Ditari i jetës sime

Në një gjendje midis pagjumësisë dhe ëndrrave e gjeta veten në një dhomë. Nuk kishte asnjë tipar dallues veç të vetmit mur mbuluar nga dosjet e vogla me katalogë. Ato ngjanin me dosjet në libraritë që listojnë tituj nga autorë ose tema në rend alfabetik. Por këto dosje që nisnin në dysheme, arrinin deri në tavan dhe në dukje pafundësisht në secilin drejtim, kishin tituj shumë të ndryshëm. Si iu afrova murit të dosjeve, e para që më tërhoqi vëmendjen ishte ajo në të cilën shkruhej: “vajzat që kam pëlqyer”. E hapa dhe fillova të shfletoja fletët. I tronditur e mbylla me të shpejtë se kuptova që i njihja emrat e shkruar në secilën fletë. Më pas pa më treguar askush, e dija saktësisht ku ndodhesha. Ajo dhomë e pajetë me gjithë dosjet e saj të vogla ishte një sistem i çrregullt katalogësh për jetën time. Në to ishin shkruar veprimet e çdo momenti të jetës sime, i madh apo i vogël, me një memorie të detajuar, të pakrahasueshme. Një ndjenjë kurioziteti dhe habie e shoqëruar me frikë u ngjall brenda meje, kur fillova të hapja dosjet në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të vëreja me kujdes përmbajtjen e tyre. Disa më sillnin gëzim dhe kujtime të ëmbla, të tjerat një ndjenjë kaq të fortë turpi dhe keqardhjeje, saqë nuk doja të më shikonte askush.

 

Një dosje e emërtuar “miqtë” gjendej pranë asaj të shënuar “miqtë që kam tradhëtuar”.
Titujt varionin nga të zakonshmit tek ata plotësisht të çuditshëm si: “Librat që kam lexuar”, “gënjeshtrat që kam thënë”, “ngushëllimet që kam dhënë”, “shakatë me të cilat kam qeshur”. Disa ishin pothuajse argëtuese në saktësinë e tyre si: “Gjërat për të cilat u kam bërtitur vëllezërve të mi”.
Por me të tjerat si: “Gjërat që kam bërë në zemërim e sipër”, “gjërat për të cilat jam ankuar brenda meje në lidhje me prindërit e mi”, nuk mund të qeshja aspak.
Kurrë nuk pushova së çudituri nga përmbajtjet e tyre. Shpesh kishte më shumë fletë nga çfarë prisja. Ndonjëherë më pak nga sa shpresoja.
U preka nga volumi i madh i jetës që kisha jetuar. Mund të ishte e mundur të kisha kaq shumë kohë në jetën time të shkurtër të shkruaja secilën nga këto mijëra apo madje miliona fletë?
Por secila fletë konfirmonte të vërtetën. Secila ishte shkruar me shkrimin e dorës sime, secila mbante firmën time.
Kur tërhoqa dosjen ku shkruhej “këngët që kam dëgjuar”, kuptova që dosjet sa vinin e bëheshin gjithnjë e më të mëdha, në mënyrë që të përmbanin gjithë përmbajtjen e tyre. Fletët ishin vendosur ngjeshur, megjithatë pas dy a tre metrave përsëri nuk kisha arritur fundin e dosjes.
Kur arrita te dosja shënuar “mendime të liga”, ndjeva mornica të më përshkojnë trupin. E tërhoqa dosjen vetëm pak, pa dashur të llogaritja masën e saj, dhe mora një fletë prej saj. U rrënqetha nga përmbajtja e detajuar e saj. U ndjeva shumë keq kur mendova që një moment i tillë ishte regjistruar. Një zemërim, pothuajse kafshëror, shpërtheu brenda meje.
Zemrën time e sundonte vetëm një mendim: këto fletë nuk duhet t’i lexojë kurrë askush.
Këtë dhomë nuk duhet ta vizitojë kurrë askush.
Më duhet t’i shkatërroj të gjitha këto.
Me një tërbim prej të çmenduri e nxora dosjen jashtë. Tashmë masa e saj nuk kishte më rëndësi. Më duhej ta zbrazja dhe t’i digjja të gjitha fletët. Por si e kapa në një cep dhe fillova ta përplasja në dysheme nuk munda të lëviz qoftë edhe një fletë të vetme. I dëshpëruar nxora një fletë, por kur u përpoqa ta grisja, vetëm sa kuptova që ajo ishte e fortë si çelik.
I mundur dhe plotësisht i pashpresë e rivendosa dosjen në vendin e saj. Mbështeta ballin në mur dhe lëshova një psherëtimë të gjatë keqardhjeje për veten time. Pastaj lexova dosjen me titullin: “njerëzit me të cilët kam ndarë Ungjillin”.





Doreza e saj ishte më e ndritshme se pjesa tjetër e dosjes, më e re dhe pothuajse e papërdorur. Tërhoqa dorezën dhe një kuti e vogël ra në duart e mia. Vetëm me një dorë numërova fletët që kishte ajo dhe menjëherë më rodhën lot. Qaja me ngashërim kaq të thellë, saqë më filloi një dhimbje në stomak, që më tronditi të tërin. U gjunjëzova dhe vazhdoja të qaja me ngashërim. Qaja nga turpi.
Ndërsa me sy të përlotur shihja radhët e rafteve të dosjeve mendoja, që për këtë dhomë nuk duhet të dijë kurrë, kurrë asnjë njeri. Duhet ta kyç këtë dhomë dhe t’ia fsheh çelësin.
Më pas ndërsa po fshija lotët pashë Atë. Jo, të lutem, jo, Atë. Jo Ai, këtu. Oh, këdo tjetër, përveç Jisuit. Vështroja pashpresë, kur pashë që Ai filloi të hapte dosjet dhe të lexonte fletët. Nuk mund të duroja të shihja reagimin e Tij. Në çastet që mund të shkoja e t’ia merrja nga duart, pashë në fytyrën e Tij një trishtim më të thellë se trishtimi im. Ai dukej sikur shkonte me intuitë në kutitë më të liga. Pse i duhej të lexonte secilën prej tyre?
Pastaj Ai u kthye nga unë dhe më vështronte me keqardhje. Unë ula kokën, mbulova me duar fytyrën dhe fillova të qaja përsëri, ndërsa Ai m’u afrua dhe më përqafoi. Mund të më kishte thënë shumë gjëra, por nuk më tha asnjë fjalë. Ai vetëm qante bashkë me mua.

Pastaj u ngrit dhe shkoi përsëri te muri i dosjeve. Duke filluar nga njëri cep i dhomës ai mori një dosje dhe kështu me radhë një e nga një të gjitha dhe në çdo fletë filloi të shënonte emrin e tij dhe mbiemrin tim.
“JO” - bërtita duke nxituar për tek Ai. Ndërsa tërhiqja fletën prej Tij, gjthçka që mund të thoshja ishte vetëm “Jo”, “Jo”! Emri i Tij nuk duhet të ishte mbi këto fletë. Por, ja që atje ishte shkruar me një të kuqe kaq të errët dhe kaq të gjallë. Emri i Jisuit mbulonte emrin tim. Ai ishte shkruar me Gjakun e Tij. Me butësi i mori përsëri fletët, buzëqeshi trishtueshëm dhe filloi t’i firmoste ato. Nuk mendoj se do ta kuptoj ndonjëherë se si e bëri këtë gjë kaq shpejt, por në çastin tjetër u duk se e dëgjova të mbyllte dosjen e fundit dhe të vinte përsëri pranë meje. Ai plot dhembshuri vendosi dorën mbi shpatullat e mia dhe më tha: “mbaroi”. U ngrita në këmbë dhe Ai më çoi jashtë dhomës. Nuk kishte kyç në derën e saj, kishte ende fletë për t’u shkruar.

No comments:

Post a Comment