Në epokën kur vandalët pushtuan në mënyrë të pamëshirshme vendet e Evropës dhe linin vetëm gërmadha gjatë kalimit të tyre, Italia kaloi vuajtjet më të shumta. Qytetet e bukura i zhduknin njëri pas tjetrit. Njerëzit çoheshin robër në thellësitë e Afrikës.
Në këto vite të vështira
Paulini episkop i një qyteti të Kambanias, harxhonte pasurinë e tij dhe gjithë
paratë e kishës për blerjen e robërve. Por, e keqja ishte kaq e madhe saqë edhe
pse mbeti vetëm me rrobat që vishte, episkopi njeridashës nuk mund të mjaftonte
për të gjithë.
Një ditë shkoi dhe e takoi një
vejushë e varfër dhe me zemër të thyer. Kishin kapur djalin e saj të vetëm rob
dhe ajo i kërkonte episkopit të mirë që t’i çlironte djalin. Vajtimet e saj
çanin edhe gurët. Paulinit i erdhi keq dhe qau bashkë me të. Kërkoi dhe
rikërkoi tek shtëpia e tij e boshatisur dhe i dëshpëruar vërtetoi se nuk i
kishte mbetur më asgjë për të dhënë. Papritur i erdhi një frymëzim.
- Shiko dhe ti vetë, i tha
nënës së dhembshur, se nuk më mbeti më asgjë që të lehtësojë fatkeqësinë që na
gjeti nga mëkatet tona. Ajo që disponoj në këtë moment është vetja ime. Me
kënaqësi e ofroj që të marrësh sërisht birin tënd.
Nëna që nuk mund të
ngushëllohej e humbi për momentin. Mendonte se episkopi dëshironte ta tallte
dhe shpërtheu në qarje me ngashërim të papërmbajtshëm. Atëherë Paulini i tha që
ta ndjekë, shkuan tek barbari që mbante birin e saj dhe për lehtësimin e saj të
madh pa se si arriti të bëjë shkëmbimin.
Bashkë me shumë robër të tjerë
dhe Paulini u nis në Afrikë. Kur u bë ndarja, këtë e mbajti në shërbimin e tij
dhëndrri i kryetarit të vandalëve dhe e vendosi të kultivojë kopshtin e tij.
Me kujdesin më të madh episkopi
i shenjtë iu fut punës që i caktuan të bëjë. Çdo ditë sillte në tryezën e
zotërisë së tij fruta dhe perime të kultivuara mirë. Me mirësinë dhe punën e
tij fitoi dhe respektin e zotërisë së tij, i cili shpesh shkonte në kopësht dhe
bisedonin bashkë për shumë gjëra. Barbari admironte urtësinë dhe dijen e
shërbëtorit të tij. Brenda vitit u krijua një shoqëri e ngushtë midis robit të
huaj dhe dukës së ri.
Pas shumë kohe, Paulini, një
ditë kur po bisedonin i thotë në mënyrë enigmatike zotërisë së tij.
-Është koha të kujdeseni për
administrimin e ardhshëm të mbretërisë
suaj.
-Pse e thua këtë Paulin? -
pyeti duka i ri.
Në fillim Paulini nuk donte të
jepte më shumë shpjegime, por më vonë u detyrua të tregojë se Perëndia i kishte
zbuluar që mbreti i vjetër do të vdiste shumë shpejt. Duka, edhe pse nuk e
besoi shumë, ia tha vjehrrit të tij, i cili nga kurioziteti dëshiroi të njohë
këtë njeri të çuditshëm, kur dëgjonte se thoshte që Perëndia i tij i ka folur.
- Eja nesër të hamë bashkë
drekë dhe do ta shikosh në tryezën time, -
i tha dhëndrri i tij.
Ditën tjetër mbreti shkoi tek
pallati i dukës. Paulini, siç e kishte zakon gjithmonë, solli në tryezë fryta
të freskëta. Sapo e pa mbreti u trondit.
- Ky njeri fsheh ndonjë mister
- i pëshpëriti ai dhëndrrit në vesh.
Kur Paulini u largua, ai i
tregoi një ëndërr të çuditshme, që e kishte parë natën e kaluar.
- M’u duk se më çonin të lidhur
në një gjykatore për të më gjykuar për të gjitha veprat e mia. Midis gjyqtarëve
të mi, të cilët ishin shumë, gjendej edhe ky njeri. Tregonte se zotëronte vend
te veçantë, sepse urdhëroi të marrin skeptrin nga dora ime dhe me këtë të më
rrahin. Ja pyete atë të të tregojë se kush është. Po, me të vërtetë nuk më
duket njeri i zakonshëm.
Duka i mahnitur nga ato që
dëgjoi nga goja e vjehrrit të tij, mori veças robin dhe filloi ta pyesë
për atdheun dhe për prejardhjen e tij.
- Jam shërbëtor i Perëndisë tha
Paulini, ai që ti pranove ta mbash në vend të birit të vejushës. Duka nuk donte
të bindej, madje u betua me premtime të mëdha që t’i tregonte të vërtetën.
Kështu Paulini u detyrua të tregojë se ishte episkop dhe se me vullnet u
dorëzua rob për dashurinë e të afërmit të tij. Sapo dëgjoi këto zbulime zotëria
i tij e admiroi kaq shumë saqë ra në tokë dhe i puthi këmbët. Pastaj i tregoi
të gjitha tek mbreti dhe të dy së bashku thirrën Paulinin dhe i thanë:
- Na kërko çfarë të duash, që
të dërgojmë me shumë dhurata, ashtu siç ti e meriton, në atdheun tënd, sepse
është e pahijshme të mbajmë këtu rob një njeri si ty. Paulini i falenderoi për
dëshirat e tyre të mira, por nuk pranoi të marrë asnjë dhuratë. Nuk do të më
jenë të nevojshme për asgjë, - thoshte ai. Por nëse dëshironi vërtet të bëni
ndonjë gjë të mirë, çlironi të gjithë bashkëatdhetarët e mi, të cilët ju i
mbani robër këtu. Kryetarët pranuan me kënaqësi t’i plotësojnë dëshirën
episkopit. U bënë kërkime në të gjithë mbretërinë që të gjenden të gjithë
bashkëatdhetarët e Paulinit. Mbasi i grumbulluan të gjithë, i dërguan me anije
në atdheun e tyre bashkë me episkopin e tyre dhe me shumë ushqime dhe dhurata
nga mbreti.
Pas pak kohe u realizua
profecia e Paulinit. Mbreti plak vdiq dhe vendin e tij e zuri duka i ri, i cili
gjatë gjithë jetës së tij kujtonte episkopin e shenjtë dhe shembullin e tij të
ndritur.
No comments:
Post a Comment