Lutje për përpjekjen tënde shpirtërore


 O Zot Perëndia im, të lutem jepmë hirin tënd,
që të të dëshiroj me gjithë zemrën time,
dhe me këtë dëshirë të të kërkoj,
dhe duke të të kërkuar të të gjej,
dhe mbasi të të gjej, denjësomë që të të dua;
dhe mbasi të të dua sinqerisht, të çlirohem nga gjithë të këqijat që ekzistojnë brenda shpirtit tim.
Mbasi të çlirohem nga këto, ndihmomë të mos kthehem në mëkatet e njëjta.
Jepi shpirtit tim pendim të vërtetë.

Zot, Perëndia im, dhuroji zemrës sime hidhërim të thellë për mëkatet e mia,
dhe syve të mi lot të bollshëm pendimi,
dhe duarve të mia lëmosha të bollshme për të varfrit.
Ti, o Zot, mbreti im, shuaj me hirin tënd orekset dhe dëshirat e trupit që ndizen brenda meje,
dhe ndiz flakën e dashurisë për Ty.

Ti, o Zot, çlirimtari im, dëbo larg meje frymën e krenarisë,
dhe si i mëshirshëm jepi shpirtit tim nga pasuria e bollshme e mirësisë sate.

Ti, o Zot, Shpëtimtari im, largo nga unë inatin e zemërimit të drejtë për mëkatet e mia.
Trego dhe tek unë mëshirën dhe dhembshurinë tënde,
dhe rrethoje shpirtin tim me virtytin e durimit,
i cili [durimi] ngjan me shkëndijë dhe ruan e siguron shpirtin nga sulmet e djallit.

Ti, o Zot, krijues dhe bërësi ynë,
çrrënjos nga shpirti im çdo hidhërim dhe çdo pakënaqësi të pahijshme dhe të dëmshme ndaj të tjerëve,
dhe bëj të mbretërojë gjithmonë në mendjen time
përkujdesja e ëmbël dhe paqësore e butësisë dhe dhembshurisë për të afërmin. Amin.

                                                                                                                                Shën Agustini


No comments:

Post a Comment