhe nga zemra e tij nxjerr thirrjen e pendimit: Aliluia.

Shtëpia 6
Kur flakërima e rrufesë mbush me dritë sallën e festës, e dobët ngjan drita e llambave. Po kështu, në mes të gëzimeve më të fuqishme të qenies sime, papritmas, Ti bën të përshkëndisë shpirti im. Pas dritës sate verbuese, sa të pakta, të zbehta dhe të rreme duken gjithë këto gëzime! Gjithë pasion, shpirti im rend pas teje.
Lavdi Ty, Qëllimi, në të cilin ëndrrat më të larta të njerëzimit përmbushen!
Lavdi Ty, për etjen tonë të pashuar për shoqërinë tënde!
Lavdi Ty, që bën të mos kënaqemi nga gjërat tokësore!
Lavdi Ty, që na vesh me rrezet më të shkëlqyeshme të dritës sate!
Lavdi Ty, që shkatërron fuqinë e shpirtrave të errësirës dhe e bën ligësinë pre të shkatërrimit!
Lavdi Ty, për gëzimin, që ndiejmë kur dëgjojmë zërin tënd, për lumturinë e pranisë sate dhe për jetën me dashurinë tënde!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!



Shkurtore 7
Në mes të rrapëllimës së tingujve të ndryshëm, dëgjojmë thirrjen tënde. Në mes të harmonisë së shumë zërave, trazuar nga tone muzikore, hutuar nga krijimtaria artistike, prej teje mësojmë madhështinë e melodisë dhe të këngës dhe parashijojmë mbretërinë e ardhshme. Çdo bukuri e vërtetë tërheq shpirtin drejt teje, me një përgjërim të fuqishëm, dhe e bën të këndojë me ngadhënjim: Aliluia.

Shtëpia 7
Zbrazja e Shpirtit të Shenjtë ndriçon mendimet e artistëve, poetëve dhe shkencëtarëve. Mendjet e tyre të mëdha marrin prej teje mprehtësi profetike të ligjeve të tua dhe na zbulojnë thellësinë e urtësisë sate krijuese. Padashur, fjalët e tyre flasin për Ty; sa madhështor që je në gjithçka që ke krijuar, sa madhështor që shfaqesh te njeriu!

Lavdi Ty, që shpalos pushtetin tënd të pamatshëm në ligjet e gjithësisë!
Lavdi Ty, sepse gjithë natyra përshkohet nga ligjet e tua!
Lavdi Ty, për atë që na ke zbuluar nga mirësia jote!
Lavdi Ty, për gjithçka që urtësia jote e ruan të fshehur prej nesh!
Lavdi Ty, për shpikjet e mendjes njerëzore!
Lavdi Ty, për përpjekjen fuqizuese të punës!
Lavdi Ty, për gjuhët e zjarrta që sjellin frymëzim!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 8
Sa i afërt je në ditët e sëmundjes; Ti vetë viziton të sëmurët; Ti vetë përkulesh mbi shtratin e të sëmurit; vetë zemra jote i flet atij. Me paqen tënde, Ti ndriçon shpirtin e rënduar nga vuajtjet dhe dhimbja; Ti dërgon ndihmë pa e pritur. Ti ngushëllon, Ti je dashuri, që sjell sprova dhe shpëtim, dhe Ty të këndojmë himnin: Aliluia.

Shtëpia 8
Ende fëmijë, kur të thirra me vetëdije për të parën herë, Ti dëgjove lutjen time dhe paqja e shenjtë zbriti në shpirtin tim. Atëherë e kuptova që Ti je i mirë; të bekuar janë ata që kthehen te Ti. Pareshtur, fillova të Të thërres, dhe tani Emrin tënd thërres:
Lavdi Ty, që kënaq dëshirat e mia me gjëra të mira!
Lavdi Ty, që më ruan ditë e natë!
Lavdi Ty, që zbut mundimet dhe fatkeqësitë me rrjedhën shëruese të kohës!
Lavdi Ty, s’ka humbje të pariparueshme, kur Ti je aty; të gjithëve Ti u jep jetë të përjetshme!
Lavdi Ty, që bën të pavdekshme gjithçka që është e lartë dhe e mirë, dhe që u premton mirëseardhjen të vdekurve!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 9
Përse në ditë festive e gjithë natyra buzëqesh mistershëm?! Përse një ndriçim i mrekullueshëm, me të cilin asgjë tokësore nuk mund të matet, mbush zemrat tona; edhe vetë ajri mbi altar dhe ajri në shtëpinë e Perëndisë bëhet i ndritshëm?! Është fryma e hirit, rrezatimi i lavdisë së Malit Tabor; qielli dhe dheu këndojnë këtë lavdërim: Aliluia.

Shtëpia 9
Kur më frymëzon për t’i shërbyer të afërmit tim dhe bën që përulësia të shndritë brenda shpirtit tim, një nga rrezet depërtuese të dritës sate zbret në zemrën time, që paskëtaj flakërin si hekuri në furrnaltë. E kam parë Fytyrën tënde të mistershme dhe të pakapshme.
Lavdi Ty, që ndryshon jetët tona me anë veprash dashurie!
Lavdi Ty, që i bën mrekullisht të ëmbla çdonjërën prej porosive të tua!
Lavdi Ty, që na dërgon dështime dhe mundime, që të bëhemi të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve!
Lavdi Ty, që premton shpërblime bujare për vepra të mira e të vyera!
Lavdi Ty, që mirëpret hovin e dashurisë së zemrave tona!
Lavdi Ty, që ke lartësuar dashurinë mbi gjithçka tjetër në tokë e në qiell!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!



Shkurtore 10
Askush nuk mund të ribëjë atë që është shkërmoqur e bërë pluhur, por Ti mund të shërosh ndërgjegjen e shtrembëruar. Ti i rikthen shpirtit bukurinë e tij fillestare, që herët e kishte humbur, pa kurrfarë shprese ripërtëritjeje. Me Ty, asgjë nuk është e pashpresë. Ti je Dashuria. Ti je Krijuesi dhe Shpëtimtari i gjithë gjërave. Të lavdërojmë me këtë këngë: Aliluia.

Shtëpia 10
Perëndia im, Ti e di rënien e krenarit Luçifer. Shpëtomë me fuqinë e hirit tënd, mos më lër që të largohem prej teje, mos më lër që të vë Ty në dyshim. Mprihi veshët e mi, që në çdo minutë të jetës sime të mund të dëgjoj zërin tënd të mistershëm dhe të thërres Ty, o i kudopranishëm:
Lavdi Ty, për rrethanat fatlume!
Lavdi Ty, për paralajmërimet e dobishme!
Lavdi Ty, për mësimet e zërit tënd sekret!
Lavdi Ty, për zbulesat që na shpalos në ëndërr ose zgjuar!
Lavdi Ty, që shpërndan imagjinatat tona të kota!
Lavdi Ty, që, me anën e vuajtjeve, na çliron nga zjarri i pasioneve!
Lavdi Ty, që, për shpëtimin tonë, përul kryelartësinë e zemrës!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 11
Përtej vazhdimësisë së akullt të kohërave, unë ndiej ngrohtësinë e Frymës sate hyjnore; dëgjoj qarkullimin e Gjakut tënd. Ti tashmë je afër meje; një pjesë kohe tashmë ka fluturuar. Unë shoh Kryqin tënd; është aty për hatrin tim. Shpirti im s’është gjë tjetër, veçse pluhur, para Kryqit tënd; ky është ngadhënjimi i dashurisë dhe shpengimit, këtu pareshtur dhe në të gjitha kohërat lartësohet lavdërimi: Aliluia.

Shtëpia 11
I bekuar është ai që do të marrë pjesë në Darkën Mistike të Mbretërisë sate, por edhe këtu në tokë Ti më ke falur të tillë bekim. Sa e sa herë, me vetë dorën tënde më ke dhënë Trupin dhe Gjakun tënd, dhe unë, edhe pse një mëkatar i madh, kam marrë këto Dhurata dhe kam ndier dashurinë tënde të patregueshme dhe të mbinatyrshme.
Lavdi Ty, për fuqinë e pakonceptueshme dhe jetëdhënëse të hirit tënd!
Lavdi Ty, që ke themeluar Kishën Tënde, si liman paqeje për një botë të munduar!
Lavdi Ty, që na ke dhuruar rilindje me anë të ujit jetëdhënës të Pagëzimit!
Lavdi Ty, që i rikthen atyre që pendohen dëlirësi të bardhë si një zambak i panjollë!
Lavdi Ty, humnerë e pamatshme e faljes!
Lavdi Ty, për kupën e jetës, për bukën e gëzimit të pasosur!
Lavdi Ty, që na lartëson drejt qiellit!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!


Shkurtore 12
Më shumë se një herë, kam parë rrezatimin e lavdisë sate në fytyrat e të vdekurve. Çfarë  bukurie, çfarë ngazëllimi qiellor rrezatonte prej tyre! Sa të ndritshme tiparet e fytyrës së tyre, tashmë të shndërruara në [tipare] shpirtërore! Ky ishte ngadhënjimi i lumturisë dhe i paqes së rigjetur;  në qetësinë e tyre ata të thërrisnin Ty. Në orën e vdekjes sime, ndriço  edhe  shpirtin tim, i cili Të thërret: Aliluja.

Shtëpia 12
Sa i varfër është lavdërimi im para teje! Unë nuk e kam dëgjuar këngën e Keruvimit, një gëzim i ruajtur për shpirtrat e lartësuar, por unë i njoh lavdërimet që natyra të këndon Ty. Në dimër, vë re, se si në mes të qetësisë së ndriçuar nga hëna, e gjithë toka, e mbështjellë në mantelin e saj të bardhë, të drejton lutje, që përshkëndisin si diamante. Shoh diellin që lind te gëzohet në Ty, dhe dëgjoj koret e zogjve që ngrenë për Ty himne lavdie. Dëgjoj pyllin, i cili për nderin tënd fëshfërin mistershëm, erërat i këndojnë lavdisë Sate, ujërat gurgullojnë dhe vargjet e yjeve shpallin Emrin tënd, ndërsa lëvizin në harmoni të përjetshme në thellësitë e hapësirës së pafundme. Çfarë është adhurimi im para kësaj? E gjithë natyra Ty të bën bindje, kurse unë jo; ndonëse gjatë gjithë jetës sime, shoh dashurinë Tënde dhe mezi pres të Të falënderoj, të të lutem dhe të thërres Emrin tënd.
Lavdi Ty, që na ke treguar dritën!
Lavdi Ty, që na ke dashur me një thellësi të pamatshme dhe me dashuri hyjnore!
Lavdi Ty, që na bekon me dritën, me shoqërinë e engjëjve dhe të shenjtorëve!
Lavdi Ty, Atë i tërëshenjtë, që na zbulon Mbretërinë tënde në porositë e Tua!
Lavdi Ty, Jisu Krisht, Shpëtimtar dhe Shpengues i botës!
Lavdi Ty, Shpirt i Shenjtë, dielli jetëdhënës i botës së ardhme!
Lavdi Ty, për gjithë gjërat, Trini e Shenjtë dhe e gjithëmëshirshme,
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve!

Shkurtore 13
Trini jetëdhënëse dhe e shumëmëshirshme, priti falënderimet tona për të gjitha mirësitë e tua; bëna të denjë për bekimet e tua, që, pasi të kemi nxjerrë fitimin nga talentet që na ke besuar, të mund të hyjmë në gëzimin e përjetshëm të Zotit tonë, duke kënduar himnin ngadhënjimtar: Aliluia.

                                                                                          Mitropoliti Trifon Turkestanov, 1934
                                      

No comments:

Post a Comment